E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Kriza politike, jashtë pyetësorit

Debatet e 8 muajve të fundit nuk janë pjesë e pyetësorit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Kështu sqaron ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila ndërkohë fajëson kreun e Partisë Socialiste për këtë situatë. Nuk mundet që në pyetësor të përfshihet trendi se çfarë do të ndodhte me Shqipërinë apo me krizën politike. Nuk do të thotë që Brukseli rinte me laps në dorë për të mbajtur shënim gjithë lëvizjet absurde të opozitës, - pohon Bregu. Sipas saj, më 16 dhjetor Brukseli dhe mazhoranca nuk e dinin sa do të zgjaste bojkoti. Madje as sot, - shton ajo, - nuk është e qartë strategjia e opozitës, e cila herë hyn dhe herë del nga Kuvendi. Nuk mund të kishte pyetje për një sjellje anormale, sepse dokumenti nuk pyet për parashikim, - shton ajo. Megjithatë, kriza politike në Tiranë mund të vonojë përgjigjen, për proceset e mëtejshme, pavarësisht korrektësisë me të cilën iu është përgjigjur 2284 pyetjeve të pyetësorit. Situata aktuale, sipas ministres Bregu, nuk mund të quhet ideale. Sigurisht, nuk ishte ajo që duhej të ndodhte në këtë moment, kur ne po plotësonim detyrimet tona zyrtarisht përballë Komisionit Evropian. Të mos kishim pasur një situatë politike, e cila lë mundësi për të kërkuar më tej përmirësim, ndërhyrje, zgjidhje të krizës. Pra, do të kishte qenë idealja që ne të kishim dëshmuar një, le të themi, mundësi dhe realitet bindshëm për Evropën, - deklaron ajo. Pesë kapitujt e mbetur nga pyetësori do të miratohen nga Këshilli Ndërministror i Integrimit në javën që vjen. Pjesa politike, ekonomike dhe drejtësia janë të fundit që do të marrin "OK" nga Kryeministri para përcjelljes drejt Brukselit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›