E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Rama, fushatë denigrimi ndaj Tom Ridge

 

Zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu ka reaguar dje ndaj kreut të opozitës Edi Rama, duke e akuzuar atë se ka ndërmarrë një fushatë denigrimi ndaj ish-sekretarit amerikan për sigurinë Tom Rigde. Në një konferencë për shtyp, Bregu theksoi se “Këto ditë, Edi Rama, ka ndërmarrë një fushatë të ulët, denigrimi ndaj zotit Tom Ridge, njërit prej politikanëve e personaliteteve më të vlerësuar në fushën e sigurisë, ish-guvernatorit të Pensilvanisë dhe Sekretarit të I-rë për Çështjet e Sigurisë së Presidentit amerikan Bush. Siç është bërë e njohur, ish-sekretari dhe guvernatori Tom Ridge, në një moment tejet të rëndësishëm për sigurinë e Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë, u kontraktua në përputhje me ligjet e vendit nga qeveria shqiptare si këshilltar i kryeministrit dhe qeverisë për çështjet e sigurisë së vendit”. Sipas Bregut, sekretari Ridge me eksperiencën e tij të gjatë si guvernator i njërit prej shteteve me të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sekretar i parë i SHBA-së për çështjet e sigurisë, me këshillat, sugjerimet e idetë e tij i dha një ndihmë e mbështetje qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në tërësi, në fushën e sigurisë dhe përmirësimit të imazhit të vendit në këtë drejtim. “Rama që kërkon të bindë shqiptarët se Tom Ridge me veprimet e tij në Shqipëri paska përbërë rrezik, që me sulmet e tij të shfrenuara tenton t’i shpallë veprimet e ish-sekretarit Ridge si një kërcënim për sigurinë e vendit, dëshmon se me këto qëndrime vazhdon ison e atit të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, i cili për 45 vjet ua serviri shqiptarëve SHBA-në, vendin e madh të lirisë, si rrezikun kryesor të tyre”, vijoi më tej Bregu. E pyetur gjatë konferencës për shtyp, se me çfarë statusi ishte Damir Fazlliç në një takim të marsit të kaluar në krah të Tom Ridge përballë ministrave të kabinetit qeveritar, Bregu tha se: “Besoj se këtë njoftim e keni edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes. Ka pasur një njoftim zyrtar të publikuar edhe në gazetën “Ushtria” dhe në të gjitha njoftimet thuhej që sekretari i Shtetit dhe Këshilltari Tom Ridge shoqërohej nga biznesmeni Fazlliç”. Bregu bëri të ditur gjithashtu, se e ka takuar biznesmenin gjatë forumit të “Crans Montana” në Sarajevë. “Jam takuar me Damirin në forumin “Crans Montana” në një moment, kur ai po përshëndetej bashkë me pjesëmarrës të tjerë, që ishin në këtë forum dhe mund të them se zotin Fazlliç e njoh që nga viti 2005", përfundoi Bregu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›