“Sulmi ndaj Prokurorisë, kërcënim për demokracinë”
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste e sheh përplasjen e fundit të institucioneve për çështjen Fazlliç si kërcënim për demokracinë në vend, duke fajësuar për këtë kryeministrin Berisha. Në konferencën për shtyp, kryesocialisti Edi Rama akuzoi direkt kryeministrin, duke shtuar se ai po bën këtë për të mbrojtur “marifetçiun Damir Fazlliç”. “Akti i kërcënimit të hapur publik të Prokurorisë së Republikës, për të marrë në mbrojtje një nga shëmbëlltyrat më ordinere të botës së interesave të paligjshme dhe për ta bërë këtë në emër të mbrojtjes së të gjitha fijeve të interesave të paligjshme, që lidhin klanin Berisha me këtë personazh, është në vetvete një kërcënim për lirinë dhe demokracinë në këtë vend. Ky është thelbi i çështjes dhe këtu nuk është e cenuar thjesht dhe vetëm Prokuroria, por demokracia”, deklaroi Rama. Sipas tij, “kjo është në vetvete një shprehje e lartë e rrezikut shoqëror që përfaqëson Sali Berisha dhe ky klan, i cili është vënë tërësisht në dispozicion të këtyre interesave të paligjshme dhe që për fat të keq, nuk përfaqëson jo interesat e Shqipërisë në tërësi, por as interesat e atyre që më 3 korrik të 2005 votuan për ndryshimin, votuan për antikorrupsionin dhe duart e pastra. Duar më të ndotura në procese tërësisht të deformuara, për qëllime të një grushti njerëzish, Shqipëria nuk ka parë në këto 17 vjet”. Për kryesocialistin këto janë fakte që flasin për kapjen e shtetit nga një grup klanor për interesa personale. “Këto janë duart e Sali Berishës dhe klanit Berisha, që është një miks interesash politike dhe klinteliste dhe që ka kapur qeverinë, shtetin, pasi është vetëkapur në bashkëpunim me personazhe si ky i fundit, që është vetëm njëri nga grup personazhet, që për fat të keq bëjnë ligjin në Shqipëri, duke anashkaluar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, theksoi Rama. Ai shmangu nga akuzat amerikanin Tom Ridge, duke theksuar se, “s’e kam përmendur, as s’e përmend dhe as hyn në horizontin e vëmendjes sime”. Në të njëjtën kohë Rama hodhi poshtë çdo mundësi njohjeje me boshnjakun Fazlliç. “Nuk kam asnjë njohje me këtë mashtrues ballkanik dhe për fat të mirë, jam tërësisht refuzues ndaj këtij soji, që është soji i miqve dhe klientëve të Sali Berishës, ministrave të tij. Është soji që dikton politika qeverisëse, që realizon lidhjen e Sali Berishës me botën e interesave të paligjshme dhe që funksionon vetëm në emër të këtyre interesave, që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesat e Shqipërisë, të shqiptarëve dhe të së ardhmes sonë të përbashkët”, u shpreh Rama.
LSI: Sulm i paprecedent ndaj Akuzës
LSI-ja në mbrojtje të Prokurorisë shqiptare, duke mbështetur hetimin e nisur nga organi i akuzës shqiptare. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, përplasjet e fundit ndërmjet institucioneve e cilësoi si një sulm të paprecedent të Ekzekutivit ndaj organeve të pavarura të drejtësisë. “Nga dje Ministria e Brendshme që është shndërruar në një polici politike antiligj të Berishës, është ngarkuar me përgjegjësi tepër të rënda për të cilat do të përgjigjet deri në fund herët apo vonë. Drejtësia shqiptare dhe Prokuroria shqiptare duhet të vazhdojnë pa asnjë hezitim punën e tyre për të zbardhur të gjithë këtë aferë mafioze kryeministrore të përmasave shumë të mëdha”, theksoi Vasili. Sipas tij, Prokuroria në këtë nismën gëzon mbështetjen e plotë të LSI-së, por edhe të 3 milionë shqiptarëve, të cilët “sepse duan të jetojnë jo në një shtet të kapur dhe jo nën thundrën e një kaste të rrezikshme që ka kapur për gryke Shqipërinë dhe po e mbyt”.