E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota pro e Irlandës, Berisha: Inkurajim për Shqipërinë



Miratimi i Traktatit të Lisbonës nga populli irlandez është përshëndetur nga qeveria shqiptare, duke e cilësuar atë si një perspektivë konkrete për Shqipërinë. Në një deklaratë zyrtare për mediat, Kryeministri Sali Berisha përshëndeti fitoren në referendumin e Irlandës, duke e cilësuar atë si një fitore historike për të gjithë vendet e Evropës. Berisha shprehet se miratimi i këtij traktati garanton një të ardhme të shkëlqyer për Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Një ngjarje të madhe dhe historike jo vetëm për popullin e Irlandës, por për të gjithë popujt e vendeve anëtare të BE-së dhe të vendeve të tjera, si Shqipëria, që aspirojnë për anëtarësimin në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer të kombeve të tyre”, - thuhej në deklaratën zyrtare të Kryeministrit Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare shprehet më tej se vota pro e Irlandës është një inkurajim i madh për shqiptarët dhe qeverinë për të vijuar me reforma më thella për arritjen e standardeve për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. “Vota pro e qytetarëve të Irlandës është një inkurajim i madh për shqiptarët dhe qeverinë shqiptare, për të proceduar me reforma të thella dhe të gjithanshme, për arritjen e standardeve për integrimin e vendit në BE”, - thotë deklarata.

Ndërkohë, në një konferencë të organizuar dje pasdite në Ministrinë e Jashtme, zëvendëskryeministri njëherësh ministër i Jashtëm, Ilir Meta, përshëndeti rezultatin e referendumit në Irlandë. “Qeveria shqiptare përshëndet rezultatin pozitiv, dalë nga referendumi i qytetarëve irlandezë mbi Traktatin e Lisbonës. Ky është një lajm i shkëlqyer për Bashkimin Evropian dhe një zhvillim pozitiv për vendet e Ballkanit Perëndimor”, - tha Meta. Ministri tha më tej se ky traktat do të sjellë një epokë të re në Bashkimin Evropian, si dhe do të hapë një perspektivë të qartë për zhvillimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian. “Implementimi i Traktatit të Lisbonës do të sjellë një epokë të re me reformimin e thellë institucional dhe strukturor të BE-së, si dhe do të hapë një perspektivë të qartë për zgjerimin e tij të mëtejshëm”, - shtoi Meta. Ai tha më tej se Shqipëria mirëpret hyrjen e plotë në fuqi të traktatit. “Shqipëria mirëpret hyrjen sa më shpejt të traktatit në fuqi dhe është e bindur se përqasja e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë më konkrete dhe më e unifikuar për sa i përket aspiratës së përbashkët integruese”, - tha në konferencën për shtyp ministri i Jashtëm. Vetëm një ditë më parë, referendumi i realizuar në Irlandë i tha po Traktatit të Lisbonës. Irlanda votoi kundër traktatit në referendum dy vite më parë. Ndërkaq, traktati pritet të hyjë në fuqi pas firmosjes nga Presidentët e Polonisë dhe Çekisë, dy vendet të cilat ende s’e kanë ratifikuar plotësisht traktatin.

Berisha uron homologun irlandez: I dhatë një hov ëndrrës së Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha i dërgoi një mesazh urimi Kryeministrit të Republikës së Irlandës, Brian Cowen, për votën me anë të së cilës qytetarët e Irlandës miratuan në referendum Traktatin e Lisbonës. Në mesazhin e tij, Berisha shkruan se kjo votë i dha një hov ëndrrës së Shqipërisë për të qenë pjesë e BE-së. “Kjo ditë e madhe për vendin tuaj shënon njëkohësisht një fitore historike për mbarë Evropën, pasi ajo i hap rrugën vazhdimit të procesit jetik të reformimit e modernizimit të mëtejshëm të BE-së, për të përballuar sfidat e shekullit të njëzetenjëtë. Por me votën e tyre të lirë, kombi mik irlandez dërgoi gjithashtu një mesazh të qartë kundër euroskepticizmit, duke i dhënë një hov të ri ëndrrës dhe përpjekjeve të vendit tim, Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë për rikthim e ribashkim me familjen evropiane të vlerave të përbashkëta. Për këtë mesazh shqiptarët ju mbeten përherë mirënjohës”, - thuhet në mesazhin e Kryeministrit Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare, në të njëjtin mesazh, foton për një vizitë zyrtare në Tiranë Kryeministrin irlandez, Brian Coëen.

Presidenti çek viziton sot Tiranën, Meta: Vëmendje ndaj Shqipërisë

Presidenti i Çekisë, Vaçslav Klaus, do të vizitojë sot Tiranën zyrtare, ku do të takohet me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Me ftesë të Presidentit Bamir Topi, Klaus pritet të kryejë takime të shumta në Tiranën zyrtare. Gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë, Presidenti i Çekisë do të takojë drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha etj. Në konferencën e djeshme për shtyp, i pyetur nga mediat në lidhje me këtë vizitë të Presidentit çek, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se kjo vizitë tregon vëmendjen e Çekisë ndaj Shqipërisë. “Ne besojmë se vizita e Presidentit të Çekisë do të jetë e suksesshme dhe padyshim fakti që Presidenti i Çekisë viziton Shqipërinë, tregon edhe një vëmendje të këtij vendi ndaj Shqipërisë në mënyrë të veçantë, por edhe ndaj kësaj pjese të Ballkanit”, - tha Meta, duke shtuar se në lidhje me miratimin e traktatit të Lisbonës “ne shpresojmë që edhe Çekia dhe Polonia të përfundojnë të gjitha procedurat sa më shpejt”. Gjatë kësaj konference i pyetur në lidhje me marrëveshjen Shqipëri-Greqi për ujerat territoriale, ministri Meta tha se “kjo është një çështje që i takon Parlamentit për ta zgjidhur”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›