Bregu: Rruga e Shqipërisë për në BE, më e shkurtër
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha dje se me miratimin e traktatit të Lisbonës nga Irlanda, rruga e Shqipërisë për në BE do të jetë më e shkurtër. Bregu përshëndeti miratimin e këtij traktati, duke deklaruar se është një lajm i mirë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet aspirante për në BE. “Ajo ç'ka është më e rëndësishme për Shqipërinë dhe për vendet të tjera të rajonit është pikërisht perspektiva e qartë dhe e forcuar zgjerimit, duke respektuar të gjitha kriteret që procesi i zgjerimit dhe integrimit në BE vë para vendeve tona. Por të paktën nuk ka asnjë pikëpyetje dhe asnjë dyshim se rruga drejt BE-së tani do të jetë më e sigurt dhe më e shkurtër”, - deklaroi Bregu. Duke qëndruar tek zgjerimi, ministrja theksoi se miratimi i traktatit siguron perspektivën e zgjerimit të BE-së. Sipas saj, integrimi i vendeve aspirante në BE ka marrë një përgjigje pozitive për integrimin e plotë të tyre. “Është një lajm i përkryer dhe një lajm shumë optimist edhe për të gjitha vendet e rajonit tonë, që kanë mundësinë të shohin një perspektivë të qartë të mirëpërcaktuar të zgjerimit, pra të integrimit në BE”, -deklaroi më tej ministrja Bregu.