E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Marrja e statusit nga BE, dyfishon financimet

Në fjalën e hapjes së takimit të përbashkët mes palës komunitare dhe asaj shqiptare, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu tha se me aplikimin dhe marrjen e statusit te vendit kandidat, Shqipëria do te përfitojë jo vetëm nga dy komponentët e parë të IPA-s, asistencës financiare të Bashkimit Evropian, por edhe nga tri komponentët e tjerë të Instrumentit te Parazgjerimit (IPA):  fondet e Zhvillimit Rajonal, Zhvillimit të Burimeve Njerezore dhe Zhvillimit Rural.  “Në terma financiarë, këta komponentë perfaqesojne më shumë se një dyfishim të fondeve të mbështetjes së BE”, tha ministrja duke bërë të ditur se në këtë takim do të prezantohet programi dhe harta e perbashkët Shqipëri-BE për fillimin e pergatitjeve për fondet e Zhvillimit Rajonal, Zhvillimit të Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit Rural, fonde këto që do përfitohen në momentin kur Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. “Me përfundimin e procesit të akreditimit të strukturave përkatëse dhe sigurisht të një baze më të mirë dhe solide për decentralizim, gjithashtu duke shtuar eksperiencën tonë përsa i përket pjesës së decentralizimit me dy komponentët e parë të IPA-s, do të bëjmë të mundur që komunat e bashkitë të jenë jo vetëm pjesë e përfitimit, por edhe aplikimit për fondet e asistencës komunitare. Diskutimi i këtyre çështjeve e bën mjaft të rëndësishëm këtë takim, sepse do të kemi mundësi të konkretizojmë përfitimet që Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë në momentin jo të largët të marrjes së statusit të vendit kandidat”, tha ministrja Bregu.  Ambasadori i KE-së në Tiranë z.Helmut Lohan, pjesëmarrës në takim, tha se në përfundim të këtij procesi, Shqipëria do të jetë e aftë të menaxhojë nëpermjet autoriteteve të veta të gjitha fondet e ndihmës së BE duke u përgatitur për fondet strukturore dhe të kohezionit të periudhës së anëtarësimit.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›