E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mohon njohjen me Fazlliç

Kryetari i Partisë Socialiste mohoi dje se ka njohje me biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç. Pak ditë më parë, biznesmeni Fazlliç deklaroi se e ka takuar kryesocialistin Edi Rama, ndërsa ky i fundit pretendon se nuk ka asnjë njohje me të. “Nuk kam asnjë njohje me këtë mashtrues ballkanik dhe për fat të mirë jam tërësisht refuzues ndaj këtij soji”, - tha Rama në një komunikim me gazetarët mesditën e djeshme. Nga ana tjetër, Fazlliç, i pyetur nëse e njeh personalisht Edi Ramën është shprehur se “mendoj se e kam takuar një herë”. Përveç kësaj, Rama mohoi të ketë ndonjë lidhje me akuzat ndaj këshilltarit e Berishës, Tom Ridge, duke u shprehur se “nuk e ka përmendur ndonjëherë dhe as do e përmend”. “S’e kam përmendur, as se përmend dhe as hyn në horizontin e vëmendjes sime”, - deklaroi më tej kreu i Partisë Socialiste. I gjithë komunikimi i djeshëm i kryesocialistit me mediat është fokusuar kryesisht te Kryeministri Berisha, lidhjet e tij me Fazlliç, si dhe me përplasjen mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë. I pyetur në lidhje me arsyet që e çuan Ministrinë e Brendshme të kërkojë ndjekje penale ndaj dy prokurorëve që kërkuan thirrjen e Fazlliç në organin e akuzës, Rama u shpreh se nuk merret me detajet, por me përplasjet e institucioneve. Qëndrimi i Edi Ramës si kryetari i Partisë Socialiste ka risjellë në vëmendje përplasje mes Lëvizjes Socialiste për Integrim, kjo referuar pjesëmarrjes së Fazlliç në një mbledhje të sigurisë kombëtare. Sipas LSI-së, është e turpshme mungesa e reagimi nga ana e z. Rama. Duket se kjo ka qenë arsyeja përse Rama organizoi një komunikim mediatik për të qartësuar pozicionin e partisë së tij. Të gjithëve akuzave të bëra nga ana e opozitës, biznesmeni Fazlliç i është përgjigjur pak ditë më parë në një intervistë televizive. Ai mohoi të gjitha këto akuza, ndërsa theksoi se politikanë si ata të PS-së përfitojnë nga postet e tyre, për të thënë çdo gjë kundër kujtdo. “Një nga gjërat rreth politikanëve, si ata të Partisë Socialiste, është që ata përdorin postet e tyre për të zgjedhur, për të thënë çdo gjë kundër kujtdo dhe sepse kanë imunitet, ata kanë të drejtë që të më quajnë mua çdo gjë që duan dhe unë nuk mundem as të bëj një koment? Mendoj që kjo nuk është e ndershme, për të thënë më të paktën”, - është shprehur Fazlliç.

Bumçi: Urdhri për ndalimin e Fazlliç është i Edi Ramës

Deputeti demokrat, zëdhënësi i grupit parlamentar të kësaj partie, Aldo Bumçi, deklaroi dje se pas urdhrit për ndalimin e shtetasit britaniko-boshnjak fshihet kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një komunikim me mediat, Bumçi tha se Rama nga njëra anë kërkon respektimin e të drejtave të njeriut dhe nga ana tjetër përmes këtij urdhri shkel Kushtetutën. “Edi Rama pasi iu serviri për javë më radhë një vrasje politike dhe akoma s’u ka kërkuar falje familjarëve të tij, sot u faktoi shqiptarëve se mbrapa urdhrit për ndalimin e shtetasit Fazlliç qëndron ai dhe vetëm ai. Nga njëra anë kërkon respektimin e të drejtave të njeriut dhe nga ana tjetër kërkon arrestimin e tij. Ne i dënojmë këto qëndrime absurde të padenja të opozitës. Urdhri në kundërshtim me Kushtetutën për ndalimin e Fazlliç është i atij dhe vetëm i atij”, - deklaroi Bumçi. Menjëherë pas kësaj deklarate reagoi zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, e cila përsëriti të njëjtat akuza të pak ditëve më parë në adresë të deputetit demokrat, Aldo Bumçi. “E sigurojmë Aldo Bumçin se zelli me të cilin ai i shërben klanit “Berisha”, nuk do ta shpëtojë dot nga detyrimi për t’u rrëfyer përpara organeve të drejtësisë lidhur me shpërdorimin e detyrës si ministër i Drejtësisë, për të favorizuar trafikun e armëve. Miqësisht i themi se duhet të gjejë forcën morale që të vihet vetë në shërbim të drejtësisë, pavarësisht lugës së çorbës së prishur që ka ngrënë në sofrën e klanit “Berisha””, - tha Kodheli. Njëkohësisht ajo reagoi edhe ndaj deklaratës së zëdhënëses së qeverisë, Majlinda Bregu, e cila akuzoi z. Edi Rama se kërkon të denigrojë figurën e Tom Ridge. “Kurse Majlinda Bregut i them, se problemi i saj nuk është fare Tom Ridge, por babai i saj politik, Sali Berisha, me sekserin serb të klanit të tij, që kanë kapur peng shtetin e që duan të gjunjëzojnë prokurorinë”, - deklaroi Kodheli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›