Bregdeti shqiptar Partia Socialiste e shqetesuar per ndertimet pa leje
Kryesocialisti Rama thirri në një tryezë deputetët dhe kryetarët e bashkive të zonave bregdetare, për të ndarë shqetësimet mbi gjendjen e bregut të Shqipërisë. Ndërtimet pa leje ishin fenomeni më shqetësues që nënvizuan pjesëmarrësit.
Uzurpimi i vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje, ishte shqetësimi që socialistët e mbledhur nga kryetari Rama ndanë me njëri-tjetrin.
Përballë deputetëve dhe kryebashkiakëve të zonave bregdetare, Rama theksoi se kjo gjendje nuk do të tolerohet më.
Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, njoftoi prishjen së shpejti të 130 objekteve pa leje në bregun e qytetit të tij. Ndërsa theksoi si shqetësues edhe diskot pranë vijës bregdetare.
Koço Kokëdhima në rolin e deputetit të ri, kërkoi që kush bëhet palë me shkelësit e ligjit të vihet para drejtësisë.
Një bashkëpunim më i ngushtë me policinë e shtetit dhe bashkërendimi I punëve mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore, ishte apeli kryesor i pjesëmarrësve në kryezën e socialistëve kushtuar bregdetit.