E Shtunë, 31 Tetor 2026

G7, siguri për bankat

ADRIAN CIVICI 

Pikëpyetjet dhe shqetësimet e të gjithëve në këto  momente të vështira të krizës së frikshme financiare, duket se tashmë morën një përgjigje qetësuese. “Menaxherët kryesorë të financave botërore”, respektivisht ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të 7 vendeve më të fuqishme e më të industrializuara të botës, duket se po dalin “garant” për shpëtimin e tregjeve financiare nga kriza aktuale. Me anën e një deklarate, të cilësuar “e ftohtë e koncize”, por me emër zyrtar “reagim emergjent antikrizë”, shtatë të mëdhenjtë ranë dakord të premten e kaluar në Washington për një plan me pesë pika i destinuar të “rikthejë besimin tek bankat mbas një jave të mbushur me rënie spektakolare të vlerave të bursave në të gjithë botën”. Angazhimi kryesor, për të cilin janë të interesuar veçanërisht qindra milionë depozitues të vegjël në gjithë botën, në vende të mëdha e të vogla, të zhvilluara apo në zhvillim qëndron në garancinë, që jepet nga liderët financiarë “se ata do të pengojnë çdo lloj falimentimi të bankave”. Përmasat jo vetëm të alarmit financiar, por në radhë të parë edhe të preokupimit ndërkombëtar për ta zgjidhur që në embrion krizën duken dhe nga fakti se brenda tre ditëve, u mblodh G 7, u organizua një takim i tyre me Presidentin Bush, u mblodhën përfaqësuesit më të lartë të grupit të quajtur “Grupi i të 20-ve” në të cilin bëjnë pjesë dhe vendet me ekonomi në zhvillim të shpejtë e me peshë në ekonominë botërore si Kina, Rusia, Brazili, India, Afrika e Jugut, etj., për t’u mbyllur me takimin e liderëve evropianë të zonës euro të dielën në Paris. Vendimmarrësit më të lartë financiarë të SHBA, Gjermanisë, Francës, Kanadasë, Anglisë, Italisë dhe Japonisë u shprehën me një zë të vetëm se “situata aktuale kërkonte një veprim urgjent dhe të jashtëzakonshëm” dhe për këtë arsye kërkohej një vullnet i përbashkët “për të stabilizuar tregjet financiare, rikthyer flukset e kreditit dhe mbështetur rritjen ekonomike në shkallë botërore”.  Sipas planit të tyre të veprimit, ata garantojnë se do bëjnë gjithçka për të penguar falimentimin e bankave, zhbllokuar kreditin dhe siguruar një sasi të konsiderueshme likuiditetesh e kapitalesh në treg. Do bëhet gjithçka që në radhë të parë depozituesit në mbarë botën të jenë të qetë për kursimet e tyre, që bankat dhe institucionet financiare “të kenë kapitale të mjaftueshme dhe të vazhdojnë të japin normalisht kredi individëve dhe bizneseve”. Nga të gjithë ekspertët e ekonomisë dhe analistët financiarë vlerësohet, se ky angazhim dhe ky plan veprimi do të luajë një rol qetësues në treguesit e bursave dhe aktivitetin normal të bankave në ditët dhe javët e ardhshme.
E reja e kësaj marrëveshje qëndron në krijimin e mundësive “për hyrjen dhe pjesëmarrjen e shteteve amerikane në kapitalin e bankave”, propozim ky i insistuar fort veçanërisht nga ana e evropianëve. “Financierët e lartë” evropianë kritikuan vendimin  e muajit të kaluar të autoriteteve amerikane për ta lënë që të falimentonte bankën e madhe “Lehman Brothers”. Sipas tyre, “ishte pikërisht rënia e këtij institucioni të rëndësishëm financiar, që kishte provokuar agravimin e rrezikshëm të krizës financiare”. Në tekstin përfundimtar të G 7, që në minutën e fundit iu bashkua dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Rusisë, iu la një rrugë e hapur miratimit “të një plani evropian të shpëtimit të bankave”, të ngjashëm me “paketën Paulson” prej 700 miliardë dollarësh që u miratua para disa ditësh nga Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA. Takimi i djeshëm i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të zonës euro në Paris e konfirmoi plotësisht këtë angazhim. Megjithatë, jo gjithçka duket se mund të rregullohet menjëherë. Mbetet për t’u parë nëse mesazhi i G 7 do të jetë  plotësisht i mjaftueshëm për t’i garantuar tregjet financiare, të cilat pritet ta fillojnë javën “të shokuara plotësisht nga goditjet e tmerrshme të marra në 4-5 ditët e fundit”. Shenjë e qartë, se mbetet akoma shumë për të bërë në këtë drejtim janë fjalët e sekretarit amerikan të thesarit Henry Paulson, i cili u shpreh se: “Asnjëherë nuk ka qenë më e rëndësishme se sot për të gjetur zgjidhje kolektive... dhe rivendosur stabilitetin e ekonomisë botërore”, si dhe fjalët e Christine Lagarde, ministre franceze e Financave, që vlerësonte se “G 7 dha një mesazh ekstremisht të fortë”. Mesazhe sigurie japin dhe dy financierët e lartë italianë, ministri i Ekonomisë Giulio Tremonti dhe guvernatori i Bankës Qendrore italiane, Mario Draghi të cilët e vlerësojnë “ekselente komunikatën e G 7”, duke precizuar se “hipoteza e mbylljes së tregjeve financiare absolutisht që nuk diskutohet”.
Takimet e “jashtëzakonshme” të week end-it të fundit, vlerësohen si “shansi i fundit” për të evituar fenomenin “meltdown”, shpërbërjen e tregjeve financiare. Tashmë të gjithë janë të bindur se masat e ndërmarra deri tani, në kuadrin e vendimeve nacionale, nuk kanë dhënë efektet e pritura dhe kërkuara për stabilizimin e bursave dhe rivënien në moto të tregut monetar. Shembuj të qartë janë ato të Anglisë, Gjermanisë, Spanjës, Danimarkës, Holandës, etj. Për evropianët, besimi dhe garancia më e madhe duket se vjen nga vendimi i pritshëm në ditët në vazhdim i Bankës Qendrore Evropiane për të furnizuar bankat me likuiditet pakufizim me një përqindje interesi fikse prej 3.75%, ndërkohë që sot tregu ndërbankar e kryen këtë veprim me një përqindje prej 5.2%. Nga ana tjetër, gjithnjë në kuadër të kontrollit më të plotë të situatës dhe evoluimit të saj në vazhdim, më 15 tetor, Komisioni Evropian pritet të propozojë rregulla e norma të reja kontabël në mënyrë që “të vlerësohen më qartë vlerat ekonomike të aktiveve dhe të mos ngelemi vetëm në vlerat e tyre në bursë”.
Preokupimi kryesor i ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore mbetet, megjithatë “lidhja e ngushtë që ekziston ndërmjet krizës financiare dhe recesionit ekonomik”, rënies së ekonomisë reale. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2009, rritja ekonomike në shtatë vendet më të zhvilluara të botës do të jetë pothuajse afër zeros. Presidentja e Konfindustrias në Itali, Emma Marcegaglia nuk lë shteg për shumë optimizëm, kur shprehet se në shumë vende të Evropës, përfshirë dhe Italinë, “recesioni ekziston, por nuk është momenti që të trembemi, ndërkohë që duhet të gjejmë zgjidhje për rritjen ekonomike dhe të mendojmë për ekonominë reale”. Edhe ekonomia britanike ka filluar të ndjejë ethet e recesionit. Sinjalin e alarmit e dha së fundi edhe një sondazh i “British Chamber of Commerce”, studimi i së cilës i aplikuar në 5 mijë biznese fliste për “shenja shumë shqetësuese” që vijnë nga ekonomia reale. Kjo situatë, megjithëse konsiderohet më pak e rrezikshme se kriza financiare aktuale, përsëri pritet të ketë pasojat e veta në gjithë vendet evropiane, kryesisht në rritjen e nivelit të papunësisë, çmimeve, uljen e fuqisë blerëse për shumë shtresa të popullsisë, etj.  Duke e parë gjithë këtë kontekst zhvillimesh financiare e ekonomike ndërkombëtare është normale që të shtrohet pyetja: Po financat dhe ekonomia shqiptare, sa dhe si preken ? Në këtë këndvështrim, mendoj se përgjigjja dhe veprimi i politikave tona duhet parë në dy plane. OK, plotësisht në faktin se sistemi jonë financiar dhe bankar nuk ka asnjë shenjë, se mund të preket direkt nga efekti i “produkteve financiare të kontaminuara”; se qoftë edhe si pasojë e moszhvillimit dhe integrimit të tij me tregjet e zhvilluara financiare “vala e goditjes” nuk mund të arrijë deri këtu; se bankat tona janë të mirëkapitalizuara e të supervizuara rregullisht; se “bankat mëma” në Evropë nuk duket të kenë probleme serioze që t’i reflektojnë edhe te “bijat” e tyre në Shqipëri, etj., etj.
Por këto elemente pozitive, mjaft qetësuese për depozituesit dhe bizneset shqiptare, nuk e përjashtojnë detyrimin e rritjes maksimale të vëmendjes së qeverisë dhe institucioneve tona kryesore ndaj zhvillimeve të pritshme në ekonominë reale. Ne nuk mund “të flemë” apo të rrimë të qetë me justifikimin “se kriza nuk na prek”. Përtej kujdesit dhe garancisë për krizën financiare, është imperative të tregohemi maksimalisht të vëmendshëm e aktivë në parashikimin e skenarëve dhe marrjen e masave për të përballuar efekte negative të kësaj krize botërore në ekonominë tonë reale. Është mëse e sigurtë se pasoja negative në këtë aspekt mund të na prekin në muajt në vazhdim. Nuk jemi aq “të izoluar” e imunizuar sa të mbetemi indiferentë, duke vazhduar sikur asgjë nuk po ndodh përreth nesh dhe sikur problemet tona më të rëndësishme janë zgjedhjet nëpër parti, ligji zgjedhor apo imunitetet e kategorive të ndryshme të vendimmarrësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›