E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Qeveria s'është keqinformuar për rrugën

Tiranë-Për të dytën herë qeveria është shprehur në lidhje me çështjen Basha, i cili është tashmë person i akuzuar. Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu përsëriti gjatë një konferencë për shtyp se "ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, është realizuar dhe mbështetur tërësisht nga Këshilli i Ministrave dhe nuk është veprim i shkëputur i Ministrisë së Transporteve, dhe ministrit të asaj kohe, Lulzim Basha. Pak kohë më parë në emër të Kryeministrit është shprehur edhe zëdhënësja e tij, Juela Meçani.

“Këshilli i Ministrave hedh poshtë pretendimet absurde se i ka marrë këto vendime në kushte të mos informimit të plote apo të keqinformimit nga ministri Basha”, tha Bregu, teksa shtoi se “këto janë trillime të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike apo ligjore, por që synojnë të rikthejnë në Shqipëri kohërat e dënimeve kolektive”.

Sipas Bregut, konsulenti nuk është bërë me tender, por në përputhje me ligjin, me prokurim të drejtpërdrejtë nga Këshilli i Ministrave. “Këshilli i Ministrave deklaron se në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk është keqinformuar dhe se ka disponuar informacionin e plotë dhe të nevojshëm për vendimet që ka marrë. Këshilli i Ministrave ka proceduar me vetëdije të plotë dhe përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese për miratimin e të gjitha vendimeve përkatëse në lidhje me ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash”, tha më tej Bregu.

Reagimi i saj vjen një ditë pas botimit në shtypin e përdithshëm shqiptar të dosjes së Prokurorisë për ministrin Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›