E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja: “Anëtarësimi në BE kërkon shtet ligjor”

Autori i Lajmit: Redaksia
Shqipëria duhet të funksionojë si shtet ligjor, që respekton lirinë e medias, në mënyrë që të anëtarësohet në BE. Këtë radhë deklarata vjen nga zëvendësambasadori spanjoll në Tiranë, Huan Merinos, vendi i të cilit merr nga janari presidencën e BE-së. “Të bëhesh anëtar i Bashkimit Evropian duhet të jesh në fillim një shtet ligjor dhe një nga elementet themelore të demokracisë është respektimi i lirisë së medias. Është detyrë e qeverisë shqiptare dhe e prokurorisë të vlerësojë seriozisht ngjarjen. Ne si shtet dënojmë çdo sulm që i bëhet medias”, - tha ai. Ndonëse, Komisioni Evropian do të duhet tani të përgatisë opinionin për gatishmërinë e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, diplomati spanjoll thotë se deri në anëtarësimin në union, duhet ende shumë punë. “Ne shpresojmë që edhe Shqipëria të bëhet shpejt pjesë e BE-së. Spanja po punon shumë në këtë drejtim me administratën shqiptare, për të bërë hapa para drejt këtij integrimi, por vendimi përfundimtar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian varet vetëm nga reformat, që do të ndërmarrë qeveria shqiptare”, - u shpreh ai. Zëvendësambasadori spanjoll i bën thirrje qeverisë dhe opozitës të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin ngërçin, për të çuar përpara reformat, nga të cilat varet edhe liberalizimi i vizave. “Procesi i liberalizimit të vizave varet nga reformat që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare në këtë drejtim, kjo ka të bëjë me aftësinë e shtetit shqiptar për kontrollin e kufijve, për prodhimin e dokumenteve të sigurta për udhëtim etj.”, - përfundoi ai.
Ky lajm është publikuar: 18/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›