Bumçi: Rama la 16 mijë familje pa hipotekë
PD-ja bën fajtor direkt kryebashkiakun Edi Rama për abuzimin me pronën e qytetarëve të Tiranës. Për këtë zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, iu referua dhënies së lejeve të ndërtimit për 420 objekte, por që asnjëri prej 16 mijë pronarëve nuk ka mundur të hipotekojë pronën e tij. Bumçi akuzoi dje se Rama me modelin e tij qeverisës ka krijuar dhe nxitur informalitetin në Tiranë. "Këtu nuk bëhet fjalë për ndërtime pa leje, informate, në periferi të qytetit, por për objekte të reja në mes të Tiranës", - tha Bumçi, duke sqaruar se sot ka rreth 420 objekte të tilla, që kanë lejen e ndërtimit nga ana e bashkisë, por asnjë nga familjet, të cilat kanë blerë apartamente në këto pallate, nuk ka hipotekuar pronën e saj. Dhe, sipas tij, bëhet fjalë për mbi 16 mijë familje. Deputeti demokrat përmendi më tej se kjo gjendje, tërësisht e papranueshme, që dëmton interesat e drejta të mijëra familjeve në kryeqytet, që nuk arrijnë të hipotekojnë apartamentin e tyre edhe pse e kanë blerë shumë shtrenjtë, ka ardhur pasi bashkia nuk pajis me leje shfrytëzimi pallatet, në të cilat ndërtuesit kishin shkelur lejen e marrë, duke ndërtuar p.sh. një kat më shumë. Bumçi bëri të qartë se në mungesë të lejes së shfrytëzimit asnjë apartament nuk mund të hipotekohej. Sipas tij, ajo që duhej të ishte një politikë ndëshkuese për firmën ndërtuese që të korrigjonte gabimin, u kthye në një masë ndëshkuese për qytetarët e thjeshtë. “Kjo, - tha Bumçi, - sepse e njëjta firmë ndërtuese, edhe pse nuk bëri asgjë të korrigjonte projektin e parë, mori lejen e dytë, të tretë dhe kështu me radhë nga bashkia. Në këtë mënyrë ndërtuesit nuk ndëshkoheshin, sepse vazhdonin të merrnin leje. Bashkia ishte e kënaqur bashkë me ndërtuesit, ndërsa kush penalizohej ishin mijëra familje në kryeqytet, të cilat nuk mund ta përdornin pronën e tyre as për të marrë kredi dhe as për ta shitur më tej”. “Duket qartë se për kryetarin e bashkisë kishin rëndësi ndërtuesit dhe jo qytetarët e thjeshtë”, - tha Bumçi, duke shtuar se ky është modeli “Rama” i qeverisjes. “Rama jo vetëm nxiti informalitetin, por edhe u bë pengesë serioze për zgjidhjen e këtij problemi pas miratimit të ligjit për legalizimet. Për afro 3 vjet i bllokoi ato, duke shtyrë vit pas viti hipotekimin e tyre”, - tha Bumçi, duke sqaruar se nisur nga ky realitet, Agjencia e Legalizimeve arriti të bënte azhurnimin dhe dixhitalizimin e këtyre objekteve në territorin e Tiranës dhe të hartojë të gjithë paketën fiskale, penalitetet që duhet të paguhen nga ndërtuesit dhe sot 160 pallate janë pajisur me lejen e legalizimit dhe janë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme për t'u hipotekuar.