E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: PS të votojë në Kuvend heqjen e imunitetit

 

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu vlerësoi dje në Kuvend progres raportin e Komisionit Evropian, duke u ndalur në kufizimin e imunitetit të deputetëve. Zëdhënësja e qeverisë i kërkoi PS-së të kthehet në Parlament për të votuar këtë nismë, pasi sipas saj, imuniteti nuk hiqet vetëm me deklarata. “Në progres raport gjithashtu, kërkohet të zgjidhet çështja e kufizimit te imunitetit. Imuniteti nuk hiqet as kufizohet në mënyre deklamative. Le të vijë e të votojë në Parlament edhe për këtë iniciativë që e ka refuzuar ta votojë përndryshe, ngelet vetëm të themi që ky zotëria ka një problem të madh. Mes dy alternativave: për t’u bërë burrë shteti dhe i madh, zgjodhi të bëhet kryetar partie dhe i vogël”, tha Bregu. Sipas saj fakti që ky raport vazhdon të jetë edhe sivjet një program pune për të gjitha ministritë dhe institucionet, madje, më i detajuar se vitin e kaluar, tregon bindjen e Komisionit Evropian se qeveria punon seriozisht mbi këtë raport. “Suksesi dhe përmendja për mirë është përfitim dhe Shqipërisë e shqiptarëve. Përgjegjësia për mbarëvajtjen e reformave dhe përshpejtimin e procesit, është e të zgjedhurve për të marrë vendime. Cektësia e gjykimit, lobimi dhe veprimi politik kundër rrymës së ndryshimit është përgjegjësi historike. Dhe përgjegjësinë nuk e kupton ai që thotë, o me mua, o pas meje, o mu hiq sysh, por reflektimin për këtë përgjegjësi  duhet ta kenë ata që janë të përgjegjshëm”, tha Bregu. Sipas zëdhënëses së Qeverisë raporti jep notë pozitive edhe përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe masave të marra nga Qeveria në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›