Vedat Kokona
Poet, përkthyes, leksikograf. Vedat Kokona do të shënonte sot 97-vjetorin e lindjes. Ashtu siç ndodh rëndom, do të kujtohet nga familjarët e nga një rreth i ngushtë miqsh. E bija, Mirvjen Kokona, vazhdon të kujdeset që krijimtaria e të atit të rivijë vazhdimisht për publikun shqiptar. Nuk ka më dorëshkrime apo vepra të pabotuara. Prej disa kohësh, nën logon “Kokona” ajo po punon me ribotimin e disa veprave të tij, të sjella shpesh në vëllime përmbledhëse. Së fundi, u është përkushtuar poezive. Po punon që të sjellë në një vëllim poezitë origjinale të Kokonës dhe të tjera të autorëve të njohur përkthyer prej tij. Mirvjeni tregon se tema është e larmishme, por mbizotëruese janë poezitë e dashurisë.
Sot Vedat Kokona duhet të festonte 97-vjetorin e lindjes. Ju jeni kujdesur pas vdekjes për veprën e tij. Keni ndonjë projekt për të cilin po punoni?
E kam theksuar edhe më parë që nuk ka më vepra të pabotuara nga Vedat Kokona. Ato dy vepra që ai i shkroi me shumë qejf, kujtimet “Endur në tisin e kohës” dhe “Komedia e përjetshme”, nuk arriti t’i shohë. Prej disa kohësh unë po merrem me ribotimin e veprave të tij. Pas një përmbledhjeje me artikujt e tij shkruar në shtypin e kohës, në vitet ‘30, po punoj për ribotimin e poezive. Kam menduar që të përmbledh në një libër poezitë origjinale dhe ato që im atë ka përkthyer.
Keni bërë tashmë një përzgjedhje?
Do të jenë pjesa më e madhe e poezive të tij që datojnë që në fillim të viteve 30. Librin “Kopshti i soneteve”, në të cilin ai vetë ka përzgjedhur pjesë të përkthyera prej tij, kam dëshirë ta bëj pjesë të këtij botimi. Përkthimet janë të panumërta, por kam menduar të përfshij edhe pjesë si “ëndrra e një nate vere” nga Shekspiri, “Nata e dymbëdhjetë”, nga tragjeditë e Rasinit. Besoj se do të jetë një vëllim i bukur edhe pse tematika që ofrojnë poezitë është e larmishme ku vendin më të rëndësishëm e zënë poezitë e dashurisë.
Kishte folur ai për një ribotim të tillë të poezive sa ishte gjallë?
Nuk kishte ardhur koha të mendonim. Ai iku shumë shpejt dhe nuk doja që në ato momente t’i kërkoja se ç’do bënte me veprën e tij. Më dukej sikur ia pohoja se ai nuk do të ishte më. Por besoj se do ishte shumë i kënaqur që të ribotoheshin poezitë e tij, ndonëse më e mira do të ishte t’i kishte përzgjedhur vetë.
Vedat Kokona ka dhënë kontributin e tij në disa fusha. Cilin personalitet keni zbuluar në veprën e tij?
Kur lexoj veprën e tim eti, sidomos kujtimet, ndalem shpesh në shumë faqe dhe përsëris: sa bukur i ke shkruar! Për mua ky libër kujtimesh është prozë poetike. Për mua, im atë është së pari poet pastaj përkthyes, leksikograf etj. Qoftë në përkthimet apo edhe në fjalorët e tij duket shpirti poetik.
Do të vazhdoni në të ardhmen me ribotime të tjera?
Në një kohë të mëvonshme dua të ribotoj dramën “Hijet e Natës”. Janë të shumta përkthimet që mund të ribotohen, aq sa është shumë e vështirë t’i përzgjedhësh. Megjithatë, ekonomia e tregut bën punën e vet, e ndonëse librat janë shumë të bukur nuk i njohin, nuk i blejnë. Për më tepër, këta shkrimtarë lihen pas dore edhe nëpër programet shkollore.
E gjitha kjo punë ka qenë një sipërmarrje e juaja. ç’do të kishte ndodhur me veprën e Kokonës në të kundërt?
Për fat të keq, përkujdesja ndaj veprës mbetet një iniciativë private. Po kështu mbeten edhe përvjetorët. Sigurisht që do të ishte mirë që shteti të kujdesej për këto figura. Nëse unë nuk do të isha kujdesur për veprën e tim eti, besoj se do të kopjohej, do të përdorej vepra e tij ashtu siç ka ndodhur në disa raste këto kohët e fundit.
Ju keni bërë prezente disa raste plagjiature. Vazhdoni ende të keni probleme të tilla?
Së fundmi kam pasur problemin e një fjalori shprehjesh frëngjisht-shqip, përgatitur nga Nonda Varfi dhe tashmë është një çështje me të cilën po merret gjykata. Po ashtu, probleme të tilla ka edhe me “Ana Kareninën”, sepse Jorgji Doksani ka marrë shumë nga përkthimi i Kokonës duke e risjellë këtë roman në një vëllim të vetëm e duke censuruar edhe vetë Tolstoin duke i hequr paragrafë. Problemi vazhdon, nuk e di se kur do të binden njerëzit që nuk duhet t’ia marrin punën tjetrit.