E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Nxorëm nga varfëria 200 mijë shqiptarë



“Do të eliminojmë plotësisht varfërinë”

Rritja ekonomike uli treguesit e varfërisë

Qeveria ndihet mirë me faktin se gjatë mandatit të saj qeverisës ka nxjerrë nga varfëria 200 mijë shqiptarë. Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, iu referua dje raporteve të Bankës Botërore, OKB-së, PNUD-it dhe INSTAT-it për të vënë në dukje se shifrat tregojnë suksesin e luftës ndaj varfërisë. Sipas saj, studimi i fenomenit të jetesës nga këto institucione të rëndësishme ka konfirmuar edhe një herë se varfëria në vendin tonë po vazhdon të shënojë rënie me ritme më të shpejta, krahasuar me vitet më parë. Bregu bëri të qartë se kanë qenë politikat ekonomike e sociale të ndërmarra nga qeveria, që kanë bërë të mundur që mbi 200 mijë persona të shkëputen nga zinxhiri i varfërisë dhe të bëhen pjesë e rritjes ekonomike të vendit. Bregu gjykon se kjo analizë e tipologjisë së varfërisë i ofron qeverisë të dhënat reale të një situate pozitivisht në ndryshim dhe e orienton drejt një detyrimi: reduktimin e treguesit të varfërisë relative me 70% dhe eliminimin e plotë të varfërisë ekstreme në vend. Duke marrë gjithnjë si referencë konkluzionet e institucioneve të mësipërme, qeveria sjell në vëmendjen e opinionit se nga 18.5% që ishte në vitin 2005, sot niveli i varfërisë ka rënë në 12.4% të popullsisë. “Niveli i lartë dhe i konsoliduar i rritjes ekonomike gjatë këtyre viteve, në 7%, politikat qeveritare të mbështetjes e vëmendjes ndaj këtij problemi të ndjeshëm, dyfishimi i pensioneve, pagave, asistencës sociale, lehtësirat e të bërit biznes, taksat e ulëta apo dhe programet e zhvillimit rural, investimeve publike janë shpjegimi i vetëm i uljes së nivelit të varfërisë”, - deklaroi znj. Bregu. Ajo evidentoi se “konsumi mesatar për frymë është rritur me 7% që nga viti 2005. Zonat qendrore e bregdetare janë zonat të cilat kanë pasur një ulje drastike të varfërisë”. Bregu informoi se sot në këto zona është e varfër vetëm 10% e popullsisë krahasuar me 21.2% që ishin në vitin 2005. “Fakti se ka pasur një rënie të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale me 47 për qind, - shtoi ajo, - dëshmon se varfëria nuk është më sot një problem kryesisht rural. Niveli i lartë dhe i konsoliduar i rritjes ekonomike gjatë këtyre viteve, në 7%, politikat qeveritare të mbështetjes e vëmendjes ndaj këtij problemi të ndjeshëm, dyfishimi i pensioneve, pagave, asistencës sociale, lehtësirat e të bërit biznes, taksat e ulëta apo dhe programet e zhvillimit rural e investimeve publike janë shpjegimi i vetëm i uljes së nivelit të varfërisë dhe vërtetojnë që reminitancat nuk janë më primare si dikur në zbutjen e varfërisë në vend”, - u shpreh Majlinda Bregu. Zëdhënësja e qeverisë përmendi edhe disa prej mediave më të njohura botërore që kanë folur për pasurimin e shqiptarëve në vitet e fundit. “Në këtë fenomen, - pohoi Bregu, - janë përqendruar këto ditë disa nga periodikët dhe agjencitë më serioze ndërkombëtare si "Forbes", Wall Street Journal" dhe "Reuters", të cilat kanë vënë theksin te zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm në Shqipëri në një kohë kur e gjithë bota e rajoni është i prekur nga kriza globale”, - tha Bregu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›