E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Kur marr vendime jam i ftohtë e pa emocione

 

Presidenti Bamir Topi ka rrëfyer në një intervistë për revistën dhe agjencinë amerikane të lajmeve ekonomike “US News and World Report” mënyrën se si ka ushtruar këtë funksion gjatë dy viteve të fundit dhe sa e ka ndihmuar e kaluara si akademik në këtë detyrë. “Presidenti duhet të jetë shumë protokollar, duhet të jetë shumë i ftohtë dhe pa emocione në marrjen e vendimeve. Ndërsa debati politik padyshim që të përfshin dhe në diskutime të gjata emotive. Unë e kam kaluar këtë krizë përtej, por nuk e di nëse është tejkaluar nga disa që më kanë parë ndryshe disa vite më parë”, theksoi kreu i shtetit. Por duke bërë një paralelizëm lojës së futbollit, Presidenti ka lënë të kuptohet se gjatë këtyre viteve në vendin e arbitrit mund të ketë dhënë ndonjë penallti kundër ish-ekipit të tij, Partisë Demokratike. “Kjo i ngjan lojtarit të një ekipi, që ka pasur tifozët e vet dhe pas karrierës futbollistike bëhet arbitër dhe do i duhet të japë ndoshta dhe ndonjë penallti kundër ekipit të vet, duke ndjekur rregullat e arbitrimit. Megjithatë unë ndjehem mirë. Jam i interesuar që të punoj fort për interesat e njerëzve dhe të Shqipërisë. Dhe fatmirësisht sot ne kemi shumë miq dhe besoj që ndër këta miq jeni dhe ju të dy”, tha kreu i shtetit. Gjatë intervistës Presidenti tha se gjatë këtyre dy viteve ka pasur ka pasur si prioritet të punës së tij reformën institucionale dhe në veçanti reformën në sistemin e drejtësisë. “Institucioni i Presidentit ka punuar me një intensitet të madh me takime të shumta brenda në Shqipëri, por edhe shumë takime në arenën ndërkombëtare. Jemi takuar me personalitetet më të rëndësishme të politikë ndërkombëtare, me përfaqësues të institucioneve më prestigjioze botërore, kemi zhvilluar një sërë vizitash zyrtare bilaterale. Natyrisht, brenda mundësive që të jep një pyetje e tillë, unë mendoj që kjo përgjigje ezaurohet në këtë kuptim”, theksoi Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›