PD: S’do njohim lejet që dha Rama të dielën
Partia Demokratike nuk do të njohë lejet e ndërtimit të dhëna në mbledhjen e fundit të KRT-së që u mblodh të dielën. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi tha dje në një konferencë për shtyp se, “Grupi parlamentar i PD-së dënon këtë akt amoral e të paligjshëm, si një mega korrupsion të z. Rama, si dhe informon ndërtuesit, të cilët kanë marrë këto leje se praktika e ditës së festës nuk do të pranohet nga kjo shumicë qeverisëse, ndaj do t’i kërkojnë z. Rama që t’u kthejë mbrapsht kaparin dhe ryshfetin që iu kanë dhënë ditën e djeshme”. Sipas tij, “Edi Rama zgjodhi ditën e festës zyrtare, në kundërshtim me të gjitha ligjet e vendit, për të mbledhur KRT-në e tij dhe për të dhënë 30 leje ndërtimi, me të cilat ai përfiton në varësi të vendit të ndërtimit nga 100 mijë euro deri në dy kate ndërtim”. Pas deklaratës së zëdhënësit të grupit parlamentare të PD-së reagoi dje nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalësi. “Zëdhënësi i koalicionit të Gërdecit, Ministri i Oborrit të familjes kryeministrore, nuk mund ta kuptojë se Bashkia e Tiranës punon edhe në ditë feste, ndërkohë që padroni i tij, Sali Berisha vetëm shan dhe shpif”, tha Shalësi. Sipas numrit dy të Bashkisë së Tiranës, e vetmja përgjigje ndaj këtyre shpifjeve është shërbimi ndaj qytetarëve. “Detyra jonë është të punojmë dhe t’u shërbejmë qytetarëve, ndërsa puna e vetme që dinë të bëjnë zëdhënësit e koalicionit të Gërdecit, është të lexojnë sharjet dhe shpifjet që u dikton padroni i tyre Sali Berisha, të cilit po i rrëshqet çdo ditë toka nën këmbë dhe i cili rrëshqet përditë e më poshtë, në llumin e shpifjeve dhe sharjeve, që dëshmon dëshpërim dhe mungesë të plotë arsye”, u shpreh dje Shalësi në përgjigje të Bumçit.