E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Shqipëria mund të jetë kandidat në BE brenda 2010

Ministrja Bregu informoi se "marrja e statusit të vendit kandidat vjen pasi janë vlerësuar përgjigjet e pyetësorit".
    
"Këshilli i Ambasadorëve ka vendosur dje në mënyrë unanime që shqyrtimi i kërkesës për anëtarësim të Shqipërisë të kalojë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave të BE-së. Kjo kërkesë do t’i kalojë më pas Komisionit për të përgatitur një opinion për vendin tonë, një vlerësim sesa Shqipëria ka përmbushur kriteret për të qenë vend kandidat", tha Ministrja Bregu.

Ajo ka bërë të ditur përgatitjet për plotësimin e pyetësorit të Komisionit Evropian. “Gjej rastin t’ju informoj se administrata shqiptare është gati për të plotësuar pyetësorin e Komisionit Evropian. Ministria e Integrimit ka përcaktuar planin e plotë të punës që përmban afatet dhe përgjegjësitë respektive të çdo institucioni lidhur me pyetësorin”, theksoi ajo për mediat.

Bregu bëri të ditur se ë këtë proces janë përfshirë të gjitha ministritë, 13 institucione të pavarura duke përfshirë edhe Parlamentin, ndërsa numri i  institucioneve që do të kontribuojnë në total do të jetë rreth 45.

“Koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel Ministrash, ndërkohë qe administrata do te jete e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori”, vijoi ministrja e Integrimit.  Për të përmbushur këto detyra, Ministria e Integrimit është riorganizuar paralelisht edhe me strukturat në misionin tonë në BE dhe delegacionin e KE-së në Tiranë.

Për sa i përket pyetsorit, Bregu informoi se ende nuk kishte një draft, por pyetjet fokusohen në kriterin politik dhe ekonomik, çka do të thotë se shumica e pyetjeve do të adresohen në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›