E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu Integrimi varet nga te gjithe ne. Sekui Viti 2012 te jete nje vit gezimi

Plani i veprimit për integrimin e vendit ka mbledhur në një takim konsultativ përfaqësuesit e posaçëm të vendit tonë dhe ato të BE-së.  Në hapje të këtyre punimeve, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu bëri me dije se një takim i tillë ka si qëllim që të shohë ecurinë e Shqipërisë përkundrejt realizimit të rekomandimeve të BE-së.
“Ka pritshmëri të madhe për progres-raportin. Integrimi lidhet ngushtësisht me plotësimin sa më mirë të detyrimeve. Megjithatë duhet të theksojmë se integrimi është një proçes që varet nga të gjithë ne”, vuri në dukje Bregu.
Nga ana e tij, ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui vuri në dukje faktin se tashmë është koha që të plotësohet marrëveshja politike, duke përfshirë përfundimin e reformës zgjedhore dhe atë të rregullores së Kuvendit.
“Sikurse e ka thënë komisioneri Fyle, bashkëpunimi i rëndësishëm dhe axhenda europiane duhet të jetë pjesë e axhendës kombëtare, të qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile. Mirëpres progres-raportin për planin e veprimit të rishikuar, ky raport ka arritje, por rezultatet duhet të vazhdojnë”, u shpreh Sekui.
Njëkohësisht, sipas tij, ka ende punë për të bërë, derisa Komisioni të paraqesë progres-raportin në vjeshtën e këtij viti.
“BE dhe Komisioni do të vazhdojë të japë ndihmën në këtë përpjekje të madhe kombëtare. 2012 mund të jetë dhe duhet të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE. Ne jemi këtu për të ndihmuar. Gjithsesi progresi varet nga Shqipëria dhe vullneti i mirë i palëve. Procesi bazohet tek merita. Shpresojmë dhe besojmë se viti 2012 të jetë një vit gëzimi. Që të arrihet kjo kërkohet një angazhim i fortë dhe serioz dhe bashkëpunim i plotë. Dua të informoj që më 3 maj komisioneri Fyle do të jetë në Tiranë”, nënvizoi Sekui, gjatë fjalës së tij në këtë tryezë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›