Deklarimi i pasurive, Llalla raporton sot te Ligjet
Kryetari i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla, raporton sot në Komisionin e Ligjeve për punën njëvjeçare të bërë nga ky institucion. Deklarimi i tij vjen në prag të përfundimit të afatit për deklarimin e pasurive edhe për vitin 2010 nga punonjësit shtetërorë. Pjesë e këtij deklarimi janë dhe deputetët, të cilët kanë afat deri ditën e mërkurë për të bërë deklarimin e tyre. Avantazh duket se kanë ligjvënësit socialistë, të cilët për shkak të betimin me vonesë në Kuvend kanë edhe më shumë kohë. Sipas ligjit, deputetët kanë afat që 30 ditë pas betimit të bëjnë deklarimin e pasurisë, ndërkohë që lihet dhe një afat shtesë 15-ditor. Në këtë mënyrë, ata kanë mundësi që të bëjnë deklarimin e tyre të pasurisë pa shkelur rregullat ligjore deri në fillim të muajit maj. ILDK ka vënë shpesh gjoba apo ka çuar për procedim penal zyrtarë të shumtë, kryesisht punonjës të takimeve dhe doganave, të cilët nuk kanë respektuar afatet ligjore për deklarimin e pasurisë, madje nuk i janë përgjigjur as paralajmërimit të ILDKP-së.
Po sot diskutohet në Kuvend dhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Komisioni për Ekonominë dhe Financat do dëgjojë raportimin e kreut të KLSH-së, Robert Çeku dhe do të japë dhe rekomandimet e tij në fund të këtij raportimi.