Meta aplikon për kartë identiteti: Të subvencionohen shtresat në nevojë
Kreu i LSI-së i kërkoi dje qeverisë të subvencionojë sa të jetë e mundur ato shtresa të shoqërisë që nuk kanë mundësi ekonomike për të paguar tarifën e kartës së identitetit. “Unë dua t’i kërkoj Qeverisë shqiptare të subvencionojë në maksimumin e mundshëm të gjithë ato shtresa të shoqërisë dhe të popullsisë sonë, që janë në gjendje të rënduar ekonomike për shkak të të ardhurave fare të pakta dhe të rritjes së kostos së jetesës, pasi duhet të kemi parasysh që një familje që i duhet të marrë katër apo pesë karta identiteti, kostoja e këtij procesi është shumë e lartë dhe e papërballueshme, sidomos ato kategori të shoqërisë që jetojnë në zonat rurale, në zonat e thella, apo ato kategori të shoqërisë që sot gjenden pa punë dhe pa mundësi për të përballuar edhe koston e këtij procesi”, u shpreh kreu i LSI-së. Ilir Meta bashkë me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, aplikuan dje në njësinë bashkiake nr.7 për kartë identiteti. Me këtë rast Meta i bëri një apel të gjithë qytetarëve që të aplikojnë për kartën e identitetit, jo vetëm si një standard për zgjedhjet e 28 qershorit, por dhe për proceset integruese të vendit. “Me këtë rast dua t’ju bëj një mesazh të gjithë qytetarëve të këtij vendi që të aplikojnë për karta identiteti, pasi ky është një proces shumë i rëndësishëm, jo vetëm për të garantuar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 28 qershor, por mendoj se pajisja me kartë identiteti është një kontribut që çdo qytetar realizon për të pasur të gjitha shërbimet që ai kërkon nga shteti i tij, por është dhe një kontribut për të forcuar sigurinë e të gjithë vendit dhe sigurinë e çdo qytetari shqiptar. Është gjithashtu dhe një detyrim në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit tonë”, tha Meta.