Gafa në wikipedia, rekordi kuqezi 8-0 me kombëtaren e Guam

Nga Leonard Karaj
Kombëtarja shqiptare paskësh një rekord "sekret", por që fatkeqësisht nuk gjen konfirmim nga protagonistët. Sipas sajtit të internetit wikipedia rekordi i fitores më të thellë të përfaqësueses shqiptare është regjistruar më 23 janar 1994, teksa fitonte ndaj kombëtares së Guam me rezultatin 8-0. Ndeshja paskësh qenë një miqësore e zhvilluar në Tiranë. Madje, fiks pas tre vjet e nëntë muajsh, gjithmonë sipas këtij sajti interneti, kuqezinjtë kanë udhëtuar drejt ishullit të paqësorit për të luajtur një tjetër ndeshje miqësore me këtë përfaqësuese. Edhe më 23 shtator 1997 teksa kombëtarja shqiptare drejtohej nga Astrit Hafizi paskësh fituar me rezultatin 8-0. Por ja që rekordi kuqezi edhe pse në këtë rast pozitiv nuk gjen konfirmim nga drejtuesit e atëhershëm të ekipit tonë kombëtar. I pyetur nga gazeta "Tirana Observer", ish-trajneri i kombëtares shqiptare të asaj periudhe, Bejkush Birce ngre supet me habi teksa mundohet të pyes edhe veten nëse ekziston një vend në botë me këtë emër. Profesor Birce ka drejtuar ekipin kombëtar nga 30 marsi 1991 deri më 14 maj të 1994, ndërsa ndeshja, sipas sajtit, është luajtur më 23 janar 1994, pra katër muaj para se ai të linte postin e trajnerit të kuqezinjëve. "Në radhë të parë mund t'ju them se nuk njoh ndonjë shtet me këtë emër. Së dyti mohoj kategorikisht që në atë kohë të kemi luajtur një ndeshje miqësore me një ekip enigmë të ishujve të paqësorit. Nuk besoj se kjo është e vërtetë, mendoj se do të jetë ndonjë gafë, pasi nuk kemi luajtur me atë përfaqësuese", ka thënë ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Bejkush Birce.
Ndërkohë edhe takimi miqësor mes Shqipërisë dhe Vietnamit gjatë turneut të Norcias në Itali, në shkurt të 2003-it, sipas sajtit ka përfunduar me rezultatin 8-0 për kuqezinjtë dhe jo 5-0 sikundër është deklaruar nga Federata Shqiptare e Futbollit asokohe. Gafës së wikipedia-s i vinë në ndihmë edhe statistikat e federatës botërore të futbollit (FIFA), sipas së cilës nuk rezulton të jetë luajtur asnjë takim, qoftë edhe jo zyrtar midis kombëtares shqiptare të futbollit dhe asaj të Guamit.
Gafa në wikipedia reagon FSHF: "Nuk kemi luajtur me Guam,
do verifikojmë gabimin"
As Federata Shqiptare e Futbollit nuk konfirmon faktin se kombëtarja shqiptare ka luajtur ndaj përfaqësueses së Guam. Një ditë pas publikimit në gazetën "Tirana Observer" të gafës së wikipedia mbi rekordin e "ri" të kombëtares kuqezi, zëdhënsi për shtyp në FSHF ka mohuar kategorikisht që Shqipëria të ketë fituar ndonjëherë një takim me rezultatin 8-0, cka do të ishte edhe rekordi i kuqezinjve. "Do të jetë ndonjë gafë e atyre që merren me statistikat pasi kombëtarja shqiptare nuk ka lujatur me këtë përfaqësuese. Natyrisht, federata nuk është se merret me të tilla lapsuse në faqet e internetit por gjithsesi do ta verifikojmë dhe të shikojmë që ata që e kanë shkruar ta korrigjojnë", ka thënë Nurishmi. Sipas sajtit të internetit wikipedia rekordi i fitores më të thellë të përfaqësueses shqiptare është regjistruar më 23 janar 1994 teksa fitonte ndaj kombëtares së Guam me rezultatin 8-0. Ndeshja paskësh qenë një miqësore e zhvilluar në Tiranë. Madje fiks pas tre vjet e nëntë muajsh, gjithmonë sipas këtij sajti interneti, kuqezinjtë kanë udhëtuar drejt ishullit të paqësorit për të luajtur një tjetër ndeshje miqësore me këtë përfaqësuese. Edhe më 23 shtator 1997 teksa kombëtarja shqiptare drejtohej nga Astrit Hafizi paskësh fituar me rezultatin 8-0.
Kush është Guam, ishulli "i humbur" i Paqësorit
Guam është një shtet-ishull në Paqësorin perëndimor i mbikëqyrur (koloni) nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Madje edhe presidenti i këtij shteti është Xhorxh Bush, presidenti aktual i SHBA-së. Në ishull ka një gurvenator, i cili emërohet nga presidenti i SHBA-së. Sipas të dhënave, banorët e Guam janë më të hershmit (rreth 6 mijë vjet më parë) në ato ishuj të paqësorit. Kryeqytet është Agana, ndërsa ekonomia suportohet kryesisht nga turizmi. Sipërfaqja e Guma është 543.52 km², me një popullsi prej 170 mijë banorësh. Federata e futbollit është themeluar më 1975 dhe vetëm më 1996 është bërë pjesëtare e FIFA-s. Kombëtarja e Guam është e vetmja në botë që ende nuk ka fituar një ndeshje ndërkombëtare. Ndërsa humbjen më të thellë e ka regjistruar më 11 mars 2005 ndaj Koresë së Veriut me rezultatin 21-0.