Bumçi: Rama urdhëroi Prokurorinë për Fazlliç
Partia Demokratike akuzoi dje Edi Ramën se qëndron pas urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetasit Damir Fazlliç. Sipas zëdhënësit të grupit të PD-së, Aldo Bumçi, “Rama, i cili i serviri për javë të tëra shqiptarëve aksidentin fatal të një qytetari për vrasje politike dhe kjo është shumë e rëndë dhe ende nuk u ka kërkuar të falur as familjarëve të të ndjerit dhe as qytetarëve që i nxori në protestë, sot u faktoi edhe njëherë qytetarëve shqiptarë se mbrapa shpifjeve dhe trillimeve, si dhe urdhrit për ndalimin e shtetasit britaniko-boshnjak në aeroport në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, qëndron ai dhe vetëm ai”. Pas deklaratës së zëdhënësit të grupit të PD-së, ka reaguar dje edhe zëdhënësja e kryesisë së PS-së. “E sigurojmë Aldo Bumçin se zelli me të cilin ai i shërben klanit Berisha, nuk do ta shpëtojë dot nga detyrimi për t’u rrëfyer përpara organeve të drejtësisë lidhur me shpërdorimin e detyrës si ministër i Drejtësisë, për të favorizuar trafikun e armëve”, theksoi dje Kodheli.