E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon Rama: “Ftesa e Berishës, provokim për opozitën”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka cilësuar thirrjen e kryeministrit Sali Berisha për bashkëpunim si një provokim të radhës për opozitën. Në një konferencë për shtyp, Rama ka theksuar se opozita nuk ka çfarë të festojë me Berishën, pasi ai është i vetmi fajtor për vonesën e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat duke theksuar se Berisha pranoi të futej në një provim vjeshte. “Çfarë të festojmë, shembjen e tunelit të Kalimashit, që nga vepër me rëndësi kombëtare u kthye në pre të babëzisë të këtij regjimi. Të festojmë që dëgjojmë ministrin që duhet të jetë i pandehur të na thotë se shembja ishte e paparashikueshme. Apo të festojmë që Shqipëria ka mbetur e fundit”, - tha ai. Kryesocialisti tha se Shqipëria e izoluar bashkë me Bosnjën, për shkak të përjashtimit nga harta e vendeve të Ballkanit që do të përfitojnë liberalizimin e vizave, aferat korruptive në rrugën Durrës-Kukës, korrupsioni me pronat dhe shkelja e parimeve të demokracisë janë motive të mjaftueshme për të protestuar kundër asaj që ai e quajti keqqeverisje.
Rama, gjithashtu, ka theksuar se Berisha duhet të kërkojë falje për raportin e korrupsionit duke shtuar se Shqipëria është një prej vendeve që përgjigjja për shqyrtimin e kërkesës për statusin kandidat i është dhënë 7 muaj me vonesë, duke shtuar se kjo vonesë është për faj të keqqeverisjes së Berishës. “Bashkimi Evropian e hapi derën për ta futur Shqipërinë në provim, e bëri jo për Berishën, por se është koha e fundme për një vend të tërë që duhet të ishte në krye të proceseve të integrimit të Ballkanit”, - theksoi Rama. Gjithashtu, ai deklaroi se BE është e tronditur nga të dhënat e publikuara nga TIA për një vend që i ka shtrirë dorën miqësisht.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›