PS, nis sot protestat në rrethe
Një grup deputetësh mbështetës të kryesocialistit Rama dhe të linjës radikale në PS, që përkrah protestat, po përgatiten që të nisin tubimet anti-qeveri në të gjithë vendin. Pritet që protesta e parë të nisë nga Shkodra dhe të realizohen në shumë rrethe të tjera deri në fund të prillit, kur PS bashkë me aleatët do të tentojnë për një tubim të madh në kryeqytet. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha dje gjatë një konference për shtyp se opozita do të fillojë protesta në mbarë vendin për jetesën e papërballueshme të shqiptarëve, për çmimet e larta të ushqimeve të mallrave të shërbimeve bazë. Deputeti Balla deklaroi se rruga e Partisë Socialiste tashmë është më se e qartë: protesta dhe vetëm protesta. Protesta kudo, pasi sot në Shqipëri ka shumë për të protestuar. Protesta kudo, pasi sot në Shqipëri janë të paktë ata që nuk kanë arsye për të protestuar. Gjithashtu Balla ritheksoi edhe njëherë se Partia Socialiste do të jetë në Kuvend vetëm për një arsye: transparencën e 28 qershorit. Protestat, sipas Ballës, do të fillojnë pasi gjendja ekonomike është bërë e papërballueshme për shqiptarët, ndërsa theksoi se protestat do të vazhdojnë derisa Parlamenti të ushtrojë të drejtën e vetë kushtetuese.