E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Pacienti im Enver Hoxha

Mjeku i njohur, Prof. Isuf Kalo tregon në këtë intervistë për JAVA të djeshmen e tij si mjek i Enver Hoxhës, angazhimin në OBSH dhe punën që po bën aktualisht në krye të Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore. A do të ktheheshit sërish në krye të klinikës së Bllokut?… Blloku nuk ekziston më. Nuk janë më as banorët që njoha, konsultova dhe mjekova dikur. Kur kaloj në rrugët e tashme të tij, mbushur me të rinj nëpër klube, kafene dhe qendra argëtimi, them me vete se fat më të mirë për të nuk mund të imagjinohej

Nga Skender Minxhozi

Revista JAVA

Profesor Kalo, prej disa vitesh jeni kthyer në Shqipëri, pas një qëndrimi të gjatë në Perëndim, ku keni punuar pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë. A jeni penduar për kthimin tuaj në atdhe?

Larg retorikës dhe patriotizmit folklorik, do të thoja që ky nuk ishte kthim. Kam parasysh në këtë vargjet e një poetit tonë që thotë se Atdheu fillon tek zemra. Unë zemrën, siç e merrni me mend, e kam pasur me vete kudo. Kemi qenë gjithmonë bashkë. Brenda saj ka qenë e mbartur gjithmonë me mua edhe Shqipëria, e mbartur si macja në gojë kotelen e saj thotë në një varg Fatos Arapi.

Në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Danimarkë punova 15 vite. Aty më dolën thinjat e para dhe mbusha moshën e artë që zbatohet atje për pensionin. Danimarka më ofroi bujarisht ta kaloja përgjithmonë në gjirin e saj paqësisht fundjetën. Më bëri edhe krushk: im bir u martua lumturisht me një vashëz të mrekullueshme daneze. Dhe kjo na dhuroi dy thesaret më të shtrenjtë të jetës time: Nipin Fredrik dhe mbesën Emma. Çfarë mund të më jepte e çmund ti kërkoja më tepër? Por Danimarka më deshi më shumë nga sa e desha. Sepse pashmangshmërisht më tërhoqi si magnet vendlindja. Ndoshta erdhi si urdhër nga kodi ynë i fshehtë gjenetik. Ishte diçka si vërtiku i pandalshëm i qengjit të Naimit: drejt zërit të nënës Unë nuk e dija që kjo mund të ndodhte edhe tek një burrë me thinja.

Sidoqoftë në Shqipëri nuk erdha që të dehem me nostalgjinë e saj. Erdha të bëja diçka të dobishme për të; të punoja, të kontribuoja në transformimet që ajo kishte nisur. Solla me vete ato që kisha parë dhe mësuar në 52 vende të Evropës, kudo ku më çoi detyra në OBSH. Solla sidomos ëndrra të reja evropiane për shëndetësinë. Shqipëria qe nisur për në Evropë. Unë sapo u ktheva prej saj. Dhe nisëm të dy palët të kuptonim njëri-tjetrin. Të rigjeheshim dhe të rifitonin mes nesh harmoninë e dikurshme.

Unë kur them Shqipëria, nuk kam parasysh malet e larta e fushat romantike me lule të rilindësve, as ndërtesat, as rrugët e supermarketet, hotelet e apo restorantet e reja. Kam parasysh njerëzit. Atdheu janë njerëzit. Janë miqtë, kolegët, pacientët, studentët, fqinjët, familjarët e mi. Ata më kishin munguar në dherat e largëta të huaj. Sepse të tillë si të mitë nuk hasa askund. Tani eci në rrugë, më thonë e u them tungjatjeta njerëzve që më njohin, por që unë mund të mos i njoh. Kjo është ndjesia e lumturisë në vatrën tënde. Je mes njerëzve të tu. Pendesë që jam kthyer? As që bëhet fjalë. Do ishte njësoj sikur të pendohesha që kam lindur. Ri-ardhja për mua ishte rilindje. Një rilindje nën një fllad freskues shpirtëror.

Ju drejtoni Qendrën Kombëtare të cilësisë, sigurisë dhe akreditimit të Institucioneve Shëndetësore. Ku konsiston statusi dhe qëllimi i saj i punës?

Siç e shihni, Qendra që unë drejtoj ka emër disi të çuditshëm dhe lodhshëm të gjatë. Në fakt ajo mbart brenda saj një nga ëndrrat e mia, që solla si dhuratë nga jashtë për vendin tim. Qendra është shtetërore, strukturë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo ka qëllim të vendosë tre shtylla të munguara në sistemin tonë shëndetësor, i cili nuk i trashëgoi ato nga një modeli i vjetër ish-sovjetik. Ato janë mekanizmat e përmirësimit të cilësisë, sigurisë dhe performancës. Konkretisht Qendra synon që shëndetësia jonë të kryejë me korrektësi shkencore shërbimet e duhura në mënyrën e duhur, në përputhje me standardet evropiane, synon rritjen e produktivitetit shëndetësor të saj, kosto të përballueshme dhe minimizim të gabimeve në dëm të të sëmurëve, si dhe të respektojë të drejtat e pacientëve dhe tu krijojë atyre kënaqësi maksimale gjatë ofrimit të shërbimeve.

Tingëllon utopike, apo jo? Në të vërtetë ideja e saj nuk qe shpikja ime. Është në kuadrin e një lëvizje reformuese që po zhvillohet që prej vitit 1990 në një numër vendesh të botës dhe Evropës. Ajo përbën tashmë prioritet të strategjive dhe programeve të sistemeve të tyre shëndetësore.

Unë kam pasur fatin ta drejtoj një program të tillë në OBSH, në Kopenhagen. Krijova eksperienca të suksesshme në disa vende dhe kështu më lindi ëndrra e bukur ngulmuese që ta nisnim këtë sfidë edhe në Shqipëri. Dukej si Don Kishotizëm dhe ndofta ende duket e tillë. Por po të lemë mënjanë modestinë, Qendra ka kryer tashmë një volum të admirueshëm pune, për krijimin e strategjive, metodave, mjeteve, standardeve dhe mekanizmave të cilat janë të domosdoshme në fazën përgatitore. Së fundi realizuam edhe eksperiencat e para të akreditimit në shëndetësi. Kjo ishte bingoja ime në kuptimin sedrës profesionale.

Por përmirësimi i cilësisë në nivelet e kërkuara nga standardet e akreditimit është proces i gjatë, i vështirë sepse has rezistenca. Është kundërshtimi që vjen nga inercia, nga tronditja e rutinës dhe shprehive penguese të trashëguara. Përmirësimet nuk kryhen dot tak-fak, as me urdhër, as me ndëshkime, por me një program të detajuar pune hap pas hapi. Ato kërkojnë mekanizma mbështetës stimulues dhe motivues, si dhe promovimin e një kulture të re tek personeli shëndetësor dhe menaxherë e drejtues shëndetësie lidhur me përgjegjësitë dhe rolin e vullnetshëm të secilit aktor në këtë proces. Më së pari kërkohet reformim i mendësisë dhe i përgjegjshmërisë. Sepse përmirësimet e cilësisë pritet të krijohen ndërgjegjësisht nga vetë njerëzit tanë, qofshin ata me bluzë të bardhë, apo ata me jaka të bardha.

Ishte sidoqoftë kënaqësi dhe inkurajim për stafin e qendrës, që ish-kolegu ynë i dikurshëm, kryeministri Berisha, e vlerësoi menjëherë idenë dhe misionin e kësaj qendre dhe madje erdhi vetë personalisht dhe preu shiritin inaugural të saj.

Sa herë flitet për shëndetësinë, reagimi i publikut nuk është rozë. Dy dekada pas rënies së komunizmit, ky sektor vijon të kalojë një periudhë komplekse e të vështirë. Pajtoheni me këtë përshkrim?

Pajtohem plotësisht në kuptimin që asgjë në të nuk është (dhe as ka qenë) rozë. Ka qenë dhe është gri, komplekse dhe vështirë. Sepse sistemet shëndetësore ndryshojnë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›