E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregdeti i Jugut, qeveria merr hua 20 milionë USD për ndërtimin e rrugëve

Kontrata me IDA-n për rrugët dytësore të vendit

Habjon Hasani
Qeveria shqiptare ka nënshkruar një kontratë huaje me Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), në vlerën e 20 milionë dollarëve, për ndërtimin e rrugëve dytësore. Nisur nga termat e kësaj kontrate huaje prioritet do të kenë rrugët të cilat nga studimi i fizibilitetit do të rezultojnë me perspektivë të shëndoshë ekonomike. Duket se sikurse përshkruhet në kontratë, një privilegj të veçantë do të kenë rrugët të cilat përfshihen në “Planin e integruar të bregdetit të Jugut”, i cili është një projekt i përfunduar dhe i investuar nga Banka Botërore dhe qeveria shqiptare në krye të së cilit është z. Jamarbër Malltezi. Pikërisht ky projekt shikohet si më prioritari në termat e kësaj kontrate huaje me afat 20-vjeçar. Nëse u referohesh termave të këtij projektvendimi të qeverisë, rezulton se kjo hua u referohet kushteve të lehta duke u klasifikuar si një kredi e butë. Sakaq, kontrata parashikon hartimin e disa projekteve për rrugët dytësore, ku në fund të analizës do të përzgjidhen ato studime të cilat ofrojnë perspektivën më të mirë të zhvillimit. Nisur nga fakti se deri sot ekziston vetëm një projekt i kompletuar dhe i përfunduar për rrugët dytësore, e që i takon “Planit për zhvillimin e bregdetit të Jugut”, atëherë përfshirja e këtij bregdeti në termat e kontratës i jep automatikisht një avantazh dhe përparësi këtij projekti.
Projekti
Në kuadrin e këtij projekti, në prill 2005, qeveria shqiptare vendosi të vinte një moratorium deri në miratimin e planit për zhvillimin e bregdetit Jugor në lidhje me lejet e ndërtimit dhe miratimin e studimeve pjesore të planifikimit urban për bregdetin jugor (p.sh. toka në zona rezidenciale dhe urbane jashtë zonave të urbanizuara dhe ku mund të kishte akses për shërbime). Përfaqësia e Bankës Botërore në Tiranë shpreh opinionin e vet se, në lidhje me zbatimin e këtij plani dhe në veçanti me zhvillimin e zonave turistike, për qeverinë do të ishte e udhës që, pas përfundimit të planit të lartpërmendur, ajo të ndiqte një proces konkurrues dhe transparent, ku të ftohej sektori privat të kryente investime në bregdet sipas ligjit të miratuar së fundi për koncesionet. Gjatë qeverisjes nga koalicioni i majtë u caktua një kompani e përbashkët francezo-sllovene për të realizuar projektin. Ashtu siç ka ndodhur edhe në rastin e projekteve të tjera me rëndësi të madhe për ekonominë kombëtare, dyshimet për lidhje korruptive midis qeveritarëve të atëhershëm dhe kompanisë në fjalë bënë që afati i realizimit të studimit të shtyhej shumë në kohë. Afati i parë parashikonte që gjithçka të kryhej në gjashtë muaj. Bllokimi i studimit ka penguar dy vjet dhënien e lejeve për sektorin privat, që do të bënte të mundur fillimin e investimeve në drejtim të zhvillimit të turizmit në zonën që parashikohet të sjellë të ardhurat më të larta nga ky aktivitet. Ndërkohë, këtu kanë lulëzuar ndërtimet pa leje, që mund edhe të legalizohen, sipas ligjit më të ri në fuqi në këtë fushë.
Bregdeti
Menjëherë pas ardhjes së demokratëve në pushtet, në krye të këtij projekti u vu dhëndri i kryeministrit, z. Jamarbër Malltezi. Pak muaj më parë projekti u shpall i përfunduar dhe tashmë pritet vetëm zbatimi i tij, pjesë e të cilit është dhe ndërtimi i rrugëve dytësore që mundësojnë mbërritjen në pikat turistike që ka piketuar projekti i integruar. Plani do të përfshinte të gjithë kuadrin e investimeve në infrastrukturë, udhëzime për zhvillimin e fshatrave bregdetare, hartat e infrastrukturës etj. Ministri Pango theksoi pak javë më parë se praktika e ndjekur në këtë plan dallon nga të mëparshmet, pasi u është referuar standardeve europiane. Dokumentet e këtij plani ishin në dispozicion të shqyrtimit dhe komenteve nga publiku përgjatë një periudhe 1-mujore. Në mes të janarit 2008 u organizua dhe seanca e dëgjimit publik, ku konsulentët dhanë komente dhe sqarime rreth pyetjeve të paraqitura nga publiku. Në projektin për zhvillimin e bregdetit jugor të Shqipërisë parashikohet ruajtja e vlerave thelbësore natyrore dhe kulturore të rajonit, duke përfshirë mjediset tokësore, detare dhe ekosistemet. Turizmi, së bashku me tregtinë shoqëruese dhe me shërbimet plotësuese, është planifikuar si sektor udhëheqës i ekonomisë rajonale dhe si katalizatori kryesor i rritjes së ekonomisë. Në këtë kontekst parashikohet krijimi i lehtësive për biznesin, një klimë transparente investimesh, duke përfshirë procedurat e drejtpërdrejta të lejeve, si dhe një mjedis të qartë ligjor dhe rregullator.

BOX
Patenta e së ardhmes do të jetë me pikë krediti për gabimet

Hartimi i strategjisë pesëvjeçare të transportit rrugor nga Ministria e Transporteve duket se ka nxjerrë në pah një “plan të dëshiruar” shumë nga disa zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare. Ky plan i hartuar nga Ministria e Transporteve parashikon ndër të tjera zhvillimin e transportit rrugor, ku natyrisht sistemi i patentave zë vendin e vet. Në relacionet dhe mendimet përkatëse të ministrive lidhur me këtë strategji, spikat një kërkesë e zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, i cili këshillon që për sistemin e patentave të tentohet që në pesë vitet e ardhshme të aplikohet sistemi me pikë. “Lidhur me një nga politikat e synuara për sigurinë rrugore: ‘...pajisja me leje drejtimi nëpërmjet rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe testimeve të kandidatëve për drejtues mjetesh...’ jemi të mendimit që kjo politikë duhet të synojë arritjen e standardeve të aplikuara për këtë qëllim në shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ku është aplikuar “patenta me pikë”, e cila ka dhënë rezultate të dukshme në reduktimin e aksidenteve rrugore dhe në disiplinimin e përdoruesve të mjeteve rrugore”, - shkruan zëvendësministri Shehu. Por, në përgjigjen e tij lidhur me konsiderimin e kësaj kërkese, ministri Olldashi nuk ka fshehur dëshirën për ta aplikuar si sistem, duke shtuar se një sistem i tillë kërkon edhe një infrastrukturë të madhe për prodhimin dhe kontrollin mbi këtë model patentash. Olldashi ka shtuar se përfshirja e këtij tipi patente në strategjinë pesëvjeçare është pa dyshim një synim i dobishëm, por për këtë duhet një projekt më i qartë duke qenë se aplikimi i këtij sistemi kërkon në radhë të parë financime të mëdha, por edhe linja të reja prodhimi.

BOX
Si funksionon patenta me pikë

Patenta me pikë është vënë në fuqi për herë të parë në Itali, në vitin 2003. Sipas ligjit të atëhershëm, çdo patentë ka 20 pikë, ndërsa disa shkelje të Kodit Civil të Qarkullimit Rrugor do të ndëshkohen me heqjen e pikëve. Kur humben të gjitha pikët duhet të jepet dhe njëherë provimi teorik e praktik i patentës, por pikët mund dhe të fitohen përsëri. Disa nga shkeljet që i heqin patentës 10 pikë janë: shpejtësi e lartë mbi 40 km në orë; kalim në krahun e kundërt të rrugës kur automjeti është në kthesë, rrugë me dy korsi, ose me pamje të kufizuar; parakalim në kthesë, kryqëzime, malore ose me pamje të kufizuar; parakalim tramvaji ose filobusi të ndaluar, ose të automjeteve të tjerë të ndaluar në radhë; parakalim në kryqëzimet e trenit ose te vijat e bardha; parakalim i një mjeti që është duke parakaluar një tjetër automjet; retro marsh në autostradë; ecje në korsinë e emergjencës ose në korsinë e rritjes së shpejtësisë në autostradë; drejtimi i makinës kur personi është i dehur ose nën efekt të drogës; largim nga vendi i aksidentit dhe dëmtimi i personave.
Disa nga shkeljet që të heqin 6 pikë janë: të mos ndalohesh te stopi; kalim kur semafori është i kuq ose i verdhë; të kalosh një kryqëzim treni kur semafori është i kuq. Disa nga shkeljet që heqin 5 pikë janë: mospërdorimi ose mosfunksionimi i rripit të sigurisë; shkelje në lidhje me rripat e sigurisë për pasagjerët e mitur; mospërdorim ose mosfunksionim i karrikëzave të fëmijëve; drejtimi i motorit pa kaskë ose me kaskën e palidhur; drejtimi pa syze, lente kontakti kur janë të këshilluara nga mjeku; përdorim i celularit pa aurikolar; mosdhënia e hapësirës së kalimit për kalimtarët mbi vijat e bardha dhe personave me handikap. Një nga shkeljet që të heqin 2 pikë është: të qarkullosh në autostradë me mjete që nuk arrijnë limitin minimum të shpejtësisë.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›