Aksidentet, një i vdekur dhe nëntë të plagosur në akset kombëtare
Një i vdekur dhe nëntë të plagosur, mes tyre dy fëmijë, ka qenë bilanci i katër aksidenteve të ndodhura dje në rrugët kombëtare të vendit. Një 55-vjeçare ka gjetur vdekjen dje në mbrëmje, rreth orës 20.20, kur është përplasur nga automjeti me targa KO 5101 A. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Korçë-Bilisht dhe sipas burimeve policore, viktima Zena Hametlli, po kalonte rrugën bashkë me të mbesën 10-vjeçare, kur është përplasur nga automjeti që drejtohej nga Aleks Xhega. 55-vjeçarja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që vajza e vogël fatmirësisht ka mundur të largohet në kohë. Policia ka ndaluar drejtuesin e automjetit, ndërkohë që po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ndërkaq, në orët e vona të mbrëmjes një tjetër aksident ka ndodhur në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi, kur një furgon me targa BZ 076A ka dalë nga rruga dhe për pasojë pesë pasagjerë janë plagosur rëndë. Mes tyre kanë qenë dhe dy fëmijë, nga të cilët njëri vetëm 2 vjeç. Të lënduarit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Burrelit, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e ngjarjes rrugore. Ndërsa rreth orës 11:30 të së martës, në vendin e quajtur fshati Greshicë, përgjatë rrugës Ballsh-Tepelenë, mjeti i tipit “Honda”, me targë HPT 7283, që drejtohej nga 23-vjeçari Elis Mema, ka dalë nga rruga e për pasojë ka rënë në një kanal që ndodhej rreth 2 metra poshtë trasesë së rrugës. Burimet policore thonë se drejtuesi ka humbur kontrollin e makinës, si pasojë e shpejtësisë me të cilën udhëtonte. Nga aksidenti ka mbetur i plagosur drejtuesi i automjetit dhe bashkëshortja e tij, 19-vjeçarja Ertila Mema. Ajo është transportuar në gjendje të rëndë drejt spitalit rajonal të Fierit. Bluzat e bardha bëjnë të ditur se gjendja e së aksidentuarës vazhdon të jetë e rëndë, ndonëse i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Ndërsa në aksin Lezhë-Fushë-Krujë, një kamion me targa TR 3591 L, ka dalë nga rruga si pasojë e një parakalimi të gabuar, duke u përplasur më pas me një autoveturë. Si rezultat i aksidentit kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit e automjeteve, të cilët gjenden jashtë rrezikut për jetën në spital.
#