E Diel, 1 Nëntor 2026

Alia: Shtrausit i morëm 20 milionë marka, kolektivizimi i bujqësisë ishte veprim i nxituar

 

Ramiz Alia, ish-sekretar i Parë i Byrosë Politike të Partisë së Punës dhe njëkohësisht Presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, në një intervistë për emisionin “Top Story”, të drejtuar nga gazetari Sokol Balla, në kanalin televiziv Top Channel, rrëfen për herë të parë momente historike të vendit, në këndvështrimin e një personazhi përmes të cilit kjo histori është përçuar.

Në vigjilje të përvjetorit të rrëzimit të Murit të Berlinit, Alia rrëfen historinë e panjohur të vitit 1962 në Moskë, kur krerët e vendeve komuniste vendosën të ngrinin këtë mur, kalon te çështja e ujërave territoriale me Greqinë, te oferta gjermane e vitit 1984 e Kancelarit të Bavarisë Shtraus, rrëzimi i murit shqiptar të Berlinit etj. 
Zoti Alia, në fakt do kemi mundësi të flasim edhe për ato që ju vetë mund të dëshmoni jo thjeshtë nga rrëzimi, por edhe ngritja e murit të Berlinit. Si lindi ideja e ngritjes së murit të Berlinit?
Ideja e ngritjes së murit të Berlinit nuk ka lindur në Shqipëri, ajo lindi në Gjermani dhe pastaj është përhapur dhe ka qenë një veprim i përbashkët i gjithë Traktatit të Varshavës të asaj kohe, pra i udhëheqjes komuniste të vendeve të Europës Lindore...
A u vu në dijeni regjimi komunist i atëhershëm për këtë projekt?
Po. U vu në dijeni jo për ngritjen e murit, por u vu në dijeni që duhet të bëhej një mbledhje e udhëheqësve të të gjitha vendeve të Traktatit të Varshavës që do të bëhej në Moskë dhe ftoheshin në atë mbledhje që të vinte sekretari i parë i partisë, Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu.
Zoti Alia, nuk kemi dëgjuar që Enver Hoxha të ketë shkuar më në Moskë pas mbledhjes së 81 partive?
Efektivisht është e vërtetë dhe Enver Hoxha nuk shkoi në këtë mbledhje, atje nuk shkoi as Mehmet Shehu. U autorizova unë në emër të partisë që të kryesoja delegacionin në këtë mbledhje dhe unë bashkë me ministrin e Jashtëm, Behar Shtylla dhe një grup këshilltarësh shkuam në Moskë. Kjo ka qenë në vitin 1962, kam shkuar në Moskë, atje na pritën nga ana e sovjetikëve. Nuk më kujtohet ekzaktësisht dhe na çuan drejt në hotel. Të nesërmen në orën 10:00 bëhej mbledhja në Kremlin.
Si u prit fakti që Shqipëria nuk përfaqësohej nga njëshi?
Po ky ishte edhe problemi që lindi aty. Kur unë dhe delegacioni hymë në sallën Gjeorgjevski, na pritën dhe na treguan vendin ku duhet të uleshim. Mbledhja ishte një kuadrat dhe tavolina jonë ishte e para sipas alfabetit. Në krye ishte Hrushovi. Ne ishim në krahun e djathtë të tij në kënd. Kur hyra unë ishte Teodor Zhivkovi i Bullgarisë, meqenëse njiheshim u përshëndetëm. Dhe u ulëm në vend, në fund erdhi edhe Hrushovi. Ai filloi të hapë mbledhjen në këtë kohë, do të tregoj se çfarë ndodhi. Kur Hrushovi tha se hapim këtë mbledhje të udhëheqësve të vendeve socialiste, u ngrit Ulbrihti, ai ishte sekretari i përgjithshme i Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore, që ishte i interesuari direkt, sepse Hrushovi tha se do të diskutojmë për murin e Berlinit sipas kërkesës që duhet të ishte bërë nga Gjermania.
Pra i pari që përmendi ngritjen e murit ishte Hrushovi?!
Po. U ngrit Ulbriht dhe tha, shoku Hrushov, jemi mbledhur këtu dhe shikoj që të gjithë sekretarët e parë kanë ardhur, por nuk shikoj që s’ka ardhur Enver Hoxha. Hrushovi menjëherë m’u drejtua mua. Shoku Alia, ku është Enveri?
I thashë Enver Hoxha nuk erdhi në mbledhje se ishte pa qejf.
Ju po gënjenit?
Sigurisht. Ai ishte shëndoshë e mirë. Por duhet ta them më përpara se pse nuk vajti. Ishte problem sigurie. Kishte një mundësi që ndaj tij të bëhej ndonjë atentat, ndonjë vepër për eliminimin e tij. Kjo ishte bazuar mbi fakte, mbi atë që ndodhi dy vite më parë.
Për ta kujtuar, në mbledhjen e 81 partive në Moskë gjatë kthimit anulohet fluturimi Moskë-Beograd-Tiranë dhe gjithçka bëhet me tren… dhe arsyeja thuhet se ka qenë arsye sigurie.
Në konferencën e Moskës, kur mbasi mbajti fjalimin e vet Enver Hoxha, dëgjoi edhe replikat e të tjerëve. Ishte data 29 nëntor, ishte festa e çlirimit në Shqipëri dhe duhet të ishte këtu medoemos dhe atëherë vendosi të largohej nga Moska dhe u largua bashkë me Mehmet Shehun, të dy.
Mbetëm në Moskë, Hysni Kapo dhe unë, që e vazhduam konferencën deri në mbarimin e saj. Enveri dhe Mehmeti erdhën me tren, kaluan në Budapest, pastaj në Itali, Bari dhe nga Bari me avion në Shqipëri.
Në ’60 kishte vërtet ndonjë dyshim. Pati sinjalizime?
Atëherë që kur ishim në Moskë në ‘60 pati një njoftim, po them informacion nga rusët, nga njerëz rusë, nga ata që shërbenin për delegacionin tonë, kur u largua delegacioni ynë nga shtëpia në ambasadë. Sepse mbasi mbajti fjalimin e vet Enver Hoxha nuk ndenji më në shtëpinë e pritjes, por Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkuan në ambasadë. Në shtëpi ndenjëm unë dhe Hysni Kapo. Që atëherë njerëz të shërbimit rus na thanë se mirë bëri Enver Hoxha që u largua, sepse nuk i dihej dhe më treguan për një person që është jo i sinqertë që mund të përbënte rrezik. Mbas dy vjetësh ishte ky dyshim që mos vallë mund të ndodhte diçka.
T’i rikthemi edhe njëherë mbledhjes së vitit 1962, kur ju thatë se Hrushovi ishte i pari që përmendi ngritjen e murit të Berlinit. Ulbrhit u ngrit dhe kërkoi përse nuk kishte ardhur Enver Hoxha…?
Po e lamë te fakti që Hrushovi më pyeti pse s’ka ardhur Enveri. Unë i thashë se ishte pa qejf dhe për këtë arsye Komiteti Qendror i Partisë vendosi që të jem unë përfaqësuesi i qeverisë shqiptare. Ai pyeti pse s’erdhi Mehmet Shehu dhe i thashë që edhe ai nuk ishte mirë, prandaj udhëheqja vendosi kështu dhe nisi një debat mes meje dhe tij me fjalë.
Ai thotë që ne e dimë që ti nuk je sekretari i parë, po thashë unë s’jam, por jam përfaqësues i PPSh dhe kam tagër që të përfaqësoj Partinë e Punës dhe të firmos çdo lloj vendimi për të cilin partia jonë do të jetë përgjegjëse. Por kjo s’mjafton tha, duhet sekretari i parë. Por ja i thashë unë, është sëmurë. Si të bëj. Po nuk është kështu, atëherë ju lutem shumë. Në atë kohë ngrihet një tjetër, ishte Derzhi i Rumanisë, udhëheqësi i partisë rumune, ai iu drejtua Hrushovit, dhe i tha se ky delegacion (delegacioni shqiptar) nuk është dhe delegacioni që ndodhej në sallë, s’duhet të qëndrojë. Pastaj u ngrit Gmulka i Polonisë dhe tha se delegacioni duhet të iki, sepse ne s’mund të diskutojmë me çdo njeri, por duhet të jetë sekretari i parë. Përfundimisht Hrushovi më drejtohet mua dhe thotë, shoku Alia, i dëgjove shokët, ata thonë të ikësh. Ata thonë, por unë s’iki i thashë, sepse unë kam ardhur të përfaqësoj partinë time. Atëherë ata ndenjën dhe shikonin njëri-tjetrin.
Sepse me dhunë nuk ju nxirrnin dot?
Po, edhe Hrushovi tha, shokë, bëjmë 10 minuta pushim. U ngritën të tërë ata dhe shkuan në fund ishte një bufe, dhe shkuan atje të tërë. Ndërsa unë u thashë shokëve rrini këtu, mos luani. I shikonim ata po pinin kafe… ne qëndronim ulur.
Dhe le të themi që kjo situatë zgjati...?
Ata prisnin të largoheshim ne. Bënë shumë marifete, filluan të shuajnë dritat e sallës, e ulën tonin. Filluan edhe pastrueset të shkojnë në tavolina për të krijuar në një ambient që të largoheshim. Erdhën edhe nga ata punonjës të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë dhe më kërkuan që të largohesha. U fola dhe u thashë se puna juaj është kur të dal, jo këtu. Unë s’dal prej këtu, do të rrinim. Dhe ndenjëm aty. Kjo zgjati gjysmë ore. Ata s’po hynin. Pas gjysmë ore erdhën brenda të tërë, por në vend që të uleshin në tavolina dhe secili mori çantën dhe dolën nga porta dhe ikën fare e shtynë mbledhjen për të nesërmen. Nesër në orën 09:00 i njoftoi Hrushovi.
Pra ishit shkaku ju që dështoi mbledhja?
Sigurisht. S’kishin ç’të bënin tjetër. S’mbeti gjë tjetër vetëm të na merrnin me forcë. Por pastaj dolëm andej dhe u larguam edhe ne.
Shkuat të nesërmen në mbledhje?
Jo, s’kishte më kuptim të shkonim në mbledhje.
Ndërkohë komunikuat me Tiranën?
Komunikova menjëherë, mora në telefon shokun Enver, bisedova me të dhe më tha kthehuni në Tiranë. U nisëm të nesërmen.
Cila ishte arsyeja që gjithë vendet shtynë mbledhjen që ju mos të ishit aty? Ishte thjeshtë përfaqësimi i ulët i delegacionit shqiptar apo mbledhja realisht kërkonte praninë e numrave një në mbledhje?
Unë besoj se ajo ishte formale. Aspekti pse nuk ishte Enveri. Ata donin një farë dënimi për Partinë e Punës, që ju nuk e respektuat mbledhjen, nuk dërguat sekretarin e parë, as kryeministrin, sepse kjo ishte mbledhje e sekretarëve të parë dhe thanë që më mirë të iki ky delegacion, se nuk ekziston për ne.
Zoti Alia, kur ju informuat Tiranën dhe Enver Hoxhën, cili ishte qëndrimi i Shqipërisë le të themi për thelbin e kësaj mbledhjeje? Ngritjen e murit të Berlinit dhe gjithë konsekuencat që e pasuan?
E vërteta është se ne nuk e morëm vesh menjëherë se do të ngrihej muri i Berlinit. Vetëm kur u shpall më vonë e mësuam se ç’do të bëhet. Kur e morëm vesh natyrisht neve u habitëm që arriti puna deri në këtë gradë, sa të vihej një mur në një qytet dhe na u duk e çuditshme se si mund të mbrohet një qytet duke vënë një mur.
...Megjithatë duhet të biem dakord të dy. Për faktin që regjimi juaj mbronte jo thjeshtë me pasion, por me masa ekstreme sigurinë kombëtare, ishte kjo mënyra më e sigurt se ju do të qëndronit në pushtet sa më gjatë, apo jo?
Unë s’do jem dakord me këtë ide, sepse ju e personalizoni çështjen e mbrojtjes së atdheut.
Jo, unë po them se kishte diçka personale te ju…
Jo, s’kishte asnjë gjë personale, sepse për mua atdheu është një nocion jo personal. Atdheu është një pasuri e të gjithëve, e të gjithë popullit, askush nuk ka të drejtë që të thotë që të jetë i lirë apo jo, apo të vendosë që kjo pjesë është e jona apo ta falim.
Pra, ju për shembull po të kishit qenë akoma në pushtet nuk do e kishit nënshkruar këtë marrëveshjen e kufijve me Greqinë...?
Unë s’di konkretisht si qëndron ajo marrëveshje...
Po thonë që grekët do të marrin ujërat deri në 900 metra larg Sarandës.
Nëse është e vërtetë që marrëveshja është bërë me Greqinë……
Pritet të miratohet nga Kuvendi të hënën.
Nuk e di a do e miratojë Kuvendi, por në qoftë se kjo marrëveshje vërtet parashikon që një pjesë e ujërave territoriale të vendit jo me qindra kilometra, por edhe me një metër katrorë është krim. Krim kombëtar dhe nuk duhet ta aprovojë as Kuvendi, as qeveria jonë.
Në fakt nga regjimi juaj trashëguam edhe një gjendje lufte me Greqinë. Nuk mendoni që është mirë që kjo gjendje të përfundojë?
Tani më fute në politikën e jashtme. Kur kemi vendosur marrëdhëniet diplomatike me Greqinë ka qenë viti 1987, ka qenë ministër i Jashtëm, Papulias, që sot është President i Republikës së Greqisë dhe mbaj mend që kur e kam pritur Papuliasin herën e parë apo të dytë. Papulias më komunikoi; zoti president, ju njoftoj se qeveria greke e hoqi ligjin e luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë. Natyrisht ishte një gëzim, një kënaqësi e madhe dhe ia shpreha atij direkt, se kjo i hap rrugën marrëdhënieve të ngushta mes dy popujve tanë, sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta, interesa të mëdha, një të ardhme të përbashkët dhe ta them sinqerisht kam mbetur i mahnitur kur kam marr vesh më vonë se gjendja e luftës vazhdon akoma, sepse nuk e ka aprovuar vendimin parlamentin grek, i cili duhet ta miratonte, se atë e ka firmuar mbreti i Greqisë. Dhe Parlamenti akoma nuk e aprovon.
Unë kam patur diskutim miqësor me një ambasador grek dhe i thashë se kam mbetur i ofenduar, sepse kur Papulias më tha kështu unë e besova, se është hapur rruga për të zgjidhur të tëra problemet që kemi me Greqinë, mes të tjerave edhe me problemin çam. Problemin e pasurive të tyre vajtje-ardhjes familjeve që është një problem njerëzor, jo më politik. Ai më shpjegoi: zoti Alia, mbreti e ka firmosur, sepse parlamenti s’e ka bërë, sepse asnjë qeveri nuk ia kërkoi parlamentit grek. Pra, marrëdhëniet tona me Greqinë nuk mund të jenë miqësore dhe vëllazërore siç duhet të jenë, nëse mes dy vendeve tona nuk ka qartësi. Pse të lihet një problem kombëtar në mes. Mirë ligji i luftës për të cilin unë akoma ngul këmbë nuk është e drejtë që të jetë në fuqi. Ai duhet eliminuar. Tani kemi hyrë në NATO, jemi aleatë me Greqinë. Ç’do bëjmë do luftojmë? Në NATO dhe në gjendje lufte?! Anakronike.
Zoti Alia, është interesante sepse ju thoni që qeveria shqiptare në vendimin e murit të Berlinit kishte pak patriotizëm brenda. Më kujtohet që në 1981, në kohën e demonstratave në Kosovë, Gjermania perëndimore mbajti një problem pro, në interpretimet thuhej se ata e kuptonin çështjen e Kosovës, siç e kuptuat ju çështjen e dy Gjermanive. Qeveria e Tiranës mbeti mes dy mureve. Atij ideologjik dhe atij kombëtar. Pse kjo qeveri mbeti e izoluar për më shumë se 40 vjet dhe u duk sikur e harroi murin ndarës me Kosovën?
Jo, e ke gabim të dytën. Për këtë që thoni murin ndarës kombëtar. Kurrë ndonjëherë nuk është harruar Kosova nga ana e pushtetit tonë, nga ana e partisë sonë dhe koncepteve tona. Kosova ka qenë një problem i madh për të cilin është kujdesur partia.
Ka thënë fjalën e vet. Pro duhet kuptuar një gjë. Çfarë fjalësh mund të thuheshin??. Dëgjova një historian që tha se kur ishte divizioni i 5, unë kam qenë komisar i divizionit. Kur ishte ky divizion nuk duhet të largohej nga Kosova dhe Kosova do ishte e jona. Të mendosh kështu është një budallallëk dhe një absurditet, sepse të qëndronte divizioni ynë në Jugosllavi, domethënë të hynte në luftë me jugosllavët!!!.
Po pse nuk janë vlente të hynit në luftë në atë kohë. Ndoshta ishte momenti më i mirë për ta rimarrë Kosovën?
Po jugosllavët në atë kohë ishin fuqia e dytë ose e tretë në Evropë dhe mjaft e fortë. Mos harro se Jugosllavia dhe Greqia,…
Vetë na keni thënë se Jugosllavinë e çliroi ushtria e kuqe, ushtria jugosllave dhe ushtria nacional çlirimtare….ju keni ngritur këtë mit
Ushtria jugosllave ishte e fortë dhe divizioni ynë ishte diçka e vogël që të futej në luftë. Nuk bëhej me forcë ushtarake, ashtu siç nuk u bëmë më vonë, ashtu siç nuk bëhet sot. Ka ikur ajo kohë nuk bëhet më luftë. Edhe kur ishte Jugosllavia e Titos, me të cilin ishim kundërshtarë, nuk e ftuam asnjëherë Kosovën që të bënte kryengritje sepse e dinim që ishte e rrezikshme.
Zoti Alia, t’i rikthehemi edhe njëherë faktit që jemi 20 vjet pas rrëzimit të murit të Berlinit. Shqipëria 1 vit e një muaj më vonë, edhe Shqipëria theu murin e saj të Berlinit. Me gjithë regjimin që ju drejtuat bashkë me Enver Hoxhën, mbeti edhe një regjim i izolimit. Të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe kjo kur ofertat për Shqipërinë nuk munguan. Mjaft të përmend largimin nga Traktati i Varshavës në ‘68 dhe oferta gjermane në vitet 80, kësaj radhe me karotën ekonomike, por dhe ajo një ofertë e mirë që Shqipëria të shkëputej nga blloku komunist. Të përditshmet shqiptare botuan së fundmi bisedat që ju bëtë me Enver Hoxhën për ofertën gjermane pas vizitës së Guvernatorit të Bavarisë Shtraus dhe duket se përtej bisedave që keni bërë me Enver Hoxhën, duket se jo vetëm ju, por të gjithë ju keni qenë në kërkim të çdo preteksti për të refuzuar ofertën gjermane. Përse z. Alia, Shqipëria humbi dy raste që ajo të liberalizohej dhe t’i bashkohej Evropës së zhvilluar perëndimore?.
T’i marr me radhë gjërat. Së pari është e vërtetë që sistemi ynë politik ishte një sistem i mbyllur, domethënë ato konceptet.. tona mbi luftën e klasave, mbi Pavarësinë ideologjike, mbi rrugën tonë, pa dyshim na kanë nxitur, na kanë çuar drejt një mbyllje që ka qenë reale. Flas për një mbyllje politike, por ajo është shoqëruar edhe në fusha të tjera, megjithëse ka pasur disa lëvizja në fushën e kulturës apo sportive, por ka qenë të vogla.
Sepse i prisnin më parë ato. Sa dukej që diçka çlirohej,… që në vitin 1971 keni qenë edhe vetë Ministër i Kulturës atëherë, menjëherë binte sëpata ulej perdja burgoseshin njerëz. Perde e hekurt ka qenë duhet ta pranoni?
Një vizatim i tillë nuk ka qenë, por e kam fjalën këtu e vërteta është se ka pasur një politikë të mbyllur edhe në planin kombëtar në marrëdhëniet me të tjerët ky është realitet që nuk e mohoj, por që të vij konkretisht rastet që përmendët ju. Unë mendoj se në të dyja rastet nuk humbëm gjë sepse nuk ka pasur ofertë konkrete. Po marr këtë të Shtrausit. Ai erdhi në vitin 1984. Ai pat ardhur herën e parë nga Mali i Zi. Ka qenë gjallë Enver Hoxha dhe kemi biseduar me Enverin, unë kam biseduar dhe kemi arritur në mendimin se duhet pritur mirë dhe duhet biseduar dhe ne me këtë rast do të shtronim problemin e reparacioneve të luftës nga Gjermania sepse Shqipëria u shkatërrua nga lufta dhe nuk ka marrë asnjë gjë. Kanë marrë të tjerët, jugosllavët kishin marrë. Në formë kredie sepse atyre ju a ndalonin konventat ndërkombëtare që të paguanin reparacionet e luftës.
Dhe që në i refuzonim sepse i kemi pasur edhe në Kushtetutë që ne i refuzonim kreditë…
Është e drejtë unë nuk kundërshtoj çka është e vërtetë, por mbas bisedimeve që janë bërë në fund të fundit, Shtrausi vendosi që Shqipërisë t’i jepen 20 milionë dojc marka, nga të cilat 10 milionë falas, 10 në formë kredie dhe këtë në formë kredie, që të vij te neni i kushtetutës, unë e kam propozuar në byronë politike që për rastin gjerman duhet të mbyllim sytë dhe duhet ta pranojmë.
Pra ju ishit pro ofertës gjermane
Po.
Kush e kundërshtoi?
S’ka pasur kundërshtim për të.
Po pse nuk ndodhi?
Ndodhi, ajo është marrë.
Ndodhi në 1988?
Ndodhi në atë kohë. Bisedimet kanë filluar në 1984. Në ‘86 erdhi herën e dytë Shtrausi, në ‘87 erdhi Gensheri. Kredia ishte aprovuar.
...Ju pretendonit që t’ju merrte dikush në telefon dhe t’ju thoshte a do vini tani në NATO?
Jo ka dy momente, unë e theksova në fillim që politika jonë ishte e mbyllur me botën e jashtme dhe pikërisht këtu desha të bëj një sqarim të vogël. Në një farë viti, nuk mbaj mend, kam takuar senatori Italian Picoli bashkë me Tacianin ishin dy senatorë italianë, kanë qenë edhe kryeministra, dhe i kam pritur dhe ata më shtruan këtë çështje që më shtron ti. Ata më thanë se përse z. Alia juve jeni shumë të mbyllur dhe nuk bëtë asnjë gjest që të afroheshit me perëndimin, dhe unë ju përgjigja pak a shumë këtë që të thashë edhe ty. Po është e vërtetë që neve në politikën tonë ishim të mbyllur dhe kemi bërë shumë pak hapa në afrimin me botën, por më lejoni ju bëj një pyetje. Pyetja ime është kjo, ju e keni ndjekur që Shqipëria hyri në konflikt me rusët në 1960, e dyta thashë ju keni ndjekur që në vitin 1962 ne përzumë flotën sovjetike nga Vlora. Unë di, ju me korrigjoni, që juve në Otranto mbanit 5 divizione të armatosura si mbrojtje ndaj rusëve, po thanë është shumë e vërtetë. Pra ju harxhonit miliarda atje. Vazhdojmë më tej. Ne e hoqëm ushtrinë ruse këtej. Në 1968 neve jo vetëm aq, por e braktisëm Traktatin e Varshavës. Një pyetje… Ju italianët, fqinjët tanë që po kujdesen për ne, a e pyetët veten ndonjëherë; more po ç’bëjnë këta shqiptarët e shkretë. Kanë nevojë për ndonjë gjë, si t’i ndihmojmë si t’i përkrahim.
Pra ju thoni se s’ka pasur asnjë lloj sinjali apo ngacmimi qoftë edhe indirekt?
Të them përgjigjen. Përgjigjja e z.Picoli ishte kjo, neve nuk bënim asnjë hap në drejtim tuaj sepse Shqipëria konsiderohej zonë e influencës sovjetike dhe ne nuk kishim guximin të bënim pakt ndaj Shqipërisë, sepse kishim frikën e Moskës. E dyta, mos harroni që në qeverinë italiane një rol vendimtar luan Partia Komuniste italiane, e cila ishte e lidhur me rusët dhe në asnjë mënyrë nuk pajtonte që ne të bëjmë një hap pozitiv ndaj Shqipërisë.
Atëherë, po ju a përmbys pyetjen. Në rast se do të kishte ardhur z. Alia, në 1968, një ofertë konkrete nga blloku perëndimor, ju do kishit thënë po?
Unë nuk di, mund të thonim, po dhe jam i bindur që do ta prisnim pozitivisht sepse ne më vonë vendosëm marrëdhënie me vendet ish-socialiste me të cilët u ndërprenë marrëdhëniet tona, dhe në vitet 80 vendosëm marrëdhënie me ta në fushën ekonomike, siç vendosëm marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe me Italianë dhe Francën, në një plan të interesit reciprok nuk kaluam ne në kredi, por në marrëdhënie reciproke, qoftë me Francën, qoftë me Italinë, Gjermaninë dhe vendet e lindjes. Ne filluam të veprojmë por, gjithmonë e theksoj, gjithmonë me doza të kujdesshme, kjo ka qenë taktika dhe politika jonë në atë kohë.
Me sa mbaj mend unë ato minireformat e liberalizmit, kryesisht në bujqësi dhe ekonomi, ju i keni nisur para rrëzimit të murit të Berlinit dhe besoj se kanë pasuar edhe zhvillimet në Perandorinë sovjetike me Gllasgosin dhe Perestrojkën, por më të vogla se reformat e Gorbaçovit. Perse erdhi ndryshimi me ritme të ngadalta.. doja t’ju pyes, ky ishte një vendim i udhëheqjes politike, apo një vendim i juaji personal?
Po. Për atë çka janë personale, unë i them siç thashë atë të Moskës. Të tjerat them, ç’kemi bërë të gjithë nuk vë gisht tek asnjeri. Lidhur me ndryshimet që bëmë. Një farë liberalizimi dhe disa ndryshime në ekonomi dhe të jetës politike në përgjithësi, nuk u diktuan vetëm nga rreziku i jashtëm apo influenca që mund të vinte, sepse ngjarjet e Berlinit erdhën vonë, ne reformat i filluam në ‘86. Po pse i filluam? Problemi është i thjeshtë. Duhet pasur parasysh që gjatë zhvillimit të vendit dhe ekonomisë, dëshira për të çuar para për të zhvilluar bujqësinë dhe ekonominë na kishte shtyrë në disa veprime pak të nxituara. Unë mendoj që ishte e nxituar kolektivizimi i bujqësisë, kolektivizimi total. Aq me tepër të një fshatarësi që s’kishte tokë. Më 1945, toka i përkiste pak njerëzve.
Edhe ata shqiptarë ishin?
Shumica s’kishin fare. Kolektivizimi ishte domosdoshmëri, por ekstremi ishte i panevojshëm. Nuk ishte e domosdoshme që ne t’ju merrnin fshatrave bagëtinë, dhe qumështin duhet ta merrte në kooperativë. Këto gjëra neve na detyruan që pas vitit 1986 bëmë disa reforma që u dhamë fshatarëve një pjesë të tokave të kooperativave, një pjesë të bagëtisë, hapëm tregun fshatar që të krijoheshin lehtësi. Këto ishin masa të druajtura, të kujdesshme, jo me vrull të madh. Dhe befas vjen Muri i Berlinit dhe muri shtroi problemin para nesh, që po krijohet një situatë e re. Që ne duhet t’i dalim para rreziqeve të tjera që mund ta dëmtonin zhvillimin e vendit tonë. Dhe për pasojë u mendua se reformat dhe mundësitë e zhvillimit të ishin më progresive.
Ndryshimet në Shqipëri mund të kishin ndodhur jashtë vullnetit tuja?
Nuk mendoj, duhet të bësh një hamendje të vështirë, të hamendoj për këtë gjë mund të ndodhin apo jo..
Mund të ndodhnin nëse nuk di nisnit procesin e liberalizimit të çedonit para studentëve në dhjetor, pra ishte i mundur këtu skenari i Rumanisë?
Unë nuk e shikoj atë rrezik në mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet. Kur ndodhi lëvizja e studentëve, unë doja të dija se ç’donin dhe me thirrën studentët për takim, në orën 1:30 pas mesnate, kam shkuar nga shtëpia në sallën e universitetit. Aty ishin nja 30- 40 veta dhe bisedova me ta dhe natyrisht unë nxora konkluzionet e mija.
Aty patjetër, kur unë bisedova me studentët, kur pashë atë… qëllimi im nuk ishte me që kjo lëvizje e studentëve të shuhej, nuk e kisha këtë synim. Mendimi im ishte që kjo lëvizje të organizohej të hynte në rrugën e mbarë, u thashë të shkonin nesër në universitet dhe pasdite mblidhuni të gjithë në Pallatin e Kulturës dhe do të vij dhe bisedoj atje konkretisht, shtroni çfarë të doni. Dëshira ime që lëvizja e studentëve t’i shërbente zhvillimit të vendit, të evitohej themelorja, të evitoja gjakderdhjen mos ndodhte, sepse për ndryshe në atë nervozizëm që kishte, qoftë nga e majta, jo nga e djathta më shumë. Mund të ndodhte një gjakderdhje që do ja kalonte asaj të Rumanisë, ku do vriteshin njerëzit rrugëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›