Të tërhequrit; KQZ, zëvendësohen me të njëjtën gjini
Kandidatët të cilët tërhiqen nga gara elektorale, do të duhet që partia t’i zëvendësojë sipas gjinisë. Konkretisht, në rast se një kandidat mashkull tërhiqet, ai do të duhet të zëvendësohet po me një kandidat mashkull, në mënyrë që të respektohet ligji i kuotave gjinore. Dje, KQZ-ja ktheu listën e disa partive për rishqyrtim për shkak të problemeve teknike. Sot diskutohen listat e PD-së dhe PS-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdoi dje me shqyrtimin e listave të kandidatëve për deputetë të disa partive, ku nga debati mes anëtarëve, u pranua që kandidatët që tërhiqen nga gara, të zëvendësohen nga partia me të njëjtën gjini. Përfaqësuesi i PS-së në Komision, Genc Gjonçaj, kërkoi nga Komisioni mënyrën se si do të trajtohen nga KQZ-ja kandidatët që tërhiqen nga gara. Kryetari i KQZ-së u përgjigj: “Ata që tërhiqen, zëvendësohen nga partia”. Deri në këto momente, ashtu si PD dhe PS, kanë plotësuar kuotën prej 30 për qind femra, duke bërë që të plotësojnë ligjin. Gjonçaj tha më tej se ç’do të ndodhë në rast se mund të mos respektohet kuota për shkak të tërheqjeve, por Ristani u përgjigj se “kjo do të diskutohet për të plotësuar kuotën në ligj”. Më riplotësimin e listave që kanë bërë partitë e mëdha, të cilat janë bërë sipas kushteve në ligj, do të thotë se çdo i tërhequr do të zëvendësohet nga partia sipas gjinisë përkatëse.
Komisioni Qendror vijoi dje shqyrtimin e listave dhe në 7 partitë e shqyrtuara, përjashto Partinë e Emigrantëve, të gjitha të tjerat iu kthyen partive për rishqyrtim, pasi kishte probleme teknike në to. Konkretisht: LZHK, PDK, PBKD, FA duhet të plotësojnë dokumentacionin në disa qarqe për shkak se kandidatët kishin pasaportë të skaduar ose nuk kishin plotësuar kuotën e 30-përqindëshit të grave. Përjashto dy parti, nga rreth 15 që janë shqyrtuar deri tani, të gjitha kanë pasur probleme në listat e tyre, kryesisht teknike që lidhen me identitetin e kandidatëve si dhe për mosplotësim të kuotës së 30-përqindëshit për çdo gjini. Nga ana tjetër, ka pasur edhe parti të cilat kanë pasur probleme të tilla që nuk kanë dërguar listat shumemërore në të gjitha qarqet. Njëra prej këtyre ishte Partia e të Drejtave të Mohuara, e cila nuk kishte dërguar lista në tri qarqe. Përfaqësuesit e PS-së në KQZ kërkuan që kjo parti të përjashtohet nga gara, por Komisioni vendosi me shumicë votash që lista e saj të kthehet për shqyrtim. Partitë kanë afat të bëjnë rregullimet e nevojshme në lista brenda datës 27 maj. Brenda ditës së sotme Komisioni duhet të ketë përfunduar shqyrtimin e dokumenteve të kandidatëve që do të konkurrojnë në votimet e 28 qershorit. Ditën e sotme do të shqyrtohen edhe listat e PD dhe PS-së. Për këtë proces elektoral në KQZ janë regjistruar 36 subjekte zgjedhore.
Dyfishohet koha për fushatë në televizionin publik
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje udhëzimin përkatës i cili përcakton kohën që çdo parti do të ketë në televizionin publik për të bërë fushatë. Krahasuar me minutazhin që kishin partitë me Kodin e mëparshëm Zgjedhor, ajo është dyfishuar. Sipas vendimit të KQZ-së, PD dhe PS, që kanë marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Kuvend, përfitojnë një kohë transmetimi në TV publik prej 60 minutash secila, në 30 ditët e fushatës elektorale. Partitë parlamentare që kanë nën 20 për qind të vendeve në Parlament, përfitojnë 30 minuta kohë transmetimi në televizionin publik. Për të gjitha partitë e tjera, që do të konkurrojnë në zgjedhjet dhe janë jashtë Parlamentit, koha televizive e përfituar do të jetë 10 minuta. Çdo parti që garon në këto zgjedhje, do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të kësaj kohe televizive përgjatë 30 ditëve të fushatës elektorale.
Rezultati i zgjedhjeve, në kohë reale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje udhëzimin për administrimin e informacionit të numërimit të votave, duke përcaktuar se rezultatet nga çdo vend numërimi do të transmetohen në KQZ në kohë reale. Kjo do të thotë se në rast se procesi ecën normalisht në numërim, rezultati final mund të nxirret brenda 24 orëve pas mbylljes së kutive të votimit. Kodi Zgjedhor përcakton se tabela përmbledhëse e rezultateve të zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor dërgohet menjëherë në KQZ, përfshirë dhe rrugën elektronike të komunikimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar 66 vende të numërimit të votave të cilat do të monitorohen nga 400 kamera të rezolucionit të lartë. Kjo do të thotë se me mbarimin e numërimit, rezultati merret vesh në kohë reale. Nga ana tjetër, dy monitorë të mëdhenj do të japin grafikisht rezultatet; në monitorë të tjerë anëtarët e KQZ-së dhe mediat e akredituara do të ndjekin drejtpërsëdrejti gjithçka ndodh gjatë procesit të numërimit. Kjo pritet të rrisë transparencën si dhe të largojë një traditë zvarritëse në publikimin e rezultatit të zgjedhjeve.