E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Berishës: Asnjë dalje mediatike pa lejen time

Kryesia e PD-së vendos shpalljen e programit të saj më 23 maj, përmes një kongresi elektoral


TIRANË- Vetëm 45 minuta ka zgjatur dje mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike. Aq sa për të përcaktuar datën e Kongresit Zgjedhor, udhëzimet për programin e PD-së, pavarësisht se në rendin e ditës ishte përcaktuar edhe shpallja e kandidaturave dhe data për mbajtjen e konferencës së PD-së, Tiranë.

Edhe gjatë mbledhjes së djeshme të Kryesisë së PD-së, ka mbizotëruar fjala e Kryeministrit Sali Berisha, i cili në prag zgjedhjesh, përpos të gjithave, ka lënë një porosi të veçantë për të gjithë anëtarët e Kryesisë së PD-së.

Askush prej tyre, përfshi këtu edhe sekretarët pa të drejtë vote, nuk do të mund të dalin nëpër debate televizive, apo të japin intervista, pa lejen e tij, apo zëdhënëses së qeverisë, Majlinda Bregu. Sipas tij, debatet duhet të jenë të centralizuara dhe me leje.

Urdhri është i prerë. Ndaj, të gjithë anëtarët e kryesisë, dhe kushdo që kërkon të flasë për PD-në, apo kërkon të debatojë me përfaqësues të opozitës për zgjedhjet në prag, duhet të marrë lejen e Kryeministrit.


Kongresi i PD-së


Në mbledhjen e shkurtër të Kryesisë së PD-së është vendosur edhe mbledhja e kongresit të partisë. Do të jetë data 23 maj, ku PD-ja do të shpallë publikisht programin e saj për zgjedhjet e 28 qershorit, pikërisht në kongresin e kësaj partie, e cila ndryshe nga sa ishte parashikuar, do të jetë vetëm elektoral.

Pra, kongresi partiak i kësaj partie, siç mbahet çdo katër vjet, do të zhvillohet vetëm pas zgjedhjeve.

Kryeministri, njëkohësisht edhe Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka mënjanuar çdo qejfmbetje apo përçarje, që mund të krijohet me zgjedhjen e strukturave të larta, para zgjedhjeve, ndërkohë që kongresi, pas 28 qershorit, pritet të jetë "katarsis" për të gjithë ata që do të humbin, apo nuk do të sigurojnë fitoren e duhur në këto zgjedhje.


Programi


Edhe pse në mënyrë indirekte është përmendur emri i sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode dhe anëtarit të kryesisë, Aldo Bumci, për t'u angazhuar në përgatitjen e programit, Berisha ka udhëzuar të gjithë anëtarët e kryesisë, që brenda 10 ditësh të depozitojnë në mënyrë të koncentruar propozimet e tyre, (mundësisht brenda 3 faqeve), për programin e ri të PD-së.

Berisha është shprehur se programi i ri i PD-së do të bazohet në punën 4-vjeçare të kësaj qeverisjeje, si dhe në ato që PD-ja synon të realizojë në të ardhmen.

Deri më tani, PD-ja pak ka folur për programin e ardhshëm. Gjatë debateve televizive, Kryeministri Berisha, i pyetur nga përfaqësues të medias për këtë çështje është shprehur se programi do të përqendrohet në shëndetësi dhe arsim. Ndërkohë që do të trumbetohet jo pak edhe përpjekja për përmbushjen e reformave, që do të synojnë liberalizimin e vizave brenda 2010-ës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›