KQZ ultimatum PS, PBDNJ e zëvendëson në komisione
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon partive politike që brenda ditës së hënë të paraqesin emrat e anëtarëve të KZAZ-ve. Mosngritja e këtyre komisioneve ka sjellë bllokimin e punës së KQZ-së, e cila duhet të përgatisë infrastrukturën e nevojshme për zgjedhjet e 15 nëntorit. Pas ankimimit te ndërkombëtarët, OSBE-ja për një mosparaqitje të komisionerëve nga PS, PBDNJ, kryekomisioneri Arben Ristani bëri të ditur se do t’ dërgojë edhe një herë letër PS-së për të plotësuar vendet e anëtarëve të KZAZ-ve. “Është nisur shkresa e dytë nga unë si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku iu kujtohet në radhë të parë detyrimi ligjor, dhe ju kërkohet zbatimi i tij dhe deri tani nuk ka përgjigje me shkrim. Sigurisht dhe institucionet ndërkombëtare që kanë impakt në zgjedhje kanë marrë dijeni për këto shkresa. Besoj që të hënën do kemi një reagim ndryshe pastaj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Ristani. Kryekomisioneri theksoi se edhe mund t’i penalizojë ato. Për këto zgjedhje problem mbetet fakti se PS-ja ka maxhorancën në 3 KZAZ dhe do të sillte bllokimin e komisioneve. Duke pasur në konsideratë precedentin negativ ndër vite, KQZ-ja ka shtyrë sërish afatin me shpresën se PS-ja apo partitë e tjera të zbatojnë ligjin. Nëse Partia Socialiste nuk dërgon emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, atëherë në bazë të Kodit Zgjedhor KQZ-së i lind e drejta të miratojë emra të tjerë nga forcat e tjera politike, ose të emërojë administratën e KQZ-së. Megjithëse në kushtet kur PBDNJ-ja ka vendosur të shkojë në zgjedhje, duket se një hap i tillë nuk është i nevojshëm. Sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis deklaron se, “zgjedhjet lokale nuk janë pikë e nxehtë për PBDNJ-në. Ne mendojmë të marrim pjesë brenda të gjitha rregullave dhe t’u bëjmë thirrje zgjedhësve të marrin pjesë në votime”, tha Solis. Pavarësisht rreshtimit në krah të PS-së në protesta, PBDNJ-ja do të marrë pjesë në zgjedhje. PBDNJ është gjithashtu e vetmja parti e opozitës, e cila nuk e ka bojkotuar Parlamentin. Prezenca e PBDNJ-së do të sillte zëvendësimin me anëtarët e PS-së në KZAZ. Në rast se nuk realizohet kjo, atëherë KQZ-ja do t’i plotësojë këta anëtarë me punonjës të administratës së saj.