E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Hoxha në 100 vjet

Ramiz Alia 

Më 16 tetor të vitit 2008 Enver Hoxha mbush 100 vjet, që nga dita e lindjes. Në këtë përvjetor-jubile, ai do të kujtohet, jo vetëm nga shokët e miqtë e tij, por edhe nga të gjithë shqiptarët, sepse E. Hoxha të gjithë jetën e tij ia kushtoi Shqipërisë, lirisë, pavarësisë e përparimit të saj. Gjatë një gjysmë shekulli ai udhëhoqi popullin shqiptar në betejat e mëdha për Çlirimin kombëtar e progresin shoqëror. 
E. Hoxha përfaqëson një personalitet madhor të historisë sonë kombëtare. Roli i tij historik shfaqet në radhë të parë në kontributin që ai ka dhënë për sigurimin e lirisë e të pavarësisë së atdheut tonë. Lufta NÇL që solli çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë, përbën faqen më të ndritur në historinë e popullit shqiptar. Askush, as ‘’specialistët’’ e ngarkuar për mohimin e çdo vlere të së kaluarës, në emër gjoja të “rishkrimit’’ të historisë, nuk mund ta mohojnë e as ta vënë në dyshim këtë të vërtetë të shkruar me gjakun e mijëra e mijëra dëshmorëve, me vuajtjet e një populli të tërë, që s’u përkul, por i bëri ballë me guxim terrorit të pushtuesve italo-gjermanë dhe veglave të tyre.
E.Hoxha ishte në krye të kësaj lufte, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇL. Ai nuk e udhëhoqi këtë luftë nga kabinetet e strehimet e sigurta, por në krye të partizanëve, duke frymëzuar guxim e vendosmëri, atëherë kur pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre mbillnin frikë e disfatizëm. Rezultati kryesor i Luftës Nacionalçlirimtare ishte i dyfishtë: ajo solli çlirimin e vendit dhe hapi rrugën për vendosjen e pushtetit të ri të dalë nga lufta popullore.
Një rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit tonë ka pasur  vendimi për të bashkuar luftën antifashiste të vendit tonë me atë të Koalicionit Antifashist Botëror që udhëhiqej nga SHBA, Bashkimi Sovjetik dhe Anglia. “Shqipëria, do të shkruante F.Noli më 1945, do të ishte coptuar padyshim. Desh Perëndia, duallnë në shesh, partizanët me Enver Hoxhën në krye dhe jo vetëm e nxuarrnë Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, po e vunë pranë të gjallëve, pranë aleatëve.”
Këtë fakt, vendosjen në anën e fitimtarëve e jo të humbësve (me të cilët u lidhën ballistët e bashkëpunëtorë të tjerë) e harrojnë “specialistët-kritikë” të Luftës NÇL dhe të E. Hoxhës. Bashkimi me Aleatët e Mëdhenj i siguroi shtetit të ri shqiptar që doli nga lufta një status të barabartë më atë të kombeve që bënin pjesë në Koalicionin e Madh Antifashist Botëror.
Me këtë status shkoi delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1946. Atje, i frymëzuar nga dashuria për atdheun e tij, E. Hoxha mbrojti me vendosmëri interesat kombëtare dhe hodhi poshtë pretendimet e përfaqësuesit grek Caldaris lidhur me të ashtuquajturin Vorio-Epir. “Delegacionin e vet, tha E. Hoxha, Shqipëria nuk e ka dërguar këtu për të dhënë, por për të kërkuar llogari.”
Kjo deklaratë shprehte thelbin e politikës së jashtme që Shqipëria do të ndiqte në të ardhmen, në qendër të së cilës do të ishte parimi i ruajtjes së sovranitetit të plotë kombëtar. Duke ndjekur me besnikëri këtë parim, u frymëzuan qëndrimet e njohura të qeverisë shqiptare kundër përpjekjeve që janë bërë nga lindja apo perëndimi, qysh nga çlirimi i vendit dhe më pas, kundër lirisë e pavarësisë kombëtare të popullit tonë. Kjo qëndresë ndaj diktateve e politikave social-imperialiste përbën një nga faqet e ndritura të pavarësisë dhe integritetit tonë kombëtar.
Asnjëherë Shqipëria nuk e gëzoi dhe përjetoi realisht pavarësinë e saj sa  në epokën që mban emrin e Enver Hoxhës. Ishte e barabartë në mes të barabartëve, fitoi dinjitetin që i takonte duke sfiduar superfuqitë dhe lakmitë shoviniste të fqinjëve. Ngriti dhe forcoi si asnjëherë, në shkallën më të lartë ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare, besimin në forcat e veta, në vazhdën e mësimeve të Rilindësve.
Kosova ishte dhe mbeti përngaherë pjesë integrale e patriotizmit të thellë të E. Hoxhës. Ai pati për kauzën e saj një përkushtim të vazhdueshëm, duke ndjekur një politikë kombëtare, realiste e largpamëse, duke përdorur e shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe rrethanat e mundshme në kontekstin e ndërlikuar gjeopolitik të pasluftës. S’ka dyshim, se pavarësia e Kosovës që u arrit pas aq sakrificash, pas luftës së guximshme të popullit të Kosovës, mban brenda saj edhe kontributin madhor të mendimit politik dhe të veprimeve të drejta të E. Hoxhës.
Roli historik i E. Hoxhës lidhet, jo vetëm me luftën çlirimtare dhe mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së vendit gjatë pesë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, por edhe me kontributin parësorë që ka dhënë për zhvillimin e përparimin e gjithanshëm të vendit tonë. Në fakt nuk ka asnjë vepër të madhe, asnjë reformë apo program qeveritar në fushën e zhvillimit ekonomik, në atë kulturor a social që të mos ketë qenë pjesë e mendimit dhe e vizionit të tij.
Gjatë pesë dekadave të pasluftës ndryshimet në vendin tonë kanë qenë shumë të mëdha, si rezultat i përpjekjeve kolosale që ka bërë gjithë populli ynë për të dalë në rrugën e përparimit. Padyshim nuk u ‘’arritën qiejt’’, por jeta e shqiptarëve ndryshoi rrënjësisht. E.Hoxha edhe në këtë drejtim ka dhënë një kontribut të veçantë. Idealin e tij komunist për një botë të re dhe për një shoqëri humane, e vuri në shërbim të interesave të popullit shqiptar, të emancipimit e të progresit të gjithanshëm të tij, duke e shpëtuar nga shtypja dhe shfrytëzimi i regjimeve të kaluara. Ai kreu një akt të madh patriotik e demokratik me politikën e filozofinë e tij revolucionare për t’i kthyer punëtorët e fshatarët e Shqipërisë në forcën lëvizëse të jetës shqiptare. Me ta dhe për ta, ai realizoi reformat e thella ekonomike e politike, sociale e kulturore, që duke kapërcyer prapambetjen dhe padijen shekullore, i dhanë Shqipërisë fizionominë e një vendi të përparuar.
E.Hoxha krijoi një shtet të vërtetë, në të gjitha parametrat me standardet bashkëkohore, një shtet të popullit që siguroi qetësi dhe stabilitet që s’i kish njohur kurrë Shqipëria. E bëri punën përmbajtjen kryesore të jetës së shqiptarëve dhe falë kësaj zgjoi energji të jashtëzakonshme, që i vuri në shërbim të progresit e ndërtimit të gjithanshëm të Shqipërisë.
E.Hoxha doli në krye të vendit si rezultat i një revolucioni të madh, që përfshinte Luftën Antifashiste NÇL dhe periudhën e ndërtimit socialist. Ai është produkt i kësaj epoke historike dhe, natyrshëm, ka vendin kryesor në zhvillimin e Shqipërisë, në vlerat e saj, por edhe në dobësitë e saj. Ai nuk mund të hidhet poshtë me disa slogane propagandistike, që synojnë ta paraqesin si të keqen e madhe të këtij kombi, ashtu siç nuk mund të hyjnizohet, duke e paraqitur si të pagabueshëm në gjithë veprimtarinë e tij.
Dihet se në histori nuk ka pasur dhe nuk ka revolucione të pastra. Çdo revolucion në rrugën për arritjen e qëllimeve të veta ka pasur gabime dhe ekstremizma të ndryshme. Nga ana tjetër, dihet se çdo njeri gjatë jetës së tij bën gabime, të vogla ose të mëdha, sipas vendit dhe rolit që luan në shoqëri. Pa i pasur parasysh këto të vërteta nuk mund të analizohet me objektivitet figura e E.Hoxhës.
Duke e vështruar Shqipërinë e kohës së E.Hoxhës nga kuota e lartë e historisë nuk mund të mos konstatohet, se pavarësisht nga baticat e zbaticat, gabimet dhe fajet njerëzore, teprimet dhe subjektivizmat, rezultantja e përgjithshme që mund të hiqet është pozitive. Historia në gjykimet e saj objektive s’ka si të mos e njohë dhe çmojë këtë arritje madhore. Mjafton të kujtojmë disa nga treguesit e progresit që arriti Shqipëria nën drejtimin e E. Hoxhës. Pushteti i tij e gjeti Shqipërinë me 800.000 banorë dhe e la me 3.500.000. E gjeti me 80 % të popullsisë analfabete dhe e la me një popull të arsimuar e të kulturuar. E gjeti nën dritën e kandilit dhe të bishtukut dhe e la të elektrifikuar në të katër anët e vendit. E gjeti të mbuluar nga kënetat dhe e la me toka të sistemuara dhe prodhimtare. E gjeti të pllakosur nga sëmundjet kronike si malaria, sifilizi, tuberkulozi dhe e la të pastruar e të shpëtuar nga lëngata e tyre. E gjeti gruan shqiptare të skllavëruar e të mbyllur nga fanatizmi e prapambetja dhe e la të lirë, të emancipuar e të shkolluar. E gjeti me një popullsi të plakur parakohe dhe e la me një popullsi  nga më të rejat e më vitalet në kontinent dhe me një jetëgjatësi mesatare mbi 70 vjet. E gjeti me një aradhe intelektualësh me arsim të lartë dhe e la me një armatë mjekësh, inxhinierësh, agronomësh, mësuesish etj. E gjeti me një forcë ushtarake inekzistente, që të kujtonte një ushtri operetash, dhe e la me një ushtri kombëtare moderne, me forca tokësore, ajrore e detare të një gatishmërie të lartë.
Por mbi të gjitha Shqipëria e E.Hoxhës do të mbetet në histori si Shqipëria e progresit ekonomik, jo duke e krahasuar dhe gjykuar me standardet dhe parametrat e vendeve të zhvilluara evropiane, por me realitetin e saj social-ekonomik, që e gjeti pushteti popullor më 1944. Dhe Shqipëria më 1944 ishte një vend tmerrësisht i prapambetur, me një bujqësi primitive, me toka që kryesisht u takonin bejlerëve dhe agallarëve, me një fshatarësi të shtypur e patokë, një bujqësi që përdorte si mjet pune vetëm parmendën. Nën shtetin e E.Hoxhës bujqësia dhe fshati shqiptar pësuan ndryshime të jashtëzakonshme. Zbatimi i Reformës Agrare, që ia dha tokën atij që e punonte, i hapi rrugën mëkëmbjes dhe progresit të fshatarësisë shqiptare. Bujqësia u vu mbi baza shkencore, u mekanizua e u sistemua, u pasurua me toka të reja dhe rregullisht u rritën rendimentet e prodhimit. Shkolla, vatra e kulturës dhe institucionet shëndetësore u bënë pjesë e fshatit shqiptar dikur të mbytur në injorancë e prapambetje.
Tregues kuptimplotë i progresit të Shqipërisë nën pushtetin popullor është industrializimi i vendit. Nga një vend punishtesh dhe fabrikash të vogla, larg industrializimit të vërtetë, arriti të ngrejë një industri të tërë shumëplanëshe, nga industria ushqimore deri te industria metalurgjike, me uzina e kombinate, me miniera produktive. Pjesë e këtij realizimi të madh social-historik është elektrifikimi total i vendit brenda një kohe rekord, rast ky i rrallë i krahasuar edhe me vende të tjera. Eshtë drita e hidrocentraleve të Fierzës e të Komanit,  të Vaut të Dejës e të Bistricës që vazhdojnë të ndriçojnë edhe sot e kësaj dite shtëpitë e shqiptarëve.
Por fati i industrisë shqiptare në kohën e tranzicionit do të ishte tragjikomik. Asaj iu vu kazma dhe u braktis nga forcat “revanshiste”, një akt ky hakmarrës i paprecedent ndaj një pasurie të madhe kombëtare të ngritur me djersën dhe gjakun e popullit. Dhe e gjithë kjo barbari vetëm për faktin se ato ishin vepra të ndërtuara në kohën e Enverit. Aktualisht “hakmarrja” po shtrihet edhe në fusha të tjera: Në emër të “rishkrimit të historisë” revanshizmi synon të “varrosë” Luftën NÇL dhe udhëheqësit e saj, të çmontojë bustet e monumentet e Heronjve të kësaj lufte, siç ndodhi me Heronjtë e Vigut në Shkodër, të ndalojë shfaqjen e filmave, si dhe të muzikës e të arteve figurative të krijuara gjatë viteve të socializmit!? Ndërkohë revanshistët po “ringjallin” M.Frashërin e H.Matjanin dhe diversantët e dërguar nga ajri e nga toka për të vrarë e djegur shqiptarët po i dekorojnë si “pishtarë të demokracisë”!?.
E. Hoxha në historinë shqiptare krijoi shëmbëlltyrën e një udhëheqësi me integritet të lartë patriotik, moral e intelektual që u shqua për urtësi e largpamësi, që nuk u pajtua asnjëherë  me padrejtësinë dhe gënjeshtrën, me kompromisin dhe amoralitetin. Ai bëri një jetë të thjeshtë e të ndershme, mbajti lidhje të ngushta me popullin , u doli zot halleve të tij.
E.Hoxha ishte një intelektual i një stature të lartë, njeri erudit, me interesa të gjëra dhe kulturë solide. Ai ndiqte me vëmendje dhe dinte të përfitonte nga proceset dhe dukuritë progresiste të fushës së dijes dhe të arteve që zhvilloheshin në botë. Zhvillimi i kulturës, shkencës dhe arteve në Shqipëri nuk mund të kuptohet pa kujdesin dhe politikën e drejtë që ndoqi ndaj intelektualëve të këtyre fushave. Akuzat banale dhe bajate që i bëhen sot nga propaganda revanshiste janë falsifikime të së vërtetës.
Në 100-vjetorin e lindjes E. Hoxha do të kujtohet me respekt nga të gjithë njerëzit e ndershëm, nga luftëtarët antifashistë dhe gjithë patriotët e vendit tonë. Të gjithë do ta kujtojnë me nderim veprën dhe rolin e tij historik për lirinë e pavarësinë, si dhe për zhvillimin e përparimin e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›