E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu dorëzon planin e veprimit, Fyle: Nxitoni!

Gjatë qëndrimit atje, Bregu ka zhvilluar një takim me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle. Në deklaratën për shtyp, komisioneri Fyle, përgëzoi Shqipërinë për hapat e ndjekura.

“Mora siguri të reja se Shqipëria nuk do të humbë më kohë dhe se do të përparojë në të gjitha veprimet e nevojshme, për të arritur një masë kritike rezultatesh në të gjitha fushat. Këto ndryshime duhet gjithashtu të përfshijnë përfundimin pa pengesa të reformës zgjedhore dhe të rishikimit të rregullores së Parlamentit, gjë që do të shtronte rrugën për progres në fusha të tjera gjithashtu. Nënvizoj rëndësinë e përvetësimit të reformave nga të gjitha palët e interesuara dhe të vazhdimit të një dialogu dhe bashkëpunimi gjithpërfshirës dhe konstruktiv në mes të qeverisë dhe opozitës”, deklaroi Fyle.
 
Ministrja i njohu eurodeputetët me ecurinë e procesit të reformave në Shqipëri, veçanërisht në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, nën orientimin e Planit të Veprimit të hartuar për këtë qëllim. “Në takimin me Komisionerin diskutuam kryesisht mbi zhvillimet në Shqipëri lidhur me procesin e integrimit evropian. Më vjen mirë që pas një periudhe 2-vjeçare kemi një tjetër ndjeshmëri nga ana e KE-së; sigurisht, do të kishte qenë shumë e vështirë për Komisionin Evropian të kishte një ndjeshmëri pozitive nëse gjërat, të paktën prej nëntorit, nuk do të kishin lëvizur pozitivisht dhe kjo gjë u mirëprit dhe u vlerësua edhe nga Komisioneri në takimin e sotëm. Plani i Veprimit, të cilin e kemi dorëzuar pranë Komisionit Evropian, është vlerësuar jo vetëm si një dokument pune i mirë, por edhe për faktin se gjatë rishikimit të tij është përmbushur ose plotësuar një nga sugjerimet edhe të Komisionerit Fyle, që është gjithëpërfshirja. Ky është lajm i mirë, motivues, që na jep mundësi të gjithëve që këtë frymë të bashkëpunimit të vendosur në nëntor mes forcave politike, ta përkthejmë në rezultate konkrete”, tha Bregu.

Ajo shtoi se kur politikanët të vendosin të tregojnë përgjegjësi politike, nuk ka çështje të cilat mund të mbeten peng i pazgjidhshmërisë. “E rëndësishme është që në këtë proces, ne të kemi mbështetjen e Komisionit Evropian; nga ana tjetër, do të duhet që të rilançojmë një proces ku të shpjegojmë këtë atmosferë bashkëpunimi për vendet anëtare, sepse i kemi bërë dëm vetes për dy vjet me politikën e bojkotit, më shumë sesa kushdo tjetër, mund t’i kishte bërë dëm Shqipërisë”, shtoi.

Ministrja Bregu po zhvillon një vizitë 2-ditore, gjatë së cilës ka zhvilluar takime edhe me Presidentin e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore Eduard Kukan, Eurodeputetin Libor Roucek, kryetar i Grupit të Punës të Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Reporterin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë Nicholaos Choundis, si dhe eurodeputetë të tjerë. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-03-30 09:09
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›