E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Bllokim pronave të Fazlliç

 

Fatos Mahmutaj

Hipotekat, Doganat, Tatimet, Qendra Kombëtare e Regjistrimeve dhe Agjencia e Prokurimeve Publike janë pesë institucionet shtetërore, krahas 19 bankave që funksionojnë në vend, të cilat duhet t’i kthejnë përgjigje Prokurorisë së kryeqytetit për pasuritë e biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Prokurori që ka marrë në dorë dosjen e Fazlliçit, ka firmosur mëngjesin e së premtes kërkesën për verifikimin e pasurive të Fazlliçit, nëpër këto institucione dhe bllokimin e menjëhershëm të tyre, në mënyrë që t’i japë mundësinë organit të akuzës të vendosë në gjykatë sekuestro preventive për këto pasuri. Shkresa tip, e cila i është dërguar Hipotekës përmban numrin e protokollit 6107 dhe datën 10 tetor 2008. Në të është shënuar se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka në hetim procedimin penal me numër 3258 regjistruar më datë 7 tetor 2008, në ngarkim të shtetasit Damir Fazlliç, për veprën penale të “pastrimit të produkteve të krimit”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Shkresa
“Në funksion të këtyre hetimeve kërkojmë të verifikoni dhe bllokoni të gjitha pasuritë e paluajtshme në të gjitha Zyrat Vendore të Regjistrit të Pasurive në Republikën e Shqipërisë, ku janë pronarë të vetëm ose bashkëpronarë shoqëritë: “Crown Acquisitions shpk”; “SRF Development shpk”; “Rompetrol-Albania sha”; “Aplha shpk”; “Virtu Acquisitions shpk”; “DF Trade Limited shpk”; “Reno Albania shpk” dhe “Rompetrol Distribution Albania shpk”. Hetimet kanë nxjerrë se Fazlliçi në këto kompani është ortak ose anëtar i grupit mbikëqyrës. Burime të Hipotekës, të kontaktuar nga gazeta, pohuan se do të zbatojnë ligjin njëlloj si për çdo çështje tjetër. Sipas tyre, institucioni i Hipotekës ka pasur gjithmonë bashkëpunim të frytshëm me Prokurorinë, të cilin do vazhdonte ta kishte edhe në të ardhmen. Organi i akuzës sqaroi dje se të gjithë institucioneve u është kërkuar të verifikojnë, çfarëdolloj dokumentacioni, që disponojnë në të cilat ndodhet emri i ndonjërës prej shoqërive, apo të hetuarit Damir Fazlliç.
Hetimi
Ndërkohë pritet që gjatë ditës së sotme hetuesit e çështjes të nisin nga puna për dokumentimin e pasurive të biznesmenit serbo-boshnjak, në mënyrë që prokurori, që po drejton hetimet t’i drejtohet gjykatës për sekuestrimin e tyre deri në sqarimin e çështjes. Po kështu, pritet që t’i dërgohet e njëjta shkresë kompanive celulare dhe telefonisë fikse në vend për të sekuestruar tablatet e numrave, me të cilët dyshohet se ka komunikuar Damir Fazlliç. Burime të organit të akuzës pohojnë, se gjatë ditës së sotme presin përgjigjen e pjesës më të madhe të shkresave dërguar institucioneve, ndërsa mendohet se në vend ekzistojnë edhe biznese të tjera, në të cilat është përfshirë emri i biznesmenit që prej një jave ka shkaktuar kaos në politikën shqiptare dhe atë të vendit të vet, Bosnjë. Aktualisht ai ndodhet nën hetim në Tiranë për “pastrim parash”, akuzë për të cilën u shoqërua në polici në Sarajevë, pak ditë më parë.

kerkesa e prokurorise

Kompanitë e Fazlliçit

Crown Acquisitions shpk
SRF Development shpk
Rompetrol-Albania, sha
Aplha shpk
Virtu Acquisitions shpk
DF Trade Limited shpk
Reno-Albania shpk
Rompetrol Distribution Albania shpk

Institucionet

Hipoteka
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
Qendra Kombëtare e Regjistrimeve
Agjencia e Prokurimeve Publike
19 bankat që funksionojnë në vend

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›