E Diel, 1 Nëntor 2026

Aplikimi në BE Berisha: “Gati tu përgjigjemi pyetjeve në dy muaj e gjysmë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha konfirmoi dje se Shqipëria është gatshme ti përgjigjet pyetësorit të Bashkimit Evropian brenda muajit shkurt lidhur me aplikimin si vend kandidat. Pohimi i tij u bë gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. “Kjo mbledhje qeverie mbahet pas vendimit të ministrave të Jashtëm për të miratuar kërkesën e Shqipërisë paraqitur presidencës çeke për statusin e kandidatit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky vendim përfaqëson vendimin më të rëndësishëm që është marrë ndonjëherë për vendin tonë, marrë ndonjëherë nga Brukseli, pasi ky është vendim i BE ku shprehet qartë vullneti për ti dhënë Shqipërisë dritën jeshile”, - tha ai. Berisha pohoi më tej se është i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën. “Komiteti ndërkombëtar na dha neve një besim paradhënie, me anëtarësimin në NATO. Ata krijuan besim të plotë tek përkushtimi ynë. Ne bashkëpunuam ngushtë me opozitën, ne i dhamë opozitës përgjegjësinë për hartimin e Kodit Zgjedhor. Ne bëmë zgjedhje me standarde sipas BE. Ofroj gatishmërinë time dhe të gjithë kabinetit për të bashkëpunuar me opozitën”, - tha ai.

Mbledhja

Berisha tha se vendimi i BE-së është hapja reale, për anëtarësim si dhe është dëshmi e arritjeve, së pari, në konsolidimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave njerëzore, të cilat kanë njohur rritje, ky ka qenë edhe kushti kryesor që një vend të pranohet në gjirin e BE. Ai shtoi se vendet ish-komuniste sot vende anëtare, përveç Sllovenisë, të gjitha kanë diferenca të mëdha ekonomike me vendet themeluese, të cilat nuk patën një të kaluar komuniste, por ato janë pranuar anëtare me të drejta të plota, madje, Sllovenia dhe Kroacia kanë drejtuar Presidencën e BE, kjo për përpjekjet në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe për një ekonomi tregu të konsoliduar. Reformat sipas tij, janë ato që bënë të mundur vendimin e djeshëm. Më tej Berisha renditi arritjet e deritanishme dhe prioritetet për më pas. Ai pohoi se lufta me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit, reformat e tregut dhe privatizimet e mëdha, këto kanë bërë që Shqipëria të vlerësohet e përshtatshme për të nisur bisedimet për anëtarësim. “Kërkoj reforma të thella dhe të gjithanshme, ekipe serioze, por asgjë më fisnike se sa përkushtimi nuk ka, ky është një projekt ëndrrash. Në BE ka pasur debate, por për shqiptarët anëtarësimi është ëndrra më e bukur dhe kemi plotësisht të drejtë. Të gjithë e dimë se nuk është pasurim i menjëhershëm, por vendosja e vendit të tij në një vend të dëshiruar”, - tha ai. Berisha ka pohuar më tej se zëvendësministrja e Integrimit ka deklaruar gjatë mbledhjes së Qeverisë, se në mes të dhjetorit pritet që të mbërrijnë rreth 4500 pyetje, të cilat do të vlerësojnë gatishmërinë e Shqipërisë. Ndërsa afati i plotësimit të pyetjeve do të jetë 3 deri në 4 muaj. Kryeministri Berisha i ka ngarkuar detyrë zëvendëskryeministrit Meta që të koordinojë punën edhe me institucionet e pavarura. Ai ka theksuar se çdo ndihmë që ata kanë nevojë, qeveria do të jetë e gatshme ti ndihmojë. Berisha ka deklaruar se, nëse pyetjet vijnë në mes të dhjetorit, ato do të dorëzohen patjetër në fund të shkurtit. Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se puna duhet të fillojë menjëherë për plotësimin e pyetjeve. Berisha ka kërkuar përkthyes shtesë për të gjetur domethënien e termave që do të lehtësojnë punën. Ai ka dhënë porosi që dhe manuali i termave të përgatitet sa më parë, ndërsa ka kërkuar edhe trajnimin e personave të angazhuar në këtë proces. “Unë siguroj të gjithë shqiptarët se do të punoj me përkushtim të plotë që vendimin e djeshëm për Shqipërinë, ta konkretizoj me punë me reforma dhe do të bëjmë përpjekje që procesi i integrimit të ecë në mbarësi të plotë”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›