E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java e Gjuhës Italiane sjell lëvizjen futuriste në Tiranë



Italishtja mes shkencës, artit dhe teknologjisë. Kjo është dhe tema e përzgjedhur për edicionin IX të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, manifestim i promovuar nga ministria e Punëve të Jashtme Italiane dhe nga Academia della Crusca, me qëllim përhapjen e gjuhës italiane nëpër botë. Nga 20 deri në 23 tetor, do të mbahen në Tiranë iniciativa të shumta dedikuar kësaj teme, të organizuara nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me disa institucione kulturore shqiptare si Fakulteti i Inxhinierisë dhe ai i Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Universiteti Europian i Tiranës, Teatri Kombëtar. Për të kujtuar 100-vjetorin e publikimit të Manifestit të Parë të Futurizmit, dy konferenca do të trajtojnë këtë lëvizje avangaurde nga pikëpamja artistike dhe letrare. Nga ana e tij, profesor Enrico Crispolti, historian i artit kontemporan që është eksperti më i mirë italian i Lëvizjes futuriste, do të inagurojë më 20 tetor, edicionin e IX të Javës me një referat me titull “Identiteti dhe karakteri histroik i Futurizmit”. Ndërsa profesor Matteo D’Ambrosio, pedagog letërsie në Universitetin “Federico II”, do të japë një bilanc kritik të poezisë dhe letërsisë futuriste. Do të prezantohet gjithashtu pranë Liceut Artistik “Jordan Misja“ në Tiranë një ekspozitë mbi veprën e një prej protagonistëve të Futurizmit, Mino Delle Site, e vënë në dispozicion nga Arkivi i Site dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ndërsa rreziku i madh sizmik i Shqipërisë dhe tragjedia e fundit e ndodhur në Abruzzo e bëjnë shumë aktuale ndërhyrjen që prof.arch. Mario Antonio De Cunzo do të mbajë më 22 tetor, mbi temën e restaurimit të objekteve kulturore në zona sizmike, mbi bazën e eksperiencës së tij si drejtor për provincat e Avellinos dhe Salernos pas tërmetit shkatërrimtar të 1980-s. Nga ana tjetër, shkencave politike do t’u dedikohet më 23 tetor pranë universitetit Europian të Tiranës, konferenca e prof. Gianfranco Pasquino, pedagog i Shkencave politike në Universitetin e Bolognas, student i Norberto Bobbio e Giovanni Sartori, me titull “Demokraci ideale dhe demokraci reale”. Argëtues do të jetë spektakli “Matematika në kuzhinë” që Compagnia Pupi e Fresedde – Teatro di Rifredi e Firences do të prezantojë më 20 tetor, në Teatrin Kombëtar në Tiranë, duke na ofruar një vepër interesante. Së fundmi do të projektohen disa filma, mes të cilëve “Ngjyrat e rinisë” mbi jetën e Umberto Bocioni, një nga piktorët më të mëdhenj të Lëvizjes Futuriste e “Enzo Ferrari”. Do të vazhdojë edhe këtë vit bashkëpunimi me ambasadën zvicerane në Shqipëri, që do të prezantojë më 22 tetor, një konferencë më parë në Shkodër dhe më pas në Tiranë të prof. Claudio Rossetti, drejtor i Fondacionit “Monte Verita” të Asconas, mbi temën “Monte Verita si vend takimi, i utopisë dhe avanguardës.

PANAIRI

400 mijë libra ekspozohen në stendat e Frankfurtit

Në qytetin gjerman të Frankfurtit po zhvillohet këto ditë Panari i Librit, i cilësuari si më i madhin botë për nga gama e gjerë e librave dhe autorëve që përfshin brenda tij. Aktualisht, sipas të dhënave, në panairin e sivjetëm do të marrin pjesë rreth 7 mijë ekspozues që prezantojnë 400 000 libra. Por pa hapur ende dyert panairi shkaktoi zhurmë me zgjedhjen e Kinës si të ftuarën e nderit, akt ky për të cilin parashikohet që qindra botues dhe tregtarë të librit nga Kina marrin pjesë në këtë eveniment pesëditor, përmes prezantimit të letërsisë dhe kulturës së vendit. Por jo të gjitha prezantimet janë sanksionuar nga Pekini dhe këtë e tregon fakti që edhe disidentëve dhe kritikëve kinezë u është dhënë hapësirë për të eskpozuar punët e tyre në këtë panair. Në fakt, çdo vit panairi i Librit në Frankfurt zgjedh një temë speciale dhe këtë vit kjo është Kina, gjë e cila ka shkaktuar kritika nga grupet për të drejtat e njeriut të cilët akuzojnë autoritetet e Pekinit se kufizojnë lirinë në letërsinë e shkruar. Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i Kinës, Xi Jinping në fjalën e hapjes së panairit tha se vendi i tij ishte i hapur ndaj elementeve që mbërrinin nga jashtë, por vetëm mbi bazat kulturore të Kinës.

KINEMA

“Transformers 2”, rikthehen robotët-makina të Stiven Spilbergut

Projeksionet e filmit të ri të regjisorit Bay nisin sot në kinemanë “Millennium”

Dy vjet pas betejës mekanike mes Autobotëve dhe Diseptikonëve, racat rivale të robotëve alienë rikthehen në ekranin e madh me episodin e tyre të dytë; “Transformers: Revenge of the Fallen” në shqip “Transformers: Hakmarrja e të Rënit”. I konfirmuar tashmë si një sukses i madh për nga shikueshmëria, filmi mbërrin edhe per publikun shqiptar, i cili ka mundësinë të ndjekë projeksionet e “Transformers 2” në ekranin e kinemasë “Millennium”, duke filluar që nga dita e sotme. I drejtuar sërish nga regjisori rebel i Hollivudit, Michael Bay, “Transformers 2” sjell më shumë autorobotë, aksion dhe një nuancë të lehtë humori mes skenave dramatike që shfaqen në ekranin e madh. Ngjarjet e këtij filmi vijojnë nga episodi i parë; nga njëra anë janë ata, “transformersat negativë” dhe në anën tjetër qëndrojnë robotët e mirë. Mes tyre, Megan Fox dhe djemtë e viteve ‘80. Makinat e këqija janë rikthyer dhe duan të pushtojnë planetin. Ato duan ta bëjnë këtë gjë jo vetëm nga hakmarrja por edhe sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Beteja është e tmerrshme. Sigurisht që specialisti i filmave të tillë, Michael Bay, i mëshon fort skenave të betejave me efektet speciale, por pa e lënë pas dore zhvillimin e ngjarjeve. Ndonëse “Transformers 2” vë më në pah robotët, edhe aktorët nuk mbeten jashtë zhvillimeve të filmit.
Njëri prej tyre, Tyrese Gibson thotë se “Ishte me të vërtetë një përvojë e pabesueshme pjesëmarrja në këtë projekt kolosal. Për mua është nder që kam mundësinë të punoj përkrah një regjisori si Michael Bay, nën kujdesin e Steven Spielberg.”

16 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›