E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Çdo mjet demokratik, i lejueshëm për të siguruar zgjedhje të lira”

Autori i Lajmit: red.
Deputetët që kanë paralajmëruar grevë urie në mbrojtje të votës së lirë, edhe pse e konsiderojnë këtë masë si shumë ekstreme, shprehen se çdo mjet demokratik është i pranueshëm. “Duam që në zgjedhjet e ardhshme shqiptarëve t u miratohen votat e tyre dhe jo votat e dyshes Berisha-Rama. Dhe për këtë mund të përdoret çdo mjet demokratik që shpiptarët të shkojnë në zgjedhje të lira”, - theksoi dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ndërsa deputeti i kësaj partie, Dritan Prifti, sqaroi se për të pasur një qëndrim unanim, deputetë të LSI-së si dhe disa deputetë të partive të tjera parlamentare do të hyjmë në grevë urie në sallën e Kuvendit, ditën që do të diskutohet Kodi Zgjedhor në këtë sallë. “Nuk na ka mbetur asnjë rrugë tjetër demokratike, në një kohë kur kodi po miratohet nga dy partitë PS-PD. Çfarë kuptimi ka futja në zgjedhje, kur rezultati vendoset më përpara nga partitë në tavolinë. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër”, - tha Prifti. Sipas tij, procesi zgjedhor synon të cilësojë shumicën dhe jo atë që duan PS dhe PD, shumicën e votave të vjedhura të Dushkut. Prifti pohoi se nga sondazhet e bëra del se PS dhe PD kanë më pak se 50 për qind të elektoratit. Gjithashtu, ai informoi se të gjithë deputetët, të cilët kanë qenë dy ditë më parë dhe kanë takuar presidentin Topi si dhe i kanë lënë atij një letër, kanë konfirmuar faktin se janë në listë dhe do të jenë deri në fund në grevë urie. Ndërsa deputeti Luan Memushi, që i është bashkuar kësaj nisme, pohoi se është detyrë e çdo qytetari dhe përfaqësuesi të zgjedhur nga populli të respektojë demokracinë për të cilën luftojnë populli shqiptar dhe gjithë popujt e tjerë. Demokristiani Nard Ndoka theksoi ndërkohë se greva e urisë është masa e fundit demokratike. “Pa diskutim që greva e urisë është hapi i fundit. Askush nuk e dëshiron që deputetët e Parlamentit të Shqipërisë të mbyllen në grevë urie. Këto janë sinjalet e fundit të një diktature. Nëse arrihet deri aty ka një papërgjegjshmëri totale edhe nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, por edhe nga politika në tërësi”, - tha ai. Ndërkohë kreu i PDS-së, Paskal Milo, mohon të jetë listuar në listën e deputetëve që kanë paralajmëruar grevë urie. Edhe pse nuk e mbështet mënyrën se si u votua Kodi, ai pohon se greva e urisë është një masë ekstreme e tepruar.
Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›