E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregasi: “Ëndërroj të zë vendin e Beqajt në Kombëtaren shqiptare”

Jetmir Halilaj

Pantallona të shkurtra, sy të zinj, flokë të zeza dhe një trup gjigant, që nuk ka lidhje fare me moshën e një 16-vjecari. Ky është Deljan Bregasi, portieri shqiptar nënkampion Italie me të rinjtë e Sampdorias. Nga pamja e jashtme nuk ka lidhje fare me idhullin e tij Artur Boruk, portierin e Sëlltik Gllazgou, por treguesit premtojnë për një të ardhme të madhe të talentit, ndoshta më e mirë se ajo e futbollistit polak. "Dhe të mendosh që e kam nisur aventurën time si portier sepse nuk kisha dëshirë të vrapoja gjatë gjithë kohës si gjithë të tjerët",- është batuta e 16-vjecarit, që shpreson të veshë fanellën kuqezi në të ardhmen. "E kam nisur futbollin sepse më ka shtyrë babai, por nuk është se isha i fiksuar pas këtij sporti deri pak vite më parë. Më pas një specialist më tha se unë mund ta bëja shumë mirë rolin e portierit dhe nëse përkushtohesha mund të bëhesha dikush",- ka thënë Bregasi në një intervistë për "Panorama Sport". Kështu e ka nisur edhe Erjon Bogdani karrierën, dhe sot është padyshim një ndër lojtarët më të mirë që ka nxjerrë futbolli shqiptar. "Bogdani dhe Tare janë dy idhuj për mua. Ata kanë mundur t'ia dalin mbanë dhe unë shpresoj që të eci në gjurmët e tyre në një kampionat të vështirë se ai italiani",- ka Bregasi.
Familja
Bregasi jeton prej 10 vjetësh në Itali bashkë me familjen e tij. Babai ka qenë shtytësi kryesor për t'iu futur futbollit seriozisht dhe me sa duket ka pasur të drejtë, pasi djali i tij është shpallur nënkampion Italie sezonin që shkoi me të rinjtë e Sampdorias dhe aktualisht cilësohet si një ndër lojtarët më me perspektivë të klubit xhenovez. "Jam i kënaqur që gjërat kanë ecur mirë – ka thënë Bregasi. – Qëllimi im është që të mund të arrij dicka të rëndësishme në këtë profesion. Kam ende kohë për ta bërë një gjë të tillë dhe po punoj që në të ardhmen të luaj në një klub të rëndësishëm. Gjithcka që kam arritur deri tani e kam prej familjes time dhe shpresoj që një ditë të mund t'ua shpërblej të gjitha sakrificat që kanë bërë për mua".
Futbolli
Deljan Bregasi ka zgjedhur kampionatin më të vështirë për t'u bërë portier, atë italian, por ai mendon se mund t'ia dalë mbanë. "E di që italianët shquhen për mbrojtës dhe për portierë, por të mos harrojmë se edhe Dida, Hulio Sezar, Doni dhe Ujkani nuk janë italian, por mbrojnë portat e skuadrave të huaja. Ndoshta është herët për të folur për skuadra si Milani dhe Interi, por të gjithë e kanë një ëndërr". Në fakt ëndrra e Bregasit është që të veshë një ditë fanellën e Interit. "Kështu do të kisha mundësi që të luaja edhe me Kombëtaren shqiptare",- ka thënë talenti. Kam zili Arjan Beqajn dhe të gjithë ata që veshin fanellën e Kombëtares. Kam parë cdo ndeshje të kuqezinjve gjatë këtij edicioni dhe nuk kam për ta harruar asnjëherë paraqitjen e Beqajt në ndeshjen me Bullgarinë. Shpresoj që edhe unë të jem pjesë e përfaqësueses shqiptare në të ardhmen",- ka thënë Bregasi.

Kush është?
Deljan Bregasi ka lindur në Durrës më 22 janar të vitit 1992 dhe kur ishte pesë vjec, familja e tij emigroi drejt Italisë. Është 194 cm i gjatë dhe aktualisht një ndër të rinjtë më të spikatur të klubit të Sampdorias. Bregasi është portieri i parë i skuadrës së të rinjve dhe shumë shpejt mund të grumbullohet edhe me ekipin e dytë të klubit xhenovez. Lojtari u shpall në fund të sezonit që shkoi nënkampion Italie me Sampdorian, teksa ekipi i tij u mund me penallti nga Roma. Bregasi arriti të priste edhe një penallti, por dy nga shokët e tij gabuan përballë portierit kundërshtar. Bregasi ka shprehur dëshirën që të luajë me të rinjtë e Kombëtares shqiptare në të ardhmen.

Reflekset
Arma më e fortë e Deljan Bregasit janë reflekset. "Ndoshta duhet të përmirësohem edhe më shumë në daljet e gjata. Deri tani kam marrë komplimente vetëm për reflekset që kam",- ka thënë Bregasi. Lojtari ka shkëlqyer sezonin e kaluar, duke u cilësuar si një ndër lojtarët më të mirë të grup-moshave, ku merrte pjesë skuadra e tij.

E ardhmja
Bregasi nuk ka ende një kontratë me klubin e Sampdorias, sepse është ende nën moshë. Ai është në pronësi të këtij klubi, por deri tani nuk ka mundur të lidhë një kontratë financiare, pasi këtë gjë mund ta bëjë vetëm pasi të ketë mbushur 19 vjec. "Shpresoj që të më mbajnë. Dua të luaj disa vjet me këtë skuadër",- ka thënë ai.

Idhulli
Artur Boruk, portieri i Sëlltik Gllazgout, është idhulli i Deljan Bregasit. "Ai është fantastik në daljet e gjata dhe përvec kësaj është edhe shumë i guximshëm. Më kujtohen ndeshjet me Milanin sezonin që shkoi. Ishte vërtetë i mrekullueshëm",- ka thënë Bregasi, i cili pëlqen shumë edhe Arjan Beqajn.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›