E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria firmos protokollin për anëtarësimin në NATO



Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka firmosur dje në Bruksel, në emër të qeverisë shqiptare, protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky protokoll është firmosur dhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer. Firmosja e protokollit vjen vetëm tre muaj pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, i cili u mbajt në muajin prill të këtij viti. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim Basha tha se firmosja e këtij protokolli shënon kurorëzimin e përpjekjeve të gjata dhe të vendosura të Shqipërisë si dhe kurorëzimin e arritjeve të saj. Më tej Basha renditi arritjet e Shqipërisë në kuadër të përmbushjes së kritereve për të fituar anëtarësimin në NATO. “Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në të gjitha reformat e saj. Ajo ka forcuar institucionet e saj demokratike dhe ka konsoliduar shtetin ligjor. Ekonomia shqiptare gëzon një rritje nga më të shpejtat në rajon, me potenciale të mëdha për të ardhmen. Klima e biznesit është mjaft e favorshme dhe gjithnjë e më tërheqëse për investitorët e huaj. Reformat elektorale dhe juridike po zhvillohen shpejt, me një mbështetje të madhe të konsensusit politik. Shqipëria është shtyllë e stabilitetit në rajon. Politika e jashtme e Shqipërisë rrezaton moderim, dialog dhe bashkëpunim rajonal, si vlera të saj thelbësore”, - është shprehur Basha, ndërsa ka theksuar se shqiptarët besojnë dhe mbështesin fuqimisht projektin europian dhe euro-atlantik të rajonit. Ai gjithashtu theksoi se qeveria shqiptare dhe i gjithë faktori politik shqiptar është i vendosur për të ecur më tej në rrugën e reformave. Edhe kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, përshëndeti nënshkrimin e Protokollit të Aderimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke e cilësuar këtë një ditë historike për kombin shqiptar. “Sot e tutje Shqipëria do të përfaqësohet në të në të gjitha nivelet në tryezat e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ne do të punojmë shumë të meritojmë sa më shpejt të jetë e mundur anëtarësimin e plotë. Por që nga ky moment përfaqësuesit e vendit dhe kombit tonë do të ulen në të gjitha takimet dhe tryezat e kësaj Aleance”, - është shprehur Berisha.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›