E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu kërcënon me mesazh Meksin, debat midis ministreve të Integrimit



Ka mjaftuar një mesazh që ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, i ka dërguar ish-ministres Ermelinda Meksi, që të ndizet debati midis tyre. Meksi ka bërë të ditur dje në seancë parlamentare se është e turpshme sjellja e ministrave, të cilët, sipas saj, kërcënojnë me mesazhe telefonike. Por më pas ka reaguar ministrja Bregu, e cila ka bërë të ditur përmbajtjen e mesazhit. “Në fakt, mesazhin e dërgova unë dhe i shkrova: ‘Zonjë, kujtohu të kthesh makinën që e mban që në kohën që kur ishe ministre’. Atë pjesën e turpit mbaje për vete. Të kam kërkuar që në 2007-n të ktheni makinën. Integrimi në BE nuk merret me këshilltar Shane Korbecin, që kishit ju”, - është shprehur Bregu. Ndërsa socialistja Meksi e ka cilësuar turp sjelljen e ministres, e cila, sipas saj, merret me gjëra vulgare, që nuk i takojnë asaj.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend Meksi ngriti shqetësimin e moszbatimit nga zyrat e Përmbarimit të vendimeve të gjykatave. Ajo u ndal në veçanti në moszbatimin e vendimeve të gjykatave për kthimin në punë të nëpunësve civilë të shkarkuar nga qeveria. “Së katërti, a e dini, z. ministër se pothuaj të gjithë nëpunësit e hequr padrejtësisht nga puna pas 3 korrikut 2005, edhe pse i kanë fituar të gjitha gjyqet, në të gjitha nivelet, nuk janë kthyer në punë? Çfarë bëjnë zyrat tuaja të Përmbarimit me këtë rast? Në rast se këta punonjës do të kishin rast të ballafaqoheshin me ministrat që i kanë pushuar në publik, siç ka ndodhur ndonjëherë, opinioni do të kishte rast të vlerësonte se shumë prej tyre janë shumë lart dhe sa shumë ka humbur vendi, madje dhe kjo qeveri me largimin e tyre”, - është shprehur Meksi.

Topalli nuk miraton përfshirjen e Ndokës në komisionet parlamentare

Ish-ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, i cili për gati një vit ka lënë postin e ministrit, nuk është i regjistruar në asnjë komision parlamentar. Në bazë të rregullores së Kuvendit, të gjithë deputetët kanë të drejtë që të jenë anëtarë të komisioneve të përhershme parlamentare. Në fakt, përgjatë një viti Ndoka ka kërkuar në seancë parlamentare që ai të miratohet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, në të cilin bënte pjesë para se të bëhej ministër. Por kjo kërkesë e vazhdueshme e Ndokës nuk është marrë në konsideratë. Edhe gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend Ndoka kërkoi për të katërtën herë që të bëhet pjesë e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, duke e akuzuar kryetaren e Kuvendit se e pengon qëllimisht përfshirjen e tij. Drejtuesi i seancës, Neritan Ceka, bëri të ditur se emri i Ndokës duhet të miratohet në Konferencën e Kryetareve dhe më pas të vijë si propozim në seancë, ndaj nuk e mori parasysh kërkesën e tij. Mospërfshirja e Ndokës në komisione parlamentare i heq atij të drejtën e përfitimit të pagesës financiare për ndjekjen e mbledhjeve të komisioneve të përhershme.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›