E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: “Shqipëria do të fitojë statusin kandidat pas një viti”

Autori i Lajmit: Redaksia
Pyetësori i Brukselit për marrjen e statusit kandidat do të vijë në dhjetor. Për përkthimin e 15 mijë faqeve të këtij dokumentacioni do të destinohet pjesa më e madhe e buxhetit të Ministrisë së Integrimit, i cili për 2010 do të jetë 296 milionë lekë, 80 për qind më shumë se vitin e kaluar. Ministrja Majlinda Bregu ka bërë të qartë se pala shqiptare do të përpiqet të shkurtojë afatet për fitimin e statusit, i cili sipas të gjitha gjasave, do të merret pas 1 viti. “Jam e bindur që ne nuk kemi dhe nuk do të lëmë asnjë ditë bosh për të vonuar marrjen e statusit të vendit kandidat. Komisioni do të marrë rreth një muaj kohë për të sjellë pyetësorin në Shqipëri. Ne presim që ky pyetësor të mbërrijë brenda dhjetorit. Nga ai moment ne nisim direkt me përgjigjen e pyetjeve dhe nga koha që ne përgjigjemi për këtë informacion të bollshëm të pyetësorit të KE-së, deri në përfundimin e tij, vlerësimit nga KE-së të përgjigjeve që jep Shqipëria, besoj që nuk do të kalojë më shumë se një vit”, - deklaroi Majlinda Bregu, ministre e Integrimit, e cila ishte e pranishme dje në Komisionin parlamentar të Integrimit ku u diskutua për buxhetin e 2010 në kuadër dhe të rekomandimeve të caktuara nga progres-raporti i vitit 2009. Në këtë kuadër, Bregu pohoi se të ardhurat për vitin 2010 do të rriten në nivelin e 361 miliardë lekëve, me një rritje prej 10.7 % kundrejt buxhetit të rishikuar të 2009. Për sa i përket kriterit politik dhe veçanërisht reformës në gjyqësor, e cila zë vendin kryesor në rekomandimet e progres-raportit, buxheti 2010 ka një rritje të konsiderueshme: buxheti për sistemin e burgjeve rritet me 14.3 %, ndërsa ai i Prokurorisë së Përgjithshme 12.7 %. Rritjet më të shumta në buxhetin e 2010 do të shkojnë për Emergjencat Civile 23.4% dhe Policinë e Shtetit, 11 % etj. Ministrja Bregu i bëri thirrje sërish opozitës të hyjë në Kuvend në këto momente të rëndësishme për integrimin e vendit, kur janë një sërë ligjesh që kërkojnë konsensusin e saj dhe kur po krijohet një situatë politike gjithnjë e më anormale që vjen nga një tekë e kryetarit të PS-së, Rama.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›