E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama shmang degët e partisë nga hartimi i listave



Krerët lokalë: Nuk ka diskutime për emrat

Baza e partisë pret urdhrin e Ramës

Baza socialiste ka përgatitjet për fushatën elektorale të zgjedhjeve të qershorit si çdo parti tjetër, por ajo nuk është në gjendje të sqarojë elektoratin se për kë do të votojë. Deri më tani lista e kandidatëve për deputetë është një temë tabu në PS, pasi nuk diskutohet as në forumet e larta e jo më në bazën e partisë. Megjithëse flamuri me të cilin Edi Rama erdhi në krye të kësaj partie ishte vendimmarrja e zgjeruar në bazë, prej kohësh anëtarësia socialiste ndodhet para fakteve të kryera dhe nuk është më pjesë e vendimmarrjes. Krerët e degëve të kësaj partie në disa rrethe të rëndësishme që njiheshin edhe si bastione të së majtës nuk janë të qartë se çdo të bëhet me listat e kandidatëve për deputetë. Disa prej tyre thonë se nuk kanë urdhër nga lart për të bërë një listë nga baza e rrethit të tyre, si emra që i propozohen kryesisë në Tiranë. Ndërsa të tjerë mundohen të jenë më të zhdërvjellët e thonë se sapo kanë nisur takimet për përcaktimin e emrave, ndërkohë që nuk ka akoma propozime konkrete. E vërteta është se Rama nuk e ka quajtur të domosdoshme një konsultë me bazën e partisë për këtë çështje dhe pse është një nga vendimmarrjet më të rëndësishme politike në prag të fushatës. Në deklaratat e tyre dhënë për televizionin Vizion Plus drejtues të PS-së në Korçë pohojnë se nuk kanë nisur nga përzgjedhja e kandidateve, pasi kjo gjë nuk u është kërkuar nga Rama. Por ndërkaq, konfuzioni është më i madh në degët e tjera të PS-së. Në Fier, Berat, Shkodër e Gjirokastër, sapo kanë nisur konsultat me bazën, por krerët e këtyre degëve nuk mund të thonë se në ç’fazë është hartimi i listave apo nëse do të merret mendimi i degëve për emrat që do të kërkojnë votën e socialistëve për t’u bërë deputetë.

Por degët e PS-së nuk janë të përjashtuara vetëm nga lista e emrave që do t’u serviren si paria e re e partisë, ato janë gjithashtu të painformuara dhe për programin elektoral të kësaj partie, të cilin ka nisur ta prezantojë Rama pa e diskutuar më parë në forumet drejtuese, Kryesi dhe Asamble. Edhe në këtë rast krerët e degëve lokale mbeten pa punë, pasi nuk dinë se çfarë t’u thonë bashkëqytetarëve të tyre për t’u kërkuar votat për PS-në. Ata nuk kanë asnjë emër kandidati për të cilin të bëjnë fushatë dhe as një program për të reklamuar premtimet. Ndërkaq, fushata është personalizuar vetëm tek një njeri dhe ai është kryetari i partisë. Shumë nga deputetët aktualë nuk po guxojnë të bëjnë fushatë në zonat ku janë zgjedhur aktualisht, pasi ekzistojnë të gjitha gjasat që atyre t’u ndryshohen zonat. Burime nga PS-ja bëjnë të ditur se në listat e reja shumë deputetë aktualë nuk do të jenë në qarqet ku janë votuar në mazhoritar dhe ku realisht ata kanë elektoratin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›