E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një republikë e çuditshme miqsh

Skënder Minxhozi 

Damir Fazlliç erdhi dhe iku. La pas një vazhdë polemikash, të cilat duket se kryejnë të gjitha të njëjtën rrugë. Ndizen, përflaken e mbajnë pezull disa ditë publikun me tituj gazetash e sherre në parlament, e më pas shuhen. Kujtoni se sa fort u debatua tre javë të shkuara për vdekjen e Kosta Trebickës! Shikoni edhe sesi gjithçka u arkivua sapo një ekspert amerikan që s’dihet se nga zbriti, vuri vulën e aksidentit mbi dosje. Shumëkush në qeveri, duke e njohur thellë memorien e shkurtër kolektive të shqiptarëve, pret që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Fazlliçin. E ky është fenomeni i vërtetë që s’na le të ngrihemi në këmbë si komb e t’i vëmë emrin që ka të keqes, sa herë që ajo shfaqet.
Po rrëshqasim, ose më mirë kemi rrëshqitur tashmë, në modelin e shtetit që del tërësisht jashtë kornizës ligjore dhe etike dhe që krijon ‘modelin’ e tij, me forcën e imponimit të pushtetit që ka marrë dikur nga zgjedhësit. Nuk luftohet më korrupsioni, sepse me të merren zyrtarët dhe familjarët e tyre, nuk respektohet më ligji, sepse atë e thyen orë e çast qeveria dhe shefi i saj, nuk respektohet më angazhimi themelor për një përdorim të ekuilibruar dhe të përgjegjshëm të pushtetit, pasi vetë pushtetarët kanë dalë jashtë çdo skeme përgjegjësie dhe detyre shtetërore. Kemi një kryeministër që kërkon të sjellë në parlament një shtetas të huaj, që vetëm pak orë më parë e gjithë bota e ka parë në kronika dhe foto me pranga në duar, kemi një ministër të Jashtëm që bredh botën pa imunitet, pasi mbi të rëndojnë akuza të rënda për kundërvajtje ligjore, kemi një aparat shtetëror që nuk ngurron të kthehet në eskortë dhe mburojë të një trafikanti megjithë soj e sorollop, kemi një maxhorancë, e cila duket e kapur krejtësisht peng dhe e hipnotizuar nga amoku frojdian i liderit të saj. Kemi e çnuk kemi, por një gjë ama s’e kemi – s’kemi më asnjë fije nga ajo shpresa e dikurshme se këta që erdhën në pushtet në vitin 2005, janë diçka më ndryshe sesa ata që ishin atëherë dhe që anatemoheshin si e keqja sublime e ngritur në piedestalin e pushtetit.
Kjo shumicë e sheh sot veten në hullinë e vjetër të socialistëve, në pjesën e fundit të mandatit të socialistëve, më saktësisht, që shumëkush e kujton si një kohë kur skandali dhe akuzat ndaj qeverisë s’kishin më asnjë vlerë, sepse vetë qeveria nuk reagonte më. Bjerrja e përgjithshme dhe humbja e aftësive reaguese të shtetit të asaj kohe, vërehet frikshëm sot, kur deklaratave hokatare, sa edhe skandaloze të Sali Berishës, se Fazlliçin e ka mik dhe se mund ta sjellë edhe në Kuvend, i pason një heshtje dhe një përkorje skandaloze e gjithë ambientit politik që rrethon kreun e qeverisë. Asnjë nuk del nga rreshti, askush nuk habitet, aq më pak revoltohet apo ka dëshirë të protestojë apo të kundërvihet disi. Ndodhemi në fazën finale të kapjes së shtetit, kur gjithfarë trafikantësh mund të vijnë të ulen në mbledhjet e qeverisë, kur ata zbresin me “Charter” dhe ruhen me policë nga prokurorët e gazetarët e megjithatë, asnjeri nuk e ndjen se duhet të thotë diçka. Tashmë mund të thuhet pa pikë mëdyshjeje, se angazhimit solemn të së djathtës për të kthyer në pushtet seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e nëpërkëmbur nga socialistët, s’i ka mbetur më as edhe një grimë nga shkëlqimi i atyre kohërave kur opozita e dikurshme i bënte të hynin poshtë tavolinave zyrtarët e djeshëm të Nanos, Metës e Majkos. Kjo ish-opozitë është bërë sot shprehja më e koncentruar e arbitraritetit dhe papërgjegjshmërisë në krye të shtetit. Ky shtet nuk pulson më, nuk dëgjon dhe nuk shikon. Shqisat e tij janë topitur, ashtu si edhe aftësia e tij për të korrigjuar diçka nga mëkatet që po merr përditë mbi shpinë.
Në vetvete kjo është shenjë e një dekompozimi politik në një stad të avancuar. Ai spektakël që sot shitet për forcë (Fazlliçin ua sjell edhe këtu!), ajo shpërkujdesje sipërfaqësore, ato batuta mediatike të menduara paraprakisht me vete 100 herë, ajo shpërfillje totale e çdo ligji dhe kanuni është në fakt një shenjë e pakthyeshme dobësie. Kemi pasur boll raste për kuptuar këto njëzet vjetët e fundit, se ky stil i të bërit politikë dhe i të qeverisurit, mund të jetë gjithçka, përveçse afatgjatë. Kryeministri është i bindur mesa duket, se mbajtja e historisë së Fazlliçit në kufijtë e një barsolete, që mund të kalohet me tre batuta dhe dy shaka ‘rastësore’ para kamerave, mund ta ndihmojë disi që të shmangë thelbin e vetë skandalit. Le ta mbajë bindjen e tij, megjithëse është tepër e vështirë që dikush të të duartrokasë kur mburresh se ke miq si Damir Fazlliçi. Problemi i vërtetë është se këtë lloj personazhi e konsideron mik kryeministri i vendit, ai që do të duhej të na tregonte sesi nuk duhet shkelur ligji dhe sesi duhet respektuar e forcuar morali i politikës në këtë vend. Berisha po lodhet duke i bërtitur shqiptarëve nga ekranet ‘bëni si ju them unë, por mos bëni si bëj unë’. Ai po lodhet duke sfiduar orë e çast inteligjencën e tyre, duke u munduar t’ua shesë ‘rërën për farë’, siç thotë Noli.
Zoti Berisha ka ngritur një republikë të çuditshme miqsh. Të atij lloji miqsh të cilët edhe arrestohen, edhe pozojnë ngjitur më ish-ministra të Xhorxh Bush, edhe akuzohen për një mijë e një të zeza, edhe i qasin në mbledhje qeverie në një vend tjetër nga ai i tyre, ku raportohet për kufijtë shtetërorë, për armatimet, forcat ushtarake, policinë etj., etj, të cilët edhe vijnë nga larg me avion, edhe flasin gjuhën e një kryetari lokal të PD-së. Ky lloj miku duhet të jetë shumë i afërt, përderisa ka këtë lloj kartabianke në dorë. Kryeministri ka vendosur të na e bëjë identikitin e tij jo duke thënë çfarë ai përfaqëson, por duke kërcënuar të na tregojë se çfarë përfaqësojnë kundërshtarët e tij politikë. Le ta bëjë urgjent këtë të dytën (është tre vjet i vonuar në këtë mision), por ama mos të harrojë ta bëjë edhe atë të parën. Të na tregojë pse Damir Fazlliç është sot miku i tij prej 50 milionë eurosh, që po mbështetet kaq fort edhe në kohë furtune si kjo e tanishmja. Ndoshta pas kësaj, të gjithë do të jemi më të qetë për ato që na kanë parë sytë e dëgjuar veshët këto ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›