E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjunjëzohet Alibeaj, “dorëzon” gjyqtarët që falën Delijorgjin

Por ministri paralajmëron betejë me zëvendëskryetarin e KLD-së

Habjon Hasani
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka propozuar që të shkojnë për ndjekje penale tre gjyqtarët që shkarkuan nga përgjegjësia Mihal Delijorgjin gjatë çështjes së disa viteve më parë, në të cilën ai akuzohej për evazion fiskal. Pas një maratone mediatike të konfliktit mes Alibeajt dhe zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, ministri duket se ka konstatuar shkelje nga ana e gjyqtarëve, pasi ekspertët e tij vartës i kanë çuar relacionin. Megjithatë, dje, ministri i Drejtësisë paralajmëroi vazhdimin e betejës me Spahiun. “Ministri i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Drejtësisë shkarkim nga detyra të tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Ushtarak si dhe deklaron se do të paraqesë për ta kallëzim penal në prokurori. Është dita e njëmbëdhjetë mbas daljes sime në një konferencë shtypi, në të cilën ju njoftova se kisha filluar procedimin disiplinor për tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Ushtarak për një çështje verifikimi të zhvilluar nga Këshilli i Lartë të Drejtësisë, që u kisha lënë 10 ditë kohë për të marrë të gjitha pretendimet dhe observimet ndaj materialit verifikues dhe në respekt të plotë të ligjit të kërkesave, garancive që gjyqtarëve ligji u jep, sot kam për t’ju njoftuar propozimin përkatës në lidhje me masat që do t’i paraqes Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, - ka deklaruar dje Alibeaj.
Dosja
Ministri është shprehur dje se mbas studimit të materialit dhe mbas pritjes të pretendimeve edhe të gjyqtarëve, ai vendosi që Këshillit të Lartë të Drejtësisë t’i propozonte, në mbledhjen më të afërt, masat për këta gjyqtarë. “Gjyqtarët Shaqir Gradica, Naum Pejo e Ylli Minka, gjyqtarët të Gjykatës së Apelit Ushtarak propozohen me masë disiplinore, shkarkim nga detyra. Jo vetëm kaq, por edhe në përmbushje të detyrimit ligjor që çdo qytetar i Republikës ka aq më tepër një funksionar publik sa herë që ndodhet përballë një fakti që përbën vepër penale, jam i detyruar që për të tre gjyqtarët të paraqes kallëzim penal pranë organit të Prokurorisë për shkelje të ligjit “Për shpërdorim të detyrës”, - konfirmoi Alibeaj duke shtuar se kallëzim penal do të bëhet për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që do të dalin me shkelje nga raportet e inspektimit.
Përplasja
Por ndërsa ka “larë hesapet” me tre gjyqtarët e atakuar publikisht nga zv.kryetari i KLD-së, Spahiu, ministri Alibeaj ka theksuar se do të vazhdonte të ndiqte dhe të insistonte në kërkesën e tij për verifikimin e legjitimitetit të këtij veprimi nga ana e Spahiut. “Jam këtu për t’ju sqaruar edhe për ata çfarë ndodhi në mbledhjen e kaluar të KLD-së. Mbi kërkesën që ministri i Drejtësisë i paraqiti Presidentit të Republikës në lidhje me verifikimin e ushtrimit të mandatit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtës, anëtarit që mban postin e zëvendëskryetarit. Veprimtaria e z. Spahiu nuk është thjesht dhe vetëm tejkalim i kompetencave të veta ligjore dhe ndërhyrje në marrëdhëniet institucionale dhe politike mes qeverisë dhe Këshillit të lartë të Drejtësisë, midis Ministrisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por një proces i tillë verifikimi do të nxjerrë në pah fakte dhe informacione të tjera shtesë që rëndojnë mbi z. Spahiun”, - ka deklaruar dje Alibeaj. Ministri ka sqaruar se votimi i KLD-së ishte kundër frymës që duhet të kenë organet e Drejtësisë për të garantuar paanshmëri dhe legjitimitet, ndërsa është shprehur se: “Të votosh kundër rendit të ditës të propozuar nga Presidenti i Republikës, të votosh kundër dispozitave ligjore, të cilat në mënyrë automatike e detyrojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë të ngrejë komisionin e verifikimit, të kryejë një procedurë verifikimi dhe të dalë me një rezultat sipas verifikimit, është shkelje e hapur ligjore”.

BOX
Delijorgji: “Kreshnik Spahiu më bëri gjyq publik”

Edhe pse në qeli, ku pas masës së sigurisë “burg pa afat” për ngjarjen e rëndë të 15 marsit të këtij viti, Mihal Delijorgji u ka dërguar një letër të hapur drejtuesve të shtetit, duke nisur nga presidenti Bamir Topi, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kryeprokurorja Ina Rama dhe Avokati i Popullit, Ermir Dobjani. Në këtë letër Delijorgji sulmon nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, duke e akuzuar se po shkel procedurat dhe se ka uzurpuar institucionin e KLD-së. Duke pretenduar se po shkelet pavarësia e Gjyqësorit, Mihal Delijorgji ka deklaruar se masat për gjyqtarët i merr KLD-ja dhe se ai nuk ka faj për ngjarjen e Gërdecit. Në vijim të kësaj deklarate, në letrën e tij Delijorgji ka kërkuar që gjykimi i çështjes së tij të bëhet vetëm nga Gjykata e Lartë, pasi, sipas tij, gjykatat e tjera janë të varura dhe cenojnë gjykimin e drejtë. Në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, Delijorgji ka thënë se është i pafajshëm, por, nga ana tjetër, e ka akuzuar median se ka mbajtur një qëndrim jo civil ndaj tij. Mihal Delijorgji vazhdon të deklarojë se nuk ka lidhje me politikanët dhe familjarët e tyre. Për gjyqtarët që falën Delijorgjin ka pasur dy ditë më parë edhe një përplasje deklaratash të ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu.

BOX
PDK: Drejtësia nën sulmet dhe presionin e politikës

Partia Demokristiane shprehu dje shqetësimin e saj lidhur me vonesat e Reformës Parlamentare në Sistemin të Drejtësisë dhe përpjekjet e dy partive më të mëdha në vend, për të politizuar dhe futur nën kontroll institucionet e drejtësisë. “Gjatë javëve të fundit, për fat të keq, janë rritur presionet e politikës ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të institucione të tjera të Drejtësisë. Është e papranueshme që Prokuroria e Përgjithshme vihet para presioneve të vazhdueshme dhe bëhet objekt sulmesh nga segmente të caktuar të politikës apo institucione të tjera, duke vështirësuar reformën dhe funksionimin normal të këtij institucioni. Tendencat për të rritur kontrollin e politikës mbi institucionet e Drejtësisë u vërejtën qartë edhe gjatë bllokimit dhe rrëzimit politik të dekreteve të presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë”, -thuhet në deklaratën për shtyp të PDK-së. Sipas PDK-së, qëndrime të tilla janë në kundërshtim të hapur me parimet dhe ligjet e shtetit të së drejtës dhe përcjellin një mesazh negativ për partnerët tanë ndërkombëtarë, por edhe qytetarëve të këtij vendi. “PDK i kërkon Presidentit të Republikës që në respekt të Kushtetutës së vendit, të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese dhe të largojë nga institucionet e Drejtësisë të gjitha ata prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës të tjerë të këtij sistemi që në vendimet e tyre nuk udhëhiqen nga ligji, por nga urdhrat politikë”, - thekson PDK-ja në deklaratë.
PDK-ja, si një parti që beson në vlerat themelore kristiane të lirisë solidaritetit, humanizmit dhe të drejtësisë, mendon se ndërtimi dhe funksionimi i shtetit ligjor është detyrim madhor i kësaj maxhorance. Ne kemi mbështetur dhe do të mbështesim çdo iniciativë dhe çdo përpjekje që rrit pavarësisë e sistemit të drejtësisë nga politika dhe garanton funksionimin e ligjit dhe të Kushtetutës.
Në këtë kuadër, PDK-ja ripërsërit kërkesën e arsyeshme dhe emergjente që të funksionojë tryeza e partive politike të koalicionit qeveritar. Grupet parlamentare duhet të konsultohen paraprakisht përpara sesa në seancë parlamentare të vihen përpara faktit të kryer dhe ndonjëherë, përpara marrëveshjeve e pazareve të fshehta apo publike, që cenojnë vizionin politik të vetë maxhorancës dhe angazhimeve të saj për reforma dhe integrim euroatlantik.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›