E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi i vendit kandidat, gati kërkesa nga Shqipëria

Kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE pritet të bëhet zyrtare gjatë vizitës në Çeki.


TIRANË- Kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, pritet të bëhet zyrtare gjatë vizitës që Kryeministri Berisha do të zhvillojë në fillim të javës në Çeki, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së.

Burime nga Kryeministria bëjnë me dije se gjatë vizitës treditore në Çeki, Kryeministri Sali Berisha do të dorëzojë më 29 prill në Pragë, kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Kërkesa do të shoqërohet përmes një ceremonie të veçantë, ndërkohë që është përcaktuar edhe përbërja e delegacionit shqiptar, që do të marrë pjesë. Në përbërje të këtij delegacioni do të jenë Kryeministri Sali Berisha, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

Delegacioni niset drejt Pragës ditën e martë të javës që vjen, menjëherë pas përfundimit të vizitës së Kryeministrit të Greqisë, Kostas Karamanlis. Kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat përforcohet më shumë pas vizitës së Kryeministrit Berisha në Francë, ku Presidenti francez, Sarkosy, dha mbështetjen e plotë për integrimin e Shqipërisë në BE.

Ndërkohë, strukturat e kësaj të fundit janë shprehur skeptike për palën shqiptare. Zyrtarë të lartë të BE-së janë shprehur herë pas here, përmes daljeve mediatike se, Shqipëria duhet ta bëjë këtë kërkesë vetëm pas zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi janë këto të fundit vendimtare për të përcaktuar fatin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e integrimit të saj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›