E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Bojkoti i opozitës mbajti peng 12 rekomandimet e Brukselit – kemi nisur punën

10-12-2011 / Gazeta 55

Avokati i Popullit, përzgjedhja të realizohet mbi baza depolitizimi

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh dje gjatë takimit të IV të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE – Shqipëri se mazhoranca dhe opozita kanë hedhur hapa konstruktivë, drejt bërjes së reformave. Sipas saj, fundi i bojkotit të opozitës i hap rrugën përmbushjes së 12 pikave të Brukselit dhe progresit të mëtejshëm të vendit drejt BE-së. “Ky takim zhvillohet në një tjetër klimë politike, pasi Kuvendi miratoi me konsesus të gjerë vendimin për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, vendimin për Konferencën e Kryetarëve në lidhje me ngritjen e një grupi pune parlamentar për Rregulloren e Kuvendit dhe përgatitjen e një kalendari për shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5.
Fundi i bojkotit të opozitës i hap rrugën përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të KE-së si edhe progresit të mëtejshëm të vendit tonë në rrugën e integrimit europian. Sidoqoftë, arritjet e reformave që nga takimi i fundit i Komitetit, nuk duhet të eklipsohen prej ngërçit politik të krijuar nga opozita dhe që zgjati deri pas publikimit të progres-raportit 2011”- u shpreh Bregu. Duke iu referuar progres – raportit të Komisionit Evropian për vitin 2011, ministrja e Integrimit tha se Shqipëria ka vazhduar të zbatojë mirë detyrimet e saj në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit falë reformave për hapjen e mëtejshme të tregut dhe harmonizimin e acquis, në përputhje me afatet e përcaktuara në MSA. “Në dritën e rekomandimeve të progres-raportit 2011 për hapjen e negociatave, të 12 prioriteteve të shprehura në Opinionin 2010, si edhe bazuar në zhvillimet e reja politike që demonstruan vullnetin e partive për të bashkëpunuar për të ardhmen europiane të vendit, Qeveria shqiptare dhe në veçanti Ministria e Integrimit është e angazhuar për rishikimin e Planit të Veprimit bashkë me Komisionin Parlamentar për Integrimin Europian, si edhe për planifikimin e aktiviteteve të nevojshme që do të ndihmojnë në krijimin e një “track-record” solid që na shërben për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ndërkohë, kemi bërë progres në zbatimin e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit, në kuadrin e Planit të Veprimit ekzistues, një dokument gjithëpërfshirës ky me masa konkrete për secilin rekomandim. Për sa i përket prioriteteve kyçe (1-5), që kanë natyrë kryesisht politike, i përmenda në fillim të fjalës sime hapat konsensualë pozitivë të ndërmarrë nga forcat politike shqiptare. Fakti që opozita më në fund shpreh vullnetin për bashkëpunim, krijon kushtet për përmbushjen e prioriteteve politike brenda një harku kohor të shkurtër. Gjithashtu, për sa i përket funksionimit të Parlamentit, qeveria e mirëpret dhe është e gatshme të krijojë të gjitha kushtet e nevojshme që i mundësojnë Parlamentit mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të Opinionit. Për emërimin e Avokatit të Popullit, qeveria e përshëndet zgjedhjen e opozitës për të përdorur një proces përzgjedhjeje online dhe pret finalizimin e tij. Ne gjithashtu do të inkurajonim që përzgjedhja të realizohet mbi baza depolitizimi”- tha ajo. Lidhur me liberalizimin e vizave dhe problematikat e mëpasme që shoqëruan procesin, kryesisht me kërkesat e azilantëve për strehim politik në vendet e BE, Bregu tha se autoritetet shqiptare neutralizuan problemin në kohë. “Liberalizimi i vizave ishte njohje e arritjeve në konsolidimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në garantimin e të drejtave të njeriut. Zbatimi i regjimit pa viza ka ecur mirë deri tani. Autoritetet shqiptare e kanë trajtuar me seriozitet problemin e shtimit të kërkesave për azil në pak vende të BE-së gjatë periudhës gusht-tetor. U morën masa të menjëhershme për adresimin e këtij problemi, në bashkëpunim me FRONTEX, Komisionin dhe autoritetet e Shteteve anëtare. Disa nga këto masa ishin: analiza risku, fushata ndërgjegjësimi me fokus zonat dhe kategoritë e rrezikuara, procedimin penal të personave përgjegjës për lëshimin e certifikatave të rreme në lidhje me gjakmarrjen, forcimi i kontrolleve në kufi, si dhe zbatimi rigoroz i marrëveshjes së riparimit me BE-në. Dhe janë arritur rezultate konkrete. Sipas autoriteteve belge, në nëntor ka pasur një rënie prej 300% të kërkesave për azil të qytetarëve shqiptarë (nga 342 në 105 kërkesa)”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›