E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Heqja e imunitetit, titulli i detyrimeve që na kanë mbetur

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi sot se çështja e imunitetit ka shumë rëndësi për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Ajo tha se për më tepër heqja e imunitetit është titulli i kapitullit të detyrimeve që i kanë mbetur vendit për marrjen e statusit kandidat.

E kemi diskutuar në takim me vendet anëtare: çështja është se cilat nga kjo masë kritike e prioriteteve duhet të plotësonim, pra nëse ka kohë deri në fund të shtatorit apo deri në mes të shtatorit kur Komisioni do të mblidhet për të dhënë vendimin pastaj në tetor, apo është shumë vonë. E rëndësishme është që ka mundësi për të bërë një ndryshim. Ne i kemi qëndruar një propozimi, i cili për mua është propozimi madhor i referendumit në pamundësi të një konsensusi. Këtë kam thënë në takim edhe sot, në pamundësi të një konsensusi mes atij kampioni që përfaqëson popullatën dhe që janë politikanët, nuk mund të ketë dhe nuk ka asnjë vendim më të mirë se ai i popullatës në tërësi, tha Bregu.

Dua të them që ky është titulli i pjesës së mbetur të detyrimeve deri në fundshtator. Kjo nuk do të thotë se masat që ne i prezantuam sot para Komisionit dhe që janë vlerësuar në luftën kundër korrupsionit, nuk merren parasysh. Por gjithsesi, është e rëndësishme shprehja e një vullneti madhor nga politikanët në një çështje për të cilën janë të gjithë dakord, për të cilën nuk ka arsye për të kundërshtuar. E rëndësishme për ne sot është të kemi një vendim pozitiv në tetor. Jo një vendim pozitiv i cili është i rëndësishëm për qeverinë, as për mazhorancën sot, por një vendim pozitiv për Shqipërinë. Nëse ende Shqipëria është interesi madhor i të gjithëve, edhe i atyre politikanëve që sot janë në opozitë, ka mundësi të mos kërkojnë shtesë apo detyrime të cilat nuk kanë qenë pjesë e paketës së nëntorit, por të votojnë atë që kanë premtuar, heqjen e imunitetit. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›