Godo: Zgjedhjet e reja, e djathta, ende e papërgatitur
Republikani Sabri Godo apelon se zgjedhjet e reja parlamentare rrezikojnë ta gjejnë të djathtën të papërgatitur nëse nuk gjendet sa më shpejt formula e bashkëpunimit mes partive aleate. Në kushte të tilla, Godo kërkoi dje nga PD-ja të nisë menjëherë diskutimet me aleatët për të përcaktuar formulën e bashkëpunimit për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Godo bëri dje të ditur se kodi zgjedhor duhet mbyllur brenda shtatorit, pasi tashmë kemi hyrë në një vit elektoral dhe nëse ecim me këto ritme, do shkojmë në zgjedhje të papërgatitur. Vonesat, evidentoi ai, janë humbje. Kryetari i nderit i Asamblesë Parlamentare të PR-së komentoi lëvizjet më të fundit në radhët e koalicionit të djathtë duke shpjeguar qartë se PR-ja nuk e shikon në perspektivë shkrirjen me PD-në, pasi kjo parti ka identitetin e saj. Sipas Godos, e rëndësishme është që partitë e djathta të mblidhen dhe të ndërtojmë një marrëdhënie të tillë e cila të vlerësojë patjetër idetë dhe bashkëpunimin mes palëve. “Duhet të jetë një koalicion që të dalë së bashku në zgjedhje, por secila parti të qëndrojë më vete për sa i takon numrit të votave që merr, në mënyrë që të merret vesh se ç’peshë zë çdo parti, cilat janë pretendimet e saj në raport me koalicionin dhe me ç’gjuhë duhet të flasë me elektoratin e vet”, - tha z.Godo. Ai shtoi se deri tani PD-ja ka thënë se është e hapur për çdolloj propozimi. “Por, - vijoi ai, - unë mendoj se ajo vetë duhet të sqarojë më mirë idetë e saj, të thotë si e mendon këtë koalicion dhe pastaj të tjerët të bëjnë llogaritë e tyre dhe të thonë nëse u leverdis apo jo, në ç’mënyrë duhet të bashkëpunojmë për të dalë së bashku në zgjedhje”. Sipas z.Godo, janë disa forma që mund të ndiqen, por të tëra duhet të diskutohen dhe të precizohen më mirë. “Mungon deri tani qartësia. Thuhet se në shtator do të ketë zhvillime. Mendoj se nuk duhet të shtyhet për më gjatë siç ka ndodhur herë tjetër që gjithmonë është menduar se kemi kohë përpara. Pastaj ndodhemi befasisht në zgjedhje të papërgatitur. Ajo të çon në humbje”, - theksoi z.Sabri Godo. Edhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka konfirmuar se pritet shtatori për konkretizimin e këtyre lëvizjeve, pasi duhet të kemi në konsideratë se zgjedhjet e qershorit po afrohen. Sipas tij, çdo lëvizje duhet të fillojë me qartësi politike për të maksimizuar votat për të djathtën, por njëkohësisht edhe për të ndërtuar një formacion solid. Por republikanët përjashtojnë çdo mundësi shkrirjeje me PD-në duke mbrojtur fort identitetin e tyre politik. Ndryshe mendojnë reformatorët e Genc Pollos të cilët janë të hapur për bashkimin me PD-në. Gjithsesi, pritet muaji shtator që të nisë dhe procesi i dialogimit mes partive të djathta për mënyrën e përfaqësimit të saj në parlamentaret e qershorit 2009.