Zgjedhje me drita, OSSH dhe KQZ firmosin marrëveshje për ditën e zgjedhjeve
28 qershori dhe më pas të paktën disa ditë do të sjellin ndriçim të plotë me energji elektrike për të bërë të mundur mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe numërimit të votave. Mungesa e energjisë është një nga problemet e parashikueshme teknike në zgjedhje, problem që KQZ-ja i ka dalë përpara në kohë. Në funksion të zgjidhjes së kësaj çështjeje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkroi dje marrëveshjen e bashkëpunimit me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes për të realizuar zgjedhje me drita. Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha: “KQZ-ja, e përkushtuar për rëndësinë e zgjedhjeve, është munduar që me të gjitha institucionet e tjera të sigurojë standardet maksimale të këtyre zgjedhjeve”. “Në këto kushte, - pohoi ai, - për të furnizuar me energji elektrike KQZ-në, vendet e numërimit të votave, vendet e votimit si dhe magazinat e KQZ-së në Lundër, jemi munduar të bashkëpunojmë ngushtë me OSSH-në, për të siguruar energji në mënyrë të pandërprerë". Kreu i KQZ-së, Arben Ristani , sqaroi se “këtë herë ky mision është i rëndësishëm, duke pasur parasysh faktin që do të përdoret teknologjia e kamerave për numërimin e votave dhe përdorimi i këtij sistemi, - shtoi ai, - është i lidhur ngushtë me furnizimin me energjinë elektrike”. Nga ana tij, drejtori i OSSH-së, Sahit Dollapi, tha: “Firmosja e kësaj marrëveshjeje do të thotë një detyrim dhe angazhim maksimal, për të kontribuar që zgjedhjet e 28 qershorit të zhvillohen konform standardeve të kërkuara”. Dollapi ka premtuar edhe vendosjen e gjeneratorëve të lëvizshëm ditën e zgjedhjeve, nëse nga ndonjë defekt i mundshëm apo mbingarkesa ndërpritet energjia elektrike.